Interneti hapësirë budallenjsh
Ilir Muharremi/ Shkrimtarët e këqij nuk shkruajnë me gjakun e tyre. E kërkoj me gjak sepse gjaku është shpirt. Ata më shumë shkruajnë sesa lexojnë dhe ndjejnë. Fati qe të mundësia e rrjeteve sociale, librit elektronik dhe bukur e thur shkrimtari i ndjerë Eco kur thoshte: “”Mediet sociale u kanë dhënë të drejtën e fjalës budallenjve” për të vazhduar ““Më përpara ata flisnin vetëm në bare pas një gote me verë, pa e dëmtuar komunitetin. Ua mbyllnin menjëherë gojën, ndërsa tani kanë të njëjtën të drejtë fjale me një fitues të çmimit Nobel. Është pushtim nga budallenjtë”. Interneti promovon budallain më të madh i cili kinse mban të vërtetën. Portalet tona dhe interneti favorizojnë përhapjen e budallallëqeve, pornografisë, skandaleve të kota sepse mendojnë se lexuesit janë veç për ta kaluar kohën. Fakti qe se hapësirat virtuale qarkullojnë plot dobësi, budallallëqe dhe shpesh i mbysim zërat e besueshëm. Si dilet nga kjo situatë? Vetë portalet tona prodhojnë budallallëqe me “tituj provokativ”, gjysmë tituj, e kur futesh në tekst nuk gjen asgjë. Këto faqe duhet të filtrohen, prodhojnë idiotësi p.sh. “Kida provokon fort”, “A do ta prek Bigu “zogun” sikurse Tuna”, Si është jeta seksuale e Skivit ?!”, ” Modelja transvestite tregon trupin në formë”, “Sa është e dhënë Dafina Dauti pas seksit?”….. Këta tituj, duken grishës, por janë gjepura të dyfishta me qëllim të klikohet mbi ta. Masa ndoshta ngacmohet, por një pjesë e madhe që kërkon recensione të gjata me plot kuptim janë indiferentë. Ose nëse ndërrohet struktura e plasimit të teksteve serioze, vetëm një pjesë e vogël do t’i pëlqej. Por, jo mediet e kanë fuqinë e edukimit të opinionit.
Nuk qe e lehtë ta kuptosh gjakun e shkrimtarit të vërtetë dhe unë e urrej lexuesin e të kaluarit kohën dhe propagandës së kotë të portaleve. Fajin e kanë redaktorët e pagdhendur, imbecil, politikë dashes, të etur pas skandaleve seksuale, thuajse gjithçka është për pornografinë. Shumë pak marrin vesh nga madhështia. Nuk qe kërkesë e masës sepse masa furnizohet me prezantimet. Bota rrotullohet rreth vlerave të reja, ndërsa për këta komedianë, redaktor-debil rrotullohet skandali, fama e lavireve të dështuara, ndonëse mendimi se kështu e kërkon kjo botë. Jo ore, ju keni shpirt por pak jeni të ndërgjegjshëm. Në këtë pikë roli i portaleve është shumë i rëndësishëm sepse duhet të filtrojë me ekipe specialistësh informacionet që vijnë nga bota.
Plotë palaço gaztorë e solemnë është tregu i portaleve dhe ata mburren me lajmin e parë sidomos skandalin. Dita i shqelmon dhe vdesin në mbrëmje. Mjerë gazetari dhe shkrimtari i madh i cili dëshiron të vendosë karrigen ndërmjet tyre. Tekstet e forta janë absolute dhe vijnë nga dashnorët e së vërtetës. E vërteta kur nuk ju dha absolutëve. Atëherë, më mirë të bie të kthehesh në sigurinë tënde, vetëm në këtë treg pornografik kiç, të dobët pa shije, sepse edhe pornografia në letërsi ka vlerë, por kjo që e shfaqin këta është e vakët, andaj ik nga kopeja budallenjsh. Burimet e thella janë të ngadalshme, duhet pritje e gjatë të mësojmë se çka ka atje në thellësi. Shkrimtari i madh i ikën famës sepse në ikje janë gjërat e mëdha. Sa të panumërt janë këta xhuxhë- redaktorë të cilët shiten për një fije epsh në plasim të lajmit. Nuk i takon shkrimtarit të madh t’i përzë këta xhuxhë. Populli ndonëse nuk rron në besim të thellë të këtyre medieve sepse janë të shumta. Pastaj hapësira e disa emrave që kopjohen tekstet e tyre pa shije të shkurtra, pa gjak, aspak shpirt, ndonëse aktual me katër rreshta pakuptim, zënë hapësirë. E bëjnë për treg…. Larg këtyre mizave.
