Italia pezullon marrëveshjen Schengen me Spanjën
Si reagim ndaj fluksit të madh të migrantëve në enklavën spanjolle të Ceutës Italia pezulloi marrëveshjen Schengen me Spanjën. Edhe Franca synon të ashpërsojë kontrollet kufitare.
Italia pezulloi marrëveshjen Schengen me Spanjën për shkak të dhjetëra-mijëra migrantëve që mësynë në enklavën spanjolle të Ceutës. Ministria e Brendshme italiane njoftoi se do të rikthehen kontrollet kufitare për trafikun ajror dhe detar, gjë që praktikisht do të thotë mbyllje e kufirit. Masat pritet të hyjnë në fuqi të shtunën (01.08.) dhe fillimisht do të jenë në fuqi një muaj.
Meqenëse Italia dhe Spanja nuk kanë kufi tokësor të përbashkët, masa prek pasagjerët që udhëtojnë me avion ose anije. Ministria e Brendshme italiane bëri të ditur se policia kufitare do të kryejë “kontrolle të qëllimshme dhe selektive” ndaj shtetasve të vendeve të treta që vijnë nga Spanja.
Meloni: “Nuk do të rrimë duarkryq”
Para njoftimit të këtij vendimi kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, kiishte shkruar në platformën X se “Italia nuk do të rrijë duarkryq” dhe do të pezullojë zbatimin e marrëveshjes Schengen me Spanjën. Sipas saj pamjet nga Ceuta tregojnë se “imigracioni i paligjshëm dhe i pakontrolluar përbën një kërcënim konkret për sigurinë e kufijve europianë”.
Franca synon të ashpërsojë kontrollet kufitare
Edhe Franca, vend fqinjë i Spanjës, njoftoi se do të vendosë masa më të rrepta kontrolli në kufi. Ministri i Brendshëm, Laurent Nuñez, deklaroi në platformën X se kishte dhënë udhëzime për të “forcuar menjëherë kontrollet në kufirin me Spanjën”.
Sipas Nuñez kontrollet kufitare ekzistojnë tashmë dhe janë forcuar më tej gjatë muajve të fundit. Nëse do të ketë lëvizje të migrantëve drejt territorit francez, do të merren masa shtesë.
Merz kërkon mbrojtjen e kufijve të jashtëm të BE-së
Edhe kancelari gjerman Friedrich Merzu shpreh lidhur me situatën. Në një deklaratë të Zyrës së Kancelarit thuhet se mbrojtja e kufijve të jashtëm të Bashkimit Evropian është vendimtare për luftimin e migracionit të paligjshëm dhe se të gjitha shtetet anëtare të BE-së duheht ta përmbushin këtë detyrim. Sipas deklaratës Gjermania është në kontakt të vazhdueshëm me qeverinë spanjolle për zhvillimet.
Merz theksoi se Spanja duhet ta rivërë sa më shpejt nën kontroll situatën në Ceuta. “Prandaj përshëndes synimin e Spanjës që të mos lejojë migrantët e paligjshëm të hyjnë në kontinentin evropian”, deklaroi ai.
Më tej kancelari gjerman shtoi se nga Maroku pritet që “t’i ripranojë menjëherë migrantët e paligjshëm” që kanë kaluar në territorin spanjoll.
dpa, AFP, Reuters agjenci
KOHA JONË SONDAZH

