Investimi në Zvërnec, Gazment Bardhi: Po fshihen emrat e pronarëve të vërtetë të projektit
Kryetari i grupit parlamentar i PD, Gazment Bardhi mbështet protestën e organizuar kundër investimit në Zvërnec, ndërsa theksoi se protestohet kundër korrupsionit dhe arrogancës qeveritare. Nga foltorja e Kuvendit, Bardhi theksoi se ende nuk është bërë e ditur lista e pronarëve përfitues fundorë. Bardhi theksoi se nuk ka qenë kurrë kundër zhvillimit, por mbështet çdo zhvillim që ruan identitetin e zonës, nuk zhvat pronën e të tjerëve apo pronën e shtetit dhe nuk fsheh përfituesit e tij.
“Jam pro zhvillimit që nuk vjen nga para të pista, siç është bërë kaq e zakonshme në Shqipërinë e Edi Ramës. Unë e kuptoj që çështja e Zvërnecit ka shumë sensibilitete.
Tërheq vëmendje të madhe edhe ndërkombëtare. Por ajo që nuk kuptoj dot është pse Kryeministri i vendit, në një çështje kaq të nxehtë dhe kaq të ndjeshme, fsheh se kush janë pronarët përfitues fundorë”, shtoi ai.
Duke folur për protestën, Bardhi theksoi se protestuesit janë kundër arrogancës së pushtetit. “Jam përpjekur modestisht të lexoj protestën e këtyre ditëve. Ajo që kam mundur të kuptoj është se pelikani kaçurrel, flamingot, zogjtë shtegtarë, flora dhe fauna e pasur e Zvërnecit nuk janë arsyeja kryesore pse një pjesë e mirë e protestuesve janë sot kundër projektit. Ata janë kundër arrogancës së pushtetit. Janë kundër dhunës shtetërore dhe uzurpimit të gjithçkaje vetëm sepse kështu ka urdhëruar Edi Rama. Janë kundër korrupsionit qeveritar. Janë kundër kësaj qeverie. Janë kundër diktaturës së parave të pista”, shtoi ai. Sipas Bardhit, Shqipëria nuk është në sulm nga armiqtë e jashtëm, pro prej 13 vitesh është nën sulmin e keqqeverisjes, korrupsionit dhe abuzimit me pushtetin.
KOHA JONË SONDAZH

