Izraeli godet edhe Jemenin pas Libanit. Irani në gatishmeri, SHBA gati për sulm
Ushtria izraelite nuk ndalon. Izraeli njoftoi se kishte bombarduar objektivat e grupeve Houthi në Jemen këtë të diel, duke zgjeruar konfrontimin e tij me aleatët e Iranit në rajon, dy ditë pasi vrau liderin e Hezbollahut, Sayyed Hassan Nasrallah në Liban. Sulmet ajrore shënjestruan portin Hodeidah të Jemenit si përgjigje e goditjeve me raketa që Houthi ka bërë ndaj Izraelit ditët e fundit. Ky zhvillim ka shtuar frikën se luftimet në Lindjen e Mesme mund të dalin jashtë kontrollit dhe të tërheqin në konflikt Iranin dhe aleatin kryesor të Izraelit, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ministria e shëndetësisë e drejtuar nga Houthi tha se të paktën 4 persona u vranë dhe 29 u plagosën nga sulmet izraelite. Sulmet ndodhën teksa Izraeli goditi më shumë objektiva në Liban, ku bombardimet e intensifikuara prej dy javësh kanë vrarë një varg liderësh të lartë të Hezbollahut dhe kanë dëbuar qindra mijëra njerëz nga shtëpitë e tyre. Izraeli u zotua këtë të diel të vazhdojë sulmin e tij.
“Ka humbur kokën dhe ne duhet të vazhdojmë të godasim fort Hezbollahun” – tha shefi i shtabit ushtarak të Izraelit, Herzi Halevi.
Ndërkohë ushtria amerikane tha të dielën se po rrit aftësitë e saj të mbështetjes së operacioneve ajrore në Lindjen e Mesme dhe se po vendos trupa shtesë në gjendje gatishmërie për dislokim të mundshëm në rajon, ndërsa paralajmëroi Iranin kundër zgjerimit të konfliktit.
Njoftimi erdhi dy ditë pasi Presidenti Joe Biden udhëzoi Pentagonin të riorganizojë forcat amerikane në Lindjen e Mesme mes shqetësimeve në rritje se vrasja nga Izraeli e udhëheqësit të Hezbollahut, të mbështetur nga Irani mund të shkaktojë reagime hakmarrëse nga Teherani.
“Shtetet e Bashkuara janë të vendosura të frenojnë Iranin dhe grupet e mbështetura nga Teherani nga shfrytëzimi i situatës së tanishme apo përpjekjet për zgjerim të konfliktit”, tha përmes një deklarate zëdhënësi i Pentagonit, gjeneralmajori Patrick Ryder.
Ai paralajmëroi gjithashtu se nëse Irani apo grupet që mbështeten nga Teherani “përdorin këtë moment për të vënë në shënjestër personelin amerikan ose interesat amerikane në rajon, Shtetet e Bashkuara do të marrin çdo masë të nevojshme për të mbrojtur njerëzit tanë”.
Deklarata e Pentagonit ofroi pak të dhëna mbi nivelin e mbështetjes, që do të ofrojë për mbështetje të operacioneve ajrore në Lindjen e Mesme, duke thënë vetëm se “ne do të përforcojmë më tej aftësitë tona të mbrojtjes ajrore në ditët në vijim”.
Nga frika e ndonjë goditje precize izraelit udhëheqësi suprem iranian Ayatollah Ali Khamenei u zhvendos në një vend të sigurt në Iran pas vrasjes së Nasrallah, thanë burimet për Reuters.