Ish-diplomati britanik: Momentet e ankthit gjatë takimit plot urrejtje Berisha-Meidani

Pas 17 vitesh një ish-diplomat i Mbretërisë së Bashkuar që ka kryer mision diplomatik në Tiranë ka rrëfyer takimin e Rexhep Meidanit dhe Sali Berishës në vitin 1998, ku mes tyre kishte shumë urrejtje.

Jim Warren tregon momentet gjata festës për nder të ditëlindjes së Mbretëreshës së Anglisë dhe, i cili qysh në janar shërbente në përfaqësinë britanike në Tiranë, ishte vendosur në krye të organizimit.

Me një dozë të hollë humori, ai rrëfen tmerrin që kishte ndier ai dhe ambasadori, kur në derë ia kishin behur Presidenti i asaj kohe (Warren nuk përmend emra, por bëhet fjalë për Rexhep Meidanin, President në atë kohë) dhe kreu i opozitës, që kishte qëlluar të ishte më parë President i vendit (Sali Berisha), shkruan “Panorama”.

Dy orët e gjata të ankthit në praninë e 50 truprojave e shoqëruesve të të dyja palëve dhe këndvështrimi i ish­-diplomatit për politikanët shqiptarë.

JIM WARREN

Ishte java e parë e qershorit 1998, në Tiranë, Shqipëri, kur gjithë vëmendja ishte te festa kushtuar ditëlindjes së Mbretëreshës, për organizimin e së cilës isha ngarkuar unë. Edhe pse unë isha drejtuesi i organizimit dhe logjistikës në Ambasadë, e gjithë festa ishte si rezultat i përpjekjeve të mëdha të të gjithë grupit të punës. Duke pasur parasysh rëndësinë e këtij aktiviteti, i gjithë stafi i Ambasadës, që nga shoferi, tek ambasadori, kishin nga një rol, për të ndërtuar të gjithën, ishte ngjarja e vitit për ne. Roli im si drejtues ishte të koordinoja të gjitha fijet, duke siguruar që gjithkush të ishte i qartë për atë ka duhet të bënte, shtuar kësaj porositjen e ushqimit, argëtimin dhe sigurisht, hartimi i listës me të gjithë të ftuarit e rëndësishëm.

Punët po shkonin mirë. Apo ndoshta pak a shumë mirë. Kur dita e marre arriti, ne ishim të gjithë në pozicionet tona, të gjithë të përgatitur dhe të informuar mbi rolin që do të kishte secili gjatë dy orëve të gjata të eventit. Hotel Tirana International kishte bërë një punë të shkëlqyer. Shporta me lule me shumicë, ushqimi ishte servirur në pjata argjendi në stil bufe, përgjatë tarracës, kamerierët me xhaketa të bardha ishin gati për të shërbyer pijet. Për në sfond unë kisha marrë me qira një kuartet muzikor, si dhe një harpiste solo. Për një ngjarje të tillë, protokolli diktonte, që përveç diplomatëve të huaj dhe njerëzve të shquar, duhet të ftonim edhe dy krerët e partive më të mëdha politike, të cilët ishin Presidenti i Shqipërisë, nga partia që qeveriste vendin dhe kreu i partisë rivale në opozitë, që kishte qëlluar të ishte ish­-president i Shqipërisë.

Kishte histori të shëmtuara mes tyre, ata e urrenin njëri-­tjetrin dhe kishte pasur shpërthime serioze dhune dhe gjakderdhjeje mes mbështetësve të të dyja palëve, në të shkuarën e afërt. Pra, duke pasur parasysh urrejtjen e ndërsjelltë, ne nuk e prisnim ardhjen e tyre. Për ne, skenari më i mirë do të kishte qenë që ata të dërgonin përfaqësues të një niveli më të ulët, sa për të qenë të pranishëm dhe më mirë akoma, sikur askush të mos dukej. Kështu pra, mbështetur mbi këto presupozime, unë porosita ushqim për rreth 100 të ftuar.

Asnjë konfirmim pjesëmarrjeje nuk ishte bërë nga të dyja palët, kështu që mendohej se ata nuk do të vinin. Madje as nga telefonatat e minutës së fundit në zyrat përkatëse nuk morëm një përgjigje konfirmuese. Megjithatë, isha gabuar. I pari që u shfaq ishte Presidenti i Shqipërisë në detyrë, i shoqëruar nga një mori truprojash e shoferësh. Ambasadori, i cili kishte menduar se Presidenti nuk do të vinte, në fillim u zu në befasi, por e kapi menjëherë situatën dhe u shpreh se ndihej i nderuar dhe i kënaqur që Presidenti kishte vendosur të pranonte ftesën tonë. Më pas u ngarkova që të shoqëroja atë dhe partinë e tij në një kënd të sallës, në krah të harpistes, e cila u duk se po bëhej shumë nervoze për shkak se ishte aq pranë Presidentit, por më shumë se nga kjo, besoj se ishte prej truprojave të tij, të gjithë të veshur me xhaketa lëkure të zezë dhe xhungave që u dilnin nga poshtë sqetullës.

