Investimet në 2015, debati: Veriu, më pak para se Jugu

Element ky që ka dalë në fakt, dje gjatë diskutimeve të zhvilluara në komisionin parlamentar të Ekonomisë dhe Financave, sa i përket ndarjes së investimeve për vitin e ardhshëm, parashikuar në projektbuxhetin 2015. Prezantuar nga vetë ministri i Zhvillimit Ekonomik, Arben Ahmetaj, kjo ndarje konsiston pikërisht në investimin në total të një shume prej 80 miliardë lekësh, ose 5.4% të Prodhimit Kombëtar Bruto. Shumë kjo për të cilën ai ka theksuar se është më e larta e pesë viteve të funditdhe që ndahet përkatësisht në 67.5 miliardë lekë si investime në projekte kombëtare, ndërsa 12.5 miliardë të tjera të cilat kalojnë përmes Fondit Rajonal të Zhvillimit që administron pushteti vendor. “Kjo është një shifër rekord, duke futur në paketë uljen e deficitit, uljen e borxhit publik, ruajtjen e nivelit madje në shumë aspekte, rritjen e buxhetit social, mosprekjen në asnjë mënyrë të të drejtës sociale, rritjes e subvencionit për energjinë”, sqaroi Ahmetaj. Por në fakt, ndarja sipas zonave e këtij fondi, ka shkaktuar debate të forta mes deputetëve të mazhorancës. “Investimet në qarqet veriore, në krahasim me qarqet jugore, janë dy herë më pak, në vitin 2014. Parashikimi i vitit 2015, referuar shpërndarjes së fondeve të një viti më parë, duhet të jetë më korrekt”, tha nga ana e tij, deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Gjovalin Kadeli. Duke e akuzuar kësisoj qeverinë se nuk ka krijuar një raport të drejtë Veri-Jug të investimeve publike. Por kjo sipas ministrit Ahmetaj, nuk është aspak e vërtetë duke dhënë si argument, pikërisht politikën e ndjekur prej qeverisë për investimet e vitit të ardhshëm, bazuar në financimin e projekteve më të rëndësishme që i shërbejnë gjithë popullatës. Një debat ky i cili është pasuar edhe nga vetë kryetari i komisionit të Ekonomisë, Erjon Braçe, sipas të cilit, “për ta ndarë Shqipërinë është shumë më kollaj, prandaj nuk i duhet fryrë kësaj historie”. “Zoti Kadieli, këtu në këtë komision, ka deputetë, që për tetë vite me radhë në ato zona ku kanë qenë, dhe unë nuk po i përcaktoj ku janë, në Veri apo në Jug të vendit, por për tetë vite me radhë nuk kanë marrë asnjë qindarkë”, apeloi ai, duke dashur në këtë mënyrë që të mos ngrihet më debat mbi preferencat e investimeve publike për vitin e ardhshëm, sipas zonave të vendit.

ARGUMENTIMI

 

Rritja e taksave, Ahmetaj:

Përse duhet që të ndodhë? 

 

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Arben Ahmetaj, sqaroi dje gjithashtu se rritja e tatimit mbi të ardhurat është një politikë, e cila sipas tijnuk synon rritjen e barrës, por vendosjen e drejtësisë fiskale. “Si është e mundur, që një i punësuar të paguajë 15 për qind edhe një sipërmarrës që merr divident të paguajë 10 për qind? Nuk ka arsye, duhet të balancohen. Pra, politika fiskale që kemi ndjekur, ajo paketë modeste në ekuilibrim dhe shumë pozitive në lehtësim  procedurash, është vazhdimësi e drejtësisë fiskale. Kush fiton më pak, patjetër do të paguajë më pak”, sqaroi Ahmetaj. Ai e akuzoi gjithashtu opozitën se përmes deklaratave të rreme, si ajo e taksimit të depozitave po përpiqet qëllimisht të përhapë panik në ekonomi. Sipas tij, edhe rritja e taksës së naftës do të ketë ndikim të papërfillshëm në kostot e biznesit, ndërsa kryetari i komisionit parlamentar të Ekonomisë, Erion Braçe u kujtoi sipërmarrësve një tjetër llogari. “Kush pyet për barrën fiskale dhe kush vjen para këtij komisioni të flasë për barrën fiskale, duhet të ketë parasysh këtë gjë. 635 milionë dollarë që do të shlyhen deri në fund të vitit tjetër borxhe të prapambetura. Kujtoni, barra fiskale e rritur në 2 vjet, ajo që quhet e tillë, është vetëm 36 miliardë lekë, ndërkohë që kemi marrë përsipër të shlyejmë 63.5 miliardë lekë, drejtpërdrejt tek sipërmarrja”, tha Braçe. Kujtojmë se në paketën e re fiskale, qeveria ka rritur nga 10 në 15 për qind tatimin mbi të ardhurat personale veç pagës, ndërkohë që në të njëjtën kohë rritet me 10 lekë për litër taksa e naftës dhe 20 lekë për paketë akciza e cigareve.

PROCESI

 

Pronat, dy fonde

për kompensim

 

Qeveria veç planifikimit të një fondi prej 1.4 miliardë lekë për kompensim financiar për ish-pronarët (pronarët e vjetër) për periudhën 2015-2017, ka vendosur dhe një sipërfaqe prej mbi 23 mijë hektarë për kompensim fizik në qarqet Elbasan, Korçë, Berat dhe Gjirokastër. Sipërfaqja e tokës bujqësore prej 23.368 hektarë tokë bujqësore tashmë është në dispozicion të kompensimit fizik, duke krijuar mundësinë për pronarët e vjetër të tokave, të cilët disponojnë aktet e njohjes së pronave të tyre të zëna, të dhëna sipas ligjit të Tokës 7501 dhe për NB-të e dikurshme. Njësive të qeverisjes vendore në qarqet Elbasan, Korçë, Berat dhe Gjirokastër, që kanë pasur në përdorim këtë fond fizik tokash në pronësi shtetërore, u hiqet kjo e drejtë, sepse në bazë të vendimit më të fundit të Qeverisë ato do të kalojë në dispozicion të AKKP-së (Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave). Ndërkohë, projektibuxheti 2015 parashikon shpenzimet për kompensimin në vlerë për ish-pronarët (pronarët e vjetër), që për periudhën 2015-2017 parashikohen në 1.4 miliardë lekë, prej të cilave, 1 miliardë lekë nga ardhurat e ALUIZNI-t. Kurse sa i pwrket Gjykatës Ndërkombëtare të Strasburgut, vendimet e sw cilws thuajse në të gjitha rastet janë në favor të paditësit, vetëm për një të tillë, në projektbuxhetin 2015 për ministrinë e Financave parashikohet një fond prej 1.2 miliardë lekë, ose 8 milionë euro. Në këto kushte, rishikimi i skemës aktuale të kthimit dhe kompensimit të pronave dhe finalizimit të një pakete masash konkrete që duhet të miratohet edhe nga Gjykata Ndërkombëtare e Strasburgut, përbën kërkesë urgjente. Për këtë qëllim po punon një grup ndërministror dhe ministria e Drejtësisë, ku mes të tjerave, përfundimi në kohë të procesit mbetet mjaft i rëndësishëm.

 

SHKARKO APP