Ish-pronarët, si do ndahen paratë e kompensimit?
“Kompensimi të bëhet vetëm për sipërfaqe deri 200 m2, të sipërfaqes truall të caktuar për kompensim, në bazë të çmimit të përcaktuar në hartën e vlerës, të miratuar sipas vendndodhjes së
pronës që kompensohet”. Ky është vetëm njëri nga rregullat dhe kriteret për shpërndarjen e fondit të kompensimit në të holla për kategorinë e ish-pronarëve për vitin 2014, përcaktuar nga qeveria me anë të një vendimi të posaçëm i cili tashmë është publikuar edhe në Fletoren Zyrtare, duke marrë kësisoj fuqi ligjore. Për të vijuar më tej me kriterin se subjektet, të cilat kanë depozituar kërkesat e tyre në vitet 2006, 2007, 2008, 2009, 2011, 2012 dhe 2013 dhe që vërtetojnë kryerjen e pagesës, nuk paguajnë tarifën e aplikimit për vitin 2014. “1. Subjektet e shpronësuara, prona e të cilave është njohur për kompensim, të kompensohen sipas radhës kronologjike, të përcaktuar nga numri dhe data e vendimit, vetëm nëse vendimi është përfundimtar, i ekzekutueshëm dhe nuk është trajtuar asnjëherë me kompensim”, përcakton gjithashtu vendimi në fjalë. Duke vijuar më tej se në rastet kur vendimi është ndryshuar pjesërisht, për efekt klasifikimi, për njohjen, kthimin dhe kompensimin e asaj prone do të merren për bazë numri dhe data e vendimit më të hershëm në radhë kronologjike. Gjithashtu, vendimi në fjalë sqaron se paraqitja e të dhënave të rreme ose fshehja e tyre nga subjektet e shpronësuara, në zbatim të këtij vendimi, sjell përjashtimin e menjëhershëm të këtyre subjekteve nga procedura e kompensimit, në të holla, dhe i ngarkon ata me përgjegjësi penale, sipas legjislacionit në fuqi. Ndërkaq, për të gjithë ata ish-pronarë të cilët nuk kanë mundur të përfitojnë kompensim në të holla për vitin 2013 nga Aagjencia e Kthimit të Pronave për arsye të ndryshme, kërkuesit duhet të pohojnë vullnetin e tyre, nëpërmjet një kërkese të re për kompensim, të shoqëruar me dokumentet e parashikuara në këtë vendim. “Procesi i regjistrimit/pranimit të kërkesave për kompensim fillon 5 ditë pas datës së hyrjes në fuqi të këtij vendimi dhe vazhdon për 1 muaj”, përfundon VKM-janë fjalë.
DOKUMENTACIONI
Subjekti duhet të plotësojë dhe të paraqesë
pranë AKKP-së dokumentat e mëposhtme:
a)Kërkesën për kompensim në të holla, sipas formularit 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi;
b)Deklaratën për pranimin e kritereve për kompensim, dhe të kushteve të tjera që lidhen me to, sipas formularit 2, që i bashkëlidhet këtij vendimi;
c)Titullin për njohjen dhe kompensimin e pronës, që, sipas rastit, mund të jetë vendim i Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, vendim i Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave si dhe vendim i gjykatës, në rastet kur vendimet e sipërpërmendura janë ndryshuar në rrugë gjyqësore;
ç)Plan-vendosjen përkatëse, bashkëlidhur vendimit, si dhe planin e rilevimit aktual të pronës së njohur për kompensim;
d)Dëshminë e trashëgimisë;
dh)Prokurë, të nënshkruar nga të gjithë trashëgimtarët e ligjshëm, ku si tagër i nevojshëm të jetë dhe e drejta për të tërhequr vlerën financiare, në emër të tyre, në rast se shpallen fitues;
e)Dokumentin e identifikimit (letërnjoftim apo pasaportë) të përfaqësuesit të pajisur me prokurë;
ë)Mandat-pagesën.
******
Subjektet që kanë aplikuar për kompensimin në të holla në vitet 2008, 2009, 2011, 2012 dhe 2013 duhet të paraqesin
dokumentacionin, si më poshtë vijon:
a)Kërkesën për kompensim financiar, sipas formularit 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi;
b)Deklaratën për pranimin e kritereve për kompensim dhe të kushteve të tjera që lidhen me to, sipas formularit 2, që i bashkëlidhet këtij vendimi;
c)Dëshminë e trashëgimisë, nëse ka ndryshime në rrethin e trashëgimtarëve të ligjshëm të subjektit të shpronësuar, sipas radhës së trashëgimtarëve, të përcaktuar në Kodin Civil;
ç)Prokurën e posaçme, nëse ajo e paraqitur në vitet 2008, 2009, 2011, 2012 apo 2013 ka kufizimin në kohë për tagrin e tërheqjes së shumës në të holla dhe ndryshimin e rrethit të trashëgimtarëve të subjektit të shpronësuar.
PROCEDURAT
Veprimet që kryen AKKP-ja
për të të kompensuar me para:
a)Verifikon dosjen dhe vendimin përkatës, të dhënë nga Komisioni i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave ose Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave;
b)Kërkon nga zyrat vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme që brenda 10 ditëve, të konfirmojnë për:
i)regjistrimin e vendimit përkatës në ZVRPP;
ii)përcaktimin e gjendjes juridike aktuale të pronës dhe verifikimin nëse ajo ka ndryshuar nga momenti i daljes së vendimit me të cilin aplikohet;
iii)verifikimin e ushtrimit të së drejtës së parablerjes.
c)Në rastin kur është e nevojshme, grupi i punës kryen verifikimin në terren të gjendjes së pronës dhe mban procesverbalin përkatës;
ç)Përgatit plan-vendosjen e pronës që kompensohet dhe cakton:
i)në hartën e vlerës, zonën ku ndodhet prona;
ii)në bashkëpunim me subjektin e shpronësuar, pjesën e pronës, që kërkohet për t’u kompensuar, sipas masës që përcaktohet në pikën 2, të këtij vendimi, dhe i kërkon përfaqësuesit me prokurë të nënshkruajë për pjesën që kompensohet.
d)Llogarit vlerën e sipërfaqes që kompensohet;
dh)Përgatit vlerësimin ligjor ku, për secilin subjekt kërkues, shpjegohen me hollësi:
i)vlefshmëria e vendimit të paraqitur nga kërkuesi;
ii) konfirmimet e zyrës vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme;
iii) vlerësimi i pronës për kompensim.
e)Merr vendimin për pranimin apo refuzimin e kërkesës për kompensim të subjektit të shpronësuar. Për të gjitha kërkesat, me objekt kompensimin në të holla, të vendimeve që nuk
përfitojnë kompensim për arsye të pamjaftueshmërisë së fondit të vënë në dispozicion, AKKP-ja do të bëjë lajmërim publik;
ë)U dërgon subjektit të shpronësuar, Avokaturës së Shtetit dhe zyrës vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme kopje të vendimeve të dhëna, për t’u krijuar mundësi të ushtrojnë
kompetencat ligjore;
f)Shpall listën e subjekteve fituese;
g)Kryen veprimet me thesarin dhe bankën për kalimin e fondit të kompensimit, në të holla, në emër të subjektit të shpronësuar, përfitues të kompensimit, apo përfaqësuesit të tij me prokurë, në përputhje me procedurat për zbatimin e buxhetit të shtetit.