Nuk kaloi shumë, kur të tjerë zyrtarë mbërritën. Kush ishin ata? Nuk mund t’u besoja syve. Rivali politik i Presidentit, gjithashtu kishte pranuar ftesën tonë. Ai erdhi edhe me më shumë truproja, shoferë e mbajtës xhakete. Përse kishte ardhur ai? Ndoshta ai kishte marrë vesh që Presidenti do të vinte. Mos ishte kjo një mënyrë për t’u përballur?

Tashmë qartësisht i tronditur ambasadori i shprehu edhe atij sesa i nderuar dhe i kënaqur ndihej që kishte vendosur të pranonte ftesën tonë. Edhe një herë, ambasadori më ngarkoi që të shoqëroja kreun e opozitës dhe shoqëruesit e tij, në krahun tjetër të harpistes që luante. E gjora vajzë! Nuk e kisha fare idenë se çfarë pjese shqiptare po luante, por ritmi i interpretimit të saj u bë më i shpejtë. Në atë moment, unë nuk mendoja se një harpë do të shërbente mjaftueshëm si një barrierë, nëse dy fraksionet kishin vendosur të “vizitonin” njëri­tjetrin.

Megjithatë, shqetësimi im më i madh nuk ishte konfrontimi, por ushqimi. Kisha porositur për vetëm 100 veta dhe tashmë me të ardhurit e fundit, numri kishte shkuar në 150. Tmerri i tmerreve, sikur do të na mbaronte ushqimi e pijet që herët, do të ishte një gabim fatal i shkallës së parë në mbrëmje për nder të ditëlindjes së Mbretëreshës. Nëse kjo do të ndodhte, unë isha në telashe. Edhe sikur kjo të mos ishte e keqja e vetme, kishim dy fraksione, që nga çasti në çast mund t’i hidheshin në fyt njëri­-tjetrit, një harpiste të tmerruar, e cila po rraskapitej me shpejtësinë e interpretimit të saj dhe një ambasador që dukej tepër i shqetësuar nën një tendë, në cep. Përfundimisht, gjërat po merrnin për keq. Tash mund ta shihja fundin e karrierës sime, përpara se të niste mirë; unë isha përgjegjësi dhe nëse gjërat shkonin keq, gjithçka do të binte mbi mua.

Atmosfera e ankthshme vazhdoi deri në momentin e fjalimeve (fatmirësisht shumë të shkurtra), të cilat, si ambasadori, ashtu edhe Presidenti i menaxhuan të mbaheshin pa incidente apo ndërprerje. Në fund të fjalimeve, pasuan interpretimet e dy himneve kombëtare, që u pasuan shumë shpejt me largimin e Presidentit dhe përfaqësuesve të partisë së tij. Disa minuta më vonë, pasi ishin njoftuar që karvani i makinave të Presidentit kishte lënë hotelin dhe tashmë ndodheshin larg në distancë, edhe kreu i opozitës bashkë me enturazhin e vet u largua. Të dyja palët, fatmirësisht (për mua), nuk kishin prekur asnjë ushqim, duke u kufizuar te pije të lehta dhe ujë me akull. Çlirimi im ishte i dukshëm. Rezultoi të ishte një festë e mirë, duke parë edhe rrethanat e papërshtatshme dhe miqtë e papritur. Tek e fundit, ambasadori ishte i kënaqur me zhvillimin e ngjarjeve, dhe kjo ishte kryesorja.

Ky kishte qenë një rast i mirë për mua, për të mësuar të gjitha kthesat, duke qenë se isha i destinuar të organizoja shumë festa të tilla në të ardhmen, në vende të ndryshme dhe në rrethana me të vërtetë ekstreme.

Shënim: Sigurisht më duhet t’u jem mirënjohës të dyja fraksioneve që u treguan të përmbajtur në atë rast. Vetëm disa muaj pas organizimit të festës, ndodhi një vrasje brutale politike dhe krerët e të dyja palëve dolën në rrugë dhe drejtuan protesta shkatërruese dhe të përgjakshme. Këto trazira rrezikuan ta çonin vendin në luftë civile dhe në të njëjtën kohë, e nxorën stafin e Ambasadës në linjën e zjarrit.

SHKARKO APP