ISIS nuk po e fiton luftën e ideve

 

Ideologjia e ISIS do të përfundojë, pa dyshim, si ajo e nazistëve. Idetë janë shumë të mira, por luftërat fitohen në botën materiale. Ashtu si nazistët dhe komunistët sovjetikë, ISIS nuk ekziston në një vakuum ideologjik. Rebelimi i ISIS u shfaq dhe vazhdon të fuqizohet prej politikës thellësisht jofunksionale të Irakut dhe Sirisë, si dhe prej makinacioneve të fuqive rajonale dhe globale. Dhe ashtu si nazizmi dhe komunizmi sovjetik, lloji i xhihadizmit të ISIS-it nuk do të zhduket vetëm prej ideve. ISIS do të vazhdojë të paraqesë një rrezik ideologjik, sa kohë që mban një territor dhe ekziston si entitet. Humbja më vendimtare e ideve të tij, me siguri që do të përkojë me humbjen në fushëbetejë

Nga J. M. Berger* 

“Shtetet e Bashkuara janë përfshirë në një luftë idesh – dhe po humbasin”. Ky refren tingëllon si modern, por ai ka jehuar në pjesën më të madhe të historisë së Amerikës. Argumenti se SHBA po humbet një luftë të ideve, apo rrëfimeve, përballë ISIS, është vetëm përsëritja më e fundit. Siç ka shkruajtur Scott Atran së fundmi tek “The Daily Beast”, fushatat e ndryshme ushtarake kundër Shtetit Islamik, fshehin “një fakt qendror dhe ndoshta përcaktues në lidhje me luftën” – dhe që është, që “kjo është në themel një luftë idesh, të cilën Perëndimi as nuk e ka idenë se si ta luftojë, dhe që është një prej arsyeve më të mëdha përse politikat anti-ISIS, deri më sot, kanë qenë një dështim total”. Legjenda, sipas të cilës, narrativa e Amerikës po humbet përballë asaj të ISIS vazhdon, pavarësisht faktit që miliona njerëz po largohen prej territoreve të ISIS, ndërkohë që janë thjeshtë disa mijëra ata që kanë shkuar t’i bashkohen atij grupi. Ajo vazhdon, pavarësisht faktit që simpatizuesit ideologjikë të Shtetit Islamik përbëjnë më pak se 1% të popullsisë së botës, duke përdorur këtu, qoftë edhe vlerësimet më alarmues, si dhe faktin që pjesëmarrësit aktivë dhe vullnetarë të kalifatit janë më pak se 0.1 përqind.

Në SHBA, nocioni i “luftës së ideve” i ka rrënjët që në Luftën Revolucionare. Fraza është shfaqur gjatë Luftës Civile, në kontekstin e skllavërisë, dhe u rikthye gjatë Luftës së Parë. Termi nisi të përmendet gjithnjë e më shumë teksa SHBA hyri në Luftën e Dytë Botërore, dhe u bë pjesë e diskursit politik amerikan gjatë Luftës së Ftohtë. Lufta Koreane ishte luftë idesh; e tillë ishte edhe ajo e Vietnamit. Dhe në çdo epokë, ka rënë po e njëjta këmbanë alarmi. Në vitin 1941, Vera Dean, drejtuese e kërkimeve në Foreign Policy Association, bëri thirrje për një “ofensivë ideologjike” kundër nazistëve. “Nuk mjafton as që britanikët, me ndihmën e amerikanëve, të ndjekin qëllimet e tyre të luftës, dhe që janë shtypja e Hitlerizmit”, thoshte ajo në një fjalim, “sepse rënia apo humbja e Hitlerit nuk do të zgjidhte problemet politike, ekonomike dhe sociale që qëndrojnë në rrënjë të luftës aktuale”. Në vitin 1943, Rabini Barnett Brickner, një figurë e spikatur në programin e kapelanëve në SHBA, ankohej se trupat amerikane ishin “të ngatërruara” në lidhje me objektivat e luftës. “Kjo është një luftë idesh, si edhe armësh”, thoshte ai, dhe trupat e SHBA ishin në një “disavantazh të tmerrshëm kundër një armiku të indoktrinuar çmendurisht”. Siç doli, një forcë ushtarake “e ngatërruar” ishte në gjendje që të hidhte në erë ideologjinë e Hitlerit. Narrativa e udhëheqësit gjerman për epërsinë eracës arjane, u eleminua në pjesën më të madhe prej humbjes së Gjermanisë në luftë. Ndonëse vazhdojnë të ekzistojnë simpatizues të nazizmit, dhe ndonëse disa prej tyre vazhdojnë të shfaqin një forcë politike alarmuese, pushtimi i Gjermanisë naziste në fushëbetejë çrrënjosi edhe vetë ideologjinë.