Shkrimtarët e mëdhenj nuk janë të portaleve, janë filozof, të vuajtur dhe klithin se për shkak se të gjithëve u lejua të mësojnë të lexojnë, u prish të shkruarit, ashtu edhe të menduarit. Dikur shpirti i tyre qe Zot, tash u prishë u bë mediokër. Andaj, më shumë preferoj shkrimtarët e vdekur. Shkrimtarët e vdekur si: Dostojevski, Tolstoji, Camus, Nietzsche, Eco…shprehjet e tyre në letër qenë maja dhe shqiptoheshin vetëm për njerëzit e mëdhenj dhe të gjatë. Kishin ajër të rrallë të pastër, mirëpo edhe rreziku qe afër. Në shpirtin e tyre vëreja elemente gazmore, por edhe pesimizëm dhimbje. Njëri prej tyre tha: “Dua të kem përreth horra sepse jam i guximshëm”. Guximi që zbon fantazmat, krijon vetë horrat. Ne për ta jemi si një re e zezë poshtë këmbëve të tyre, porse kjo re është lajmëtare e stuhisë. “Ju shihni lart, kur kërkoni të lartësoheni”, vazhdoji prapë njëri duke përfunduar “ Por unë shoh poshtë sepse jam lart”. Atëherë, ta mbajmë më mirë kokën drejtë. Ndoshta kështu qeshim dhe lartësohemi në të njëjtën kohë. Cili di ta bëjë këtë? Të rrallë janë këta krijues që ngjiten në malin më të lartë të shpirtit dhe qeshin me dramat, tragjeditë dhe komeditë serioze. Disa shkrimtarë thonë se jeta është e vështirë nuk durohet. Të tjerët janë politikanë të revoltuar. Nuk e dijë atëherë përse e kanë atë krenari në mëngjes dhe dorëheqje në mbrëmje. Pajtohem me vështirësitë e jetës, aty gjejmë edhe të hijeshinë, por edhe gomarë dhe plot budallenj. E vërteta është se e dashurojmë jetën, jo sepse mësohemi me të, por sepse mësohemi të dashurojmë. Këta shkrimtarë e qëllojnë kur e thonë këtë. E vëreni se janë filozof sepse ia vënë peshën shkrimeve të tyre. Përse redaktorët pak u japin hapësirë këtyre? Sepse këta të thellë nuk mund të barazohen me redaktor-budallenj mediokër që vijnë nga kopeja. Kujtojnë se shkrimtari duhet të shkruaj për kopenë. Jo ore i pa informuar, kopeja duhet të mësoj nga shkrimtari sekretet e lartësive. Mediet duhet të jenë mësim, e jo promovim i lajmeve të shkurtra pa kripë. Ta zëmë. Po lexoja në një portal tonin të njohur se:”një këngëtar është ulur në bisht të aeroplanit me të dashurën e tij”. Ja kryelajmi i ditës. Kërkesa e klikimeve të shumta pozon paaftësinë, sa të mjerë janë. Po i kthehemi shkrimtarit të thellë. Jo se e njehë shpirtin, por arrin ta përkthej një pjesë të vogël të frazave të tij. Në momentin kur i afrohet, shpirti përmblidhet, rrëshqet dhe eksplorimi i tepërt e bënë që ai të kap bile hijen e tij. Kjo është e mjaftueshme. Tani në këtë hije, njeriu mësohet të fluturoj, të sheh veten poshtë vetes së tij, sepse tashmë është mbi veten. Edhe Zoti fillon ta përdorë këtë njëri.
Pse unë shkruaj
E para qe dëshira, dhe e dyta nuk kam njohuri të bëjë mirë ndonjë punë tjetër. Ndjejë dhimbje, dëshpërim dhe mërzi me njerëzit dhe botën. E pëlqej vetminë dhe rri i mbyllur në dhomën time pranë librave dhe kompjuterit. Dëgjoj heshtjen dhe aty më mirë gjërat brenda vetes. I padurueshëm qe realiteti dhe librat, unë mund ta duroj vetëm duke i ndryshuar të dyja. Shkruaj se dëshirojë të tjerëve tu tregoj jetën që kam kaluar dhe e kaloj. Erdha në këtë botë pa dëshirën time, arrita t’i sfidoj miliarda spermatozoid dhe kam frikë se mos harrohem, andaj shkruaj. Nganjëherë shkruaj sepse pëlqej të jem vetëm. Nuk e di përse jam i mllefosur dhe i mërzitur në të gjithë ju, andaj filloj të shkruaj ta korrigjoj këtë. Më pëlqen kur të zgjedhurit më lexojnë dhe më kritikojnë. Kur nisë të shkruaj diçka asnjëherë nuk përfundohet ashtu si është menduar pa u nisur, gjithmonë rrugës ndryshon. E urrej përfundimin dhe gjithnjë mendoj se lë diçka për të shtuar. Shpesh mërzitem shumë dhe ndjehem i pa vlefshëm e nuk e dijë a shkruaj mirë, e ulë kokën dhe vazhdoj të shkruaj. Nganjëherë shkruaj sepse mendoj që të tjerët mezi presin të më lexojnë. Kjo nuk më ngjallë kënaqësi. Kënaqësi ndjej kur shkruaj në gjendje ekstaze. Nganjëherë bëhem tejet fëmijë sepse besoj që librat e mijë do të zënë vend në raftet e Bibliotekave të pavdekshme. Është kënaqësi ta përkthesh ekstazën me fjalë.
