Izraeli – një vend simbol i inovacionit
Nga Adrian Civici
Libri “Kombi që u lind – Historia e mrekullisë ekonomike izraelite” i sapobotuar nga Shtëpia botuese UET Press, me autorë Dan Senor dhe Saul Singer, është një dritare e mrekullueshme për të hyrë në brendësi dhe kuptuar në thelbin e asaj që tashmë cilësohet si një mrekulli ekonomike e Izraelit, e cila i ka rrënjët tek inovacioni, teknologjitë e reja dhe start-up, këtë karakteristikë specifike speciale të një populli mjaft inovativ e largpamës në modelin dhe instrumentet e tij të preferuara të zhvillimit. Siç e nënvizojnë autorët, “ky libër është pjesërisht shpjegim, pjesërisht argumentim dhe pjesërisht rrëfim” për historinë, kulturën dhe efektet e mrekullueshme të start-up nation, siç ka filluar të quhet rëndom Izraeli.
Kur flasim për ekonominë apo modelet më të suksesshme në zhvillimin ekonomik e social të një vendi, nuk ka asnjë dyshim që Izraeli shfaqet si një rast befasues, si një shembull suksesi, si një model që i bën të gjithë të reflektojnë thellë se cilat janë rrugët, politikat dhe instrumentet më eficiente drejt zhvillimit modern. Përtej asaj që shohim apo dëgjojmë për Izraelin në imazhet dhe komentet mediatike, sociale, politike, fetare apo ushtarake, që të krijojnë përshtypjen se problematika kryesore e këtij vendi është thjesht garantimi i paqes dhe eliminimi i konflikteve me natyrë terroriste, fetare e territoriale, përtej kësaj perdeje gjeopolitike shfaqet një Izrael tjetër. Shfaqet një vend dhe një popull që tashmë cilësohet si “startup nation”, si simbol ndërkombëtar i financimit të inovacioneve, i universiteteve ekselente në sferën shkencore e teknologjike, si model i sinergjisë ndërmjet botës akademike dhe sektorëve industrialë, si vendi ku kërkimi dhe zhvillimi dominon ndjeshëm mentalitetin dhe qëllimet, sidomos të të rinjve. Mrekullia inovative dhe teknologjike izraelite po çudit botën, ndërkohë që po e rendit Izraelin në top-listën e vendeve më të zhvilluara.
Që në vitin 1922, Albert Einstein kishte profetizuar duke thënë se “populli hebre nuk mund të mbijetonte veçse duke zhvilluar njohuritë dhe teknologjitë”. Sot, duket se këto fjalë të Einstein janë vërtetuar. Sipas një studimi të Start-up Compas, Izraeli është bërë qendra e dytë botërore e teknologjive të reja. Aktualisht, në Izrael ka rreth 4000 start-up, ose një start-up për çdo 2000 banorë, që përbën densitetin më të madh dhe më impresionues në botë në këtë drejtim. Tashmë “Silicon Wadi” është bërë vendi i preferuar i korporatave shumëkombëshe ndërkombëtare të specializuara në teknologjitë e reja dhe inovacionin. Intel, Google, Apple etj., janë instaluar dhe gjenden në të gjitha qytetet si Tel-Aviv, Jerusalem, Haifa, etj. Çdo vit, nga këto qendra ekselence dalin produkte apo sisteme që përdoren menjëherë në gjithë botën, si p.sh., procesorët Centrino, Google Suggest etj.
Po cilat janë arsyet ekonomike, sociale, kulturore e psikologjike që fshihen mbrapa këtyre sukseseve spektakolare të këtij të këtij fenomeni unik në këtë vend prej vetëm 8.2 milionë banorësh, të cilin kanë filluar ta cilësojnë edhe si “Izrael valley”, pasi Izraeli disponon një nga rrjetet dhe sistemet inovative më të rëndësishme në botë mbas Silicon Valley në SHBA? Ajo që po ndodh në këtë vende në dy dekadat e fundit është një fenomen unik. Fjala “dinamizëm” po bëhet simbol i çdo njeriu, veçanërisht të rinjve. Gjithkush ka në mendje dhe përpiqet çdo ditë që “të zhvillojë një projekt”. Yossi Vardi, një sipërmarrës i shquar izraelit, duke u përpjekur t’iu shpjegonte gazetarëve të “Wall Street Journal” këtë frymë të përgjithshme që mbretëron në vend, i kërkoi një kamerieri që po shërbente kafe në një lokal në Tel-Aviv se “çfarë bënte ai mbas punës”? Përgjigjja ishte mjaft lakonike “përgatis një diplomë të specializuar në gjuhët e huaja, në mënyrë që të krijojë një startup të specializuar për përkthime…besoj se të gjithë kolegët dhe miqtë e mi do t’ju jepnin pak a shumë të njëjtën përgjigje…kjo është gjëja më e zakonshme…të gjithë janë të prekur nga ethet e sipërmarrjes dhe inovacionit”.