Shembulli i nazistëve është veçanërisht udhëzues kur krahasohet me rastin e ISIS. Ndoshta dhjetëra-mijëra amerikanë ishin simpatizantë të ideologjisë naziste, duke përfshirë figura kombëtare të rëndësishme, si Henry Ford dhe Charles Lindbergh, elitat akademike, dhe shumë të tjerë, madje edhe banorë të qyteteve të tërë amerikanë. Krahasuar me ata, ISIS ka regjistruar vetëm fitore të papërfillshme në luftën e ideve. FBI po kryen aktualisht qindra hetime për të dyshuar si mbështetës të ISIS në SHBA, dhe ndjekësit e përkushtuar të grupit në SHBA me gjasë as një mijë nuk janë (kur krahasoni këtë shifër me numrin e simpatizuesve të nazistëve, mbani parasysh që popullsia e SHBA është dyfishuar që atëherë). Nuk ka qytete të ISIS në Amerikë. ISIS nuk gjen mbështetje nga njerëz të famshëm apo kampionë të industrisë në Amerikë. Mbështetësit e ISIS nuk ftohen në simpoziume akademikë prestigjozë – as në Amerikë dhe as në Lindjen e Mesme. Kur përfundoi Lufta e Dytë, komunizmi u shfaq si armiku i ri i Amerikës në luftën e ideve. Institucionet që ishin krijuar për të luftuar ideologjinë naziste u zgjeruan për të adresuar këtë sfidë të re. Atëherë, ashtu si tani, mediat ishin një komponent në atë luftë. Në aktivitetin e përvitshëm “Letër nga Amerika”, amerikanët mblidheshin, lagnin pulla poste me pështymë dhe u shkruanin letra miqve dhe të afërmve jashtë vendit. “Këto letra mund të shkruhen në mënyrë rastësore, për punët e përditshme”, shkruante Nju Jork Tajms në atë kohë, “megjithatë, në mënyrën e tyre të thjeshtë, të sinqertë dhe të drejtpërdrejtë, ato përçojnë një mesazh shumë të rëndësishëm. Sepse ato nuk tregojnë asgjë më pak, se sa historinë e Amerikës”.

Pavarësisht këtyre përpjekjeve, Carleton Smith i Fondacionit Kombëtar të Artit paralajmëronte zymtë në vitin 1952, se “ne po fitojmë konfliktin ekonomik dhe ushtarak (kundër Bashkimit Sovjetik), por po humbasim luftën e ideve”. Kjo ide vazhdoi deri në vitet tetëdhjetë. “SHBA rrezikon të humbasë luftën e ideve në Europën Lindore”, paralajmëronte Fondacioni Heritage në vitin 1986, vetëm tre vite para rënies së Murit të Berlinit. Më pas, SHBA i mundën sovjetikët (dhe versionin e tyre të komunizmit). Por ashtu si me nazistët, fitorja nuk bazohej vetëm tek narrativat; në lojë hyri një shumësi faktorësh ushtarakë, politikë dhe ekonomikë. Ky udhëtim i shkurtër nëpër histori nuk ka për qëllim që të nënvlerësojë luftën kundër ISIS-it dhe ideologjisë së tij shkatërrimtare. Por ai tregon një keqkuptim të rëndë në lidhje me atë luftë. ISIS nuk ka sukses për shkak të forcës së ideve të veta. Në vend të kësaj, ai shfrytëzon një botë gjithmonë e më të rrjetëzuar, për të shitur ideologjinë e tij të dhunshme dhe apokaliptike tek një pakicë mikroskopike – njerëz që janë në gjendje të zbulojnë njëritjetrin nga distanca dhe të organizojnë aksione kolektivë, në mënyra që kanë qenë të pamundura përpara shfaqjes së Internetit. Ajo shtrirje, dhe qasja e disiplinuar e grupit sa i përket nxitjes së rekrutimeve online përmes mediave sociale, i mundëson ISIS-it që të “gjuajë” mes miliona njerëzve, për të gjetur disa mijëra, që janë të gatshëm ta pranojnë mesazhin e tij.

Ai mund të identifikojë  dhe mobilizojë përqindje të papërfillshme në skajet e shoqërisë; për arsye se shoqëria është shumë e madhe, këto shifra mund të tingëllojnë mbresëlënëse, nëse shkëputen nga konteksti. ISIS po arrin disa prej objektivave të veta në luftën e ideve, por kjo nuk është njësojë si të fitosh me meritë. Siç shkruan Uill McCants tek “Apokalipsi i ISIS”, reduktimi i “joshjes prej ISIS është i pakuptimtë, sepse nuk ekziston joshja masive prej ISIS”. Në vend të kësaj, përpjekjet duhet të përqëndrohen në ndërprerjen e proçesit që ISIS përdor për të mobilizuar pakicën e tij. Ideologjia e ISIS do të përfundojë, pa dyshim, si ajo e nazistëve. Idetë janë shumë të mira, por luftërat fitohen në botën materiale. Ashtu si nazistët dhe komunistët sovjetikë, ISIS nuk ekziston në një vakuum ideologjik. Rebelimi i ISIS u shfaq dhe vazhdon të fuqizohet prej politikës thellësisht jofunksionale të Irakut dhe Sirisë, si dhe prej makinacioneve të fuqive rajonale dhe globale. Dhe ashtu si nazizmi dhe komunizmi sovjetik, lloji i xhihadizmit të ISIS-it nuk do të zhduket vetëm prej ideve. ISIS do të vazhdojë të paraqesë një rrezik ideologjik, sa kohë që mban një territor dhe ekziston si entitet. Humbja më vendimtare e ideve të tij, me siguri që do të përkojë me humbjen në fushëbetejë.

*"The Atlantic" – Bota.al

SHKARKO APP