“Shkruaj jo për të rrëfyer histori, por për të ndërtuar histori. Shkruaj për t’i shpëtuar ndjenjës së të mos mundurit të kapësh një vend që e dëshirojmë, siç në ëndrra. Shkruaj sepse nuk arrij të jem i lumtur, çfarëdo që të bëj. Shkruaj për të qenë i lumtur.” Shprehet Orhan Pamuk. Të shkruash do të thotë të nxjerrësh atë çfarë asnjëherë nuk e ke ndjerë dhe tashmë po e ndjen, kjo ndjenjë rrezaton panjohuri për ata që duan ta kapin. Të gjithë pohojnë, mendojnë, japin mendime ashtu si duan por ajo vjen vetë nga pasiguria, nga instinkti, nga ndjenja e cila kërkon egon për ta shprehë. Kjo më pëlqen se nuk është ajo në thellësi që është. Umbertato Eco thotë se shkruaj se më pëlqen. Kjo e fundit nxjerr atë epshin , pëlqimin ndaj vetes, por kështu edhe vazhdon. Duhet të vazhdoj. Ndërsa, Nathan Englander shkruan sepse ka dëshirë të vendos rregull në kaos. Kaos ky i cili nxjerr revoltën, fillimin dhe fundin e kësaj toke. Pa këtë asgjë nuk mund të ketë kuptim. Kuptimi refuzon realen. Një reale që kërkon art. Brendia emocionale nuk mund të shprehet tamam ashtu si është. Kjo na bënë shkrimtar na thyen nga vetja. Më mirë sepse bota nuk mund të ekzistoj pa art. Ken Follet thotë: “Akti i të shkruarit më pasionon. Përfshin gjithë intelektin tim, emocionet e mia, përfshin gjithë atë që jam në botë dhe mënyrën se si funksionoj si qenie njerëzore.” Kjo është më e vërtetë sepse nxjerr nga vetja. Por, arti i të shkruarit ka pafajësinë e vetës pastaj të botës, sepse nuk mund të braktiset nga bota. Si mund të arsyetohet kjo? Bota për njeriun, njeriu për botën, lojë. Mark Haddon shkruan: “ Ka shumë raste që përpiqesh të realizosh atë që ke në mendje, por nuk ia del dot. Kjo ndoshta sepse nuk ke gjetur mjetin e duhur shprehës, pra në këtë rast zhanrin e duhur të artit. Por mund të ndodhë të kuptosh se nuk ka ende një zhanër të tillë që të arrijë të shprehë brendinë tënde emocionale. Gjithsesi, të shkruarit është ai që i afrohet më shumë kësaj brendie dhe materializimit të saj.”. Bota rreth teje vazhdon ajo kërkon të dal ta njohë çdo kush, por arma varet nga ti. Sido që të jetë prapë vazhdon. Ajo merret nëse vazhdon me të. Shkrimtari nuk mund ta braktis botën sepse e ngacmon. Colum McCann aftësinë e të shkruarit e radhit tek aftësia e imagjinuarit. Fakte që vazhdojnë të ndodhin dhe që ekzistojnë edhe mijëra histori që presin penën e një shkrimtari për t’u thënë. E imagjinuar nga realiteti sepse realiteti s’ka kuptim pa imagjinatën. Në të njëjtën kohë ngrehin fitoren e kësaj bote. “Në një farë mënyre të shkruarit është vazhdim i asaj ndjesie të provuar që për mua nuk ka të dytë.” konstanton Mario Vargas Llosa. Ndjesia lind nga i pari dhe vazhdon me të nuk vazhdon së trashëguari në të dytin. Bëhet fjalë për një egoizëm letrarë që nuk shumëfishohet. Kjo ndoshta është e vërtetë.