Përse ndodh një fenomen i tillë? Falë kombinimit të disa faktorëve që pa asnjë dyshim, janë unikë në botën e sotme. Nëpërmjet 21 qendrave të kërkim-zhvillimit, të tilla si Instituti Weizman, qeveria financon “në mënyrë mjaft bujare” çdo përpjekje e iniciativë mbrapa së cilës qëndron një objektiv inovativ apo një hap drejt teknologjive më të reja. Universitetet në Izrael klasifikohen tashmë në listën e universiteteve më të mira të botës, sidomos në sferën e kërkimit shkencor dhe lidhjen e ngushtë organike me botën industriale, shërbimeve dhe asaj financiare. Shteti investon çdo vit mbi 5 % të Prodhimit të Brendshëm Bruto për kërkim zhvillimin. Por, përtej arsyeve “teknike”, ka dhe një shpjegim tjetër që hedh dritë mbi këtë startup nation, arsyet me natyrë kulturore. Ekspertët e fushës evidentojnë dhe një fakt tjetër, në dukje i zakonshëm, “edukimin që në fëmijëri me inovacionin dhe iniciativën për të zbuluar apo përmirësuar gjithçka në aktivitetin dhe jetën e përditshme. Edukimi me domosdoshmërinë për sukses, me shijen e ambicies, me disiplinën e standardeve që duhen arritur patjetër etj., janë pjesë integrale e kulturës izraelite. Gjithkush edukohet dhe nxitet nga familja apo shoqëria që mbas shkollës së mesme apo universitetit duhet me çdo kusht dhe kudo ku është e mundur të ndërtojë një startup të vetin. Fjalia çelës që dëgjohet më rëndom në universitetet e vendit është “të mësosh sipërmarrjen”.
Por, ndryshe nga sa mendohet se Izraeli është bërë vendi i startup në këto dy dekadat e fundit, në universitetin publik të Tel Aviv të shpjegojnë se “në një farë kuptimi dhe vetë krijimi i Izraelit apo zhvillimi i vazhdueshëm i tij është një lloj startup”.Në një kontekst gjeopolitik, fetar, historik e territorial mjaft kompleks e të komplikuar, çdo banor i këtij vendi duhet të japë çdo ditë prova kreativiteti e inovacioni për të garantuar mbijetesën dhe zhvillimin. Shpirti sipërmarrës nxitet, mbështetet dhe nga elementë të tjerë kulturorë e tradicionalë, si “kultura e përgjegjësisë, komunikimit në grup dhe përgjegjësisë për fatin e vendit dhe të ardhmen e tij…..nga mungesa e kultit të autoritetit dhe hierarkisë burokratike që lehtëson dhe i krijon hapësira e mbështetje çdo iniciative kreative…në Izrael dështimi nuk shihet si diçka e keqe dhe e rëndë nga pikëpamja sociale, por përkundrazi si mësimi më i mirë që ti je në rrugën e kërkimit të suksesit. Në bisedat e sipërmarrësve më shumë vend zënë “oportunitetet e parealizuara sesa sukseset e arritura”. Në Izrael nënvizohet jo pa humor se “në vendet e tjera, një fetus vlerësohet si qenie e gjallë kur ai lind, ndërsa në Izrael apo për hebrenjtë në përgjithësi, ai mbetet fetus deri në momentin kur bëhet avokat, financier apo tregtar. Aktualisht është shtuar dhe cilësimi deri sa ai të krijojë një startup”!
Rrënjët e inovacionit fillojnë me bujqësinë dhe industrinë ushtarake për të vazhduar me elektronikën dhe teknologjitë e reja, sidomos falë mbështetjes së fortë shtetërore, sipërmarrjeve e korporatave të mëdha, universiteteve dhe kapitalit human që aktualisht përbën pasurinë më të madhe dhe më eficente të Izraelit. Por, në 20 vitet e fundit ky mekanizëm ka ndryshuar. Aktualisht, çdo individ, pavarësisht nga mosha apo statusi social e profesional ndjehet i nxitur dhe motivuat që “të prodhojë një produkt inovativ”. Falë internetit, ngritja e një startup kërkon thjesht dhe vetëm “një ide të mirë..një grup njerëzish me të njëjtin motiv rreth një tavoline dhe një abonim në Amazon Web Services për infrastrukturën e rrjetit”. Pengesat për të krijuar një startup kanë rënë njëra pas tjetrës. Sektori publik dhe ai privat e luajnë me shumë efikasitet rolin e tyre, në vend ka shumë “business angels” apo inkubatorë biznesi, ndërkohë që një nga gjërat më të mundshme për çdo individ konsiderohet “gjetja e fondeve për të avancuar në kuadrin e gjeneratës së tretë të business angels”. Në suksesin high tech ndikon dhe transferimi i vazhdueshëm i teknologjive moderne nga sektori ushtarak në atë civil.
Lexuesi shqiptar do të zbulojë në faqet e këtij libri një Izrael dhe një kulturë e mentalitet inovativ, shkencor e zhvillues, që ndoshta nuk e ka menduar dhe imagjinuar kurrë. Do të gjejë një shembull perfekt dhe një frymëzim që na duhet aq shumë të gjithëve. (MAPO)