Integrimi i Kosovës në BE dhe përfaqësimi i saj në botë
Nga Albana Bano/Që prej zgjedhjes së Hashim Thaçit, President i Republikës së Kosovës, dua të ndalem në dy deklarata të tij: E para flet për integrimin e Kosovës në Bashkimin Europian dhe është bërë në kontekstin e një postimi për liberalizimin e vizave me BE-në dhe e dyta është deklarata e Thaçit se “Vij nga vendi i Nënë Terezës”.
Integrimi i Kosovës. Referuar mediave në Tiranë, presidenti kosovar duke folur për liberalizimin e vizave, është shprehur në një postim në Facebook se: “Ndërtimi i urave dhe forcimi i komunikimit mes komuniteteve tona të ndryshme… (nënkupto: BE-Kosovë), kontribuon në zhvillimin e mëtejshëm ekonomik, në forcimin e paqes dhe stabilitetit në tërë Europën. Kontinenti ynë nuk do të jetë i kompletuar dhe i bashkuar pa Kosovën si pjesë e saj”. Fjalia e parë që ka të bëjë me ndërtimin e urave të bashkëpunimit në të mirë të stabilitetit dhe zhvillimit ekonomik, është e vlefshme sidomos përsa i përket aspektit të sigurisë në marrëdhëniet BE-Kosovë. Integrimi evropian do të ndihmonte në shuarjen e tendencave destabilizuese që burojnë nga brishtësia e Republikës, përshkallëzimi i të cilave do të përbënte një kërcënim real për Unionin. Megjithatë, impakti i BE-së në zhvillimin e brendshëm të Kosovës, nuk do të ishte në të njëjtin nivel me faktorin “siguri”. Ky konkluzion bazohet në faktin se BE ka gati 10 vjet që operon në zemër të shtetit të ri (në formën e EULEX, plotësisht operacional në 2009). Gjatë kësaj kohe, arritjet e Kosovës në drejtim të demokratizimit, luftës kundër korrupsionit, apo krimit të organizuar, kanë qenë modeste. Kjo dhe për arsye se Unioni është përqendruar kryesisht në ndërtimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë të Kosovës me vendet fqinjë dhe në normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë në veçanti. Do doja të nënvizoja se BE-ja nuk dëshiron më luftëra në Ballkan dhe kjo është arsyeja primare e angazhimit të saj në rajon.
Sa për fjalinë e dytë “Kontinenti ynë nuk do të jetë i kompletuar dhe i bashkuar pa Kosovën si pjesë e saj”, ky është një argument i mbikonsumuar pasi është përdorur për më shumë se dy dekada nga të gjitha vendet e rajonit tonë e më tej. Sa për sqarim, BE-ja nuk është një organizëm që ngrihet mbi koncepte gjeografike, pavarësisht se dimensioni gjeografik luan rol kyç në kompaktësinë e saj. BE-ja nuk synon bashkimin e kontinentit Evropë. Ajo u krijua si union i një grupi shtetesh me vlera dhe parime të njëjta politike, kulturore dhe ekonomike, të tilla si vendet e Europës Perëndimore. Ky bashkim i shërbeu interesave të vendeve anëtare në drejtim të rritjes ekonomike dhe fuqizimit politik. Pas rënies së komunizmit 25 vite më parë, BE-ja njohu nevojën e përshtatjes me sfidat e reja dhe iu gjend pranë vendeve ish-komuniste në rimëkëmbjen e tyre ekonomike, si dhe krijoi politika të posaçme për përafrimin e vendeve tona me standardet e saj. Kështu lindi dhe rrugëtimi i Ballkanit Perëndimor për në Bashkimin Europian, pjesë e padiskutueshme e të cilit, është dhe Kosova.
Deklarata e z. Thaçit: “Vij nga vendi i Nënë Terezës”. Kjo deklaratë në vetvete ka dy anë të rëndësishme për t`u komentuar: e para është fakti se Kosova, si pjesë e hapësirës shqiptare, është me plot gojën vendi i Nënë Terezës, sikurse janë Shqipëria apo pjesa shqiptare e Maqedonisë, sepse ajo tha botërisht “nga gjaku jam shqiptare”. Së dyti, zgjedhja e Nënë Terezës si ikonë me të cilën dëshiron të identifikohet Kosova në arenën ndërkombëtare, më gëzon pa masë. Dimensionet e figurës së saj i kalojnë ata njerëzorë dhe për këtë arsye ajo do të shpallet së shpejti “Shenjtore”. Para ikonës së Nënë Terezës së bashku me shqiptarë, do të luten indianë, argjentinas, italianë apo persona të çdo kombësie tjetër, sepse Shën Tereza e Kalkutës është figurë universale e humanizmit dhe paqes në botë. Bekimi i saj qoftë me Kosovën dhe me ne të gjithë!