Investimet turke, Ministri i Ekonomisë kërkon rritjen e tyre në Shqipëri

Turqia kërkon të zërë vendin e parë për investimet e huaja në Shqipëri.

Këtë ambicie ka shprehur në Tiranë, Ministri turk i Ekonomisë, Nihat Zeybektci,  gjatë takimeve që zhvilloi me kryeminstrin dhe ministra të qeverisë.

Në një intervistë për gazetaren Ilva Tare, ministri turk zbuloi strategjinë që do të ndiqet për arritjen e objektivit madhor. Zeybektci nënvizoi se shumë shpejt do të ngrihen ekipet teknike mes dy vendeve për të hartuar planin e përbashkët të punës ndërsa ministrat respektivë të ekonomisë do të kenë takimeve të rregullta çdo tre muaj.

“Ne do të takohemi me minstrat një herë në tre muaj dhe unë shumë shpejt do të vizitoj Shqipërinë dhe do të takohem me investitorë të të gjitha fushave, të ushqimit, agrikulturës, energjisë, industrisë, transportit , teknologjisë, turizmit dhe edukimit.

Në një  farë mënyre  do të kemi një lloj forumi ekonomik mes Turqisë dhe Shqipërisë. Marëdhëniet mes dy vendeve janë të mira, por jo dhe aq të mira sa duhet të jenë apo sa ç`pritet të jenë.

Investimet turke në Shqipëri janë në vendin e gjashtë. Turqia duhet të jetë në vendin e parë ose të dytë, sepse ne i kemi të gjitha avantazhet për të qenë në krye. Ne kemi marrëdhënie të mira mes dy vendeve, kemi miqësi të madhe”, u shpreh Nihat Zeybektci.

Pyetjes së gazetares Ilva Tare se a mund te jeni me konkret se në cilat fusha është i nevojshëm përmirësimi ë marrëdhënieve ekonomike, ministry turk u përgjigj:

“Sa u përket fushave ku duhen rritur investimet, janë burimet natyrore, energjia , industria dhe teknologjia. Ne mund të sjellim teknologjinë tonë këtu, pasi siç e dini Turqia është tashmë një ndër ekonomitë më të mëdha në botë dhe e gjashta në Europë, pavarësisht se nuk jemi anëtar i Bashkimit të 28 vendeve.

Ndërkohë tjetër fushë për të rritur investimet është edhe transporti, pasi Shqipëria është porta e Turqisë për në Europë. Gjithashtu turizmi është një tjetër fushë e rëndësishme për investime dhe ne mund të kemi një bashkëpunimi shumë të mirë me Shqipërinë.”

Ministri turk i Ekonomisë, Nihat Zeybektci, vizitoi Tiranën ku zhvilloi takime intensive me minsitra të kabinetit qeveritar dhe kreun e mazhorancës Edi Rama.

Gjatë qëndrimit në kryeqytetin shqiptar, Zeybektci mori pjesë në përurimin e Dhomës së Tregtisë së Turqisë në Shqipëri.

Me ardhjen në pushtet të së majtës, marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Turqisë janë forcuar, ndërsa vizita e kreyministrit të atëhershëm të Turqisë, Rexhep Erdogan, sot president, më 14 maj u shty për shkak të një tragjedie në minierat turke.

SHKARKO APP