Ja çfarë mendojnë shqiptarët për qeverinë Rama, kur pyeten nga ndërkombëtarët
Pavarësisht realitetit të rremë virtual, që makineria e madhe e propagandës së kryeministrit Rama krijon me intesitet brenda vendit, shqiptarët mendojnë se qeverisja e tij ka dështuar në shumë aspekte.
Meqenëse mediat që nuk janë gjunjëzuar ende prej Ramës dhe vazhdojnë të thonë të vërtetën janë “kazanë”, le të bëjmë një përmbledhje tw rezultateve të sondazhit më të fundit të BERZH, për ekonominë, shëndetësinë, situatën politike, respektimin e fjalës së lirë etj.
Në raportin për vitin e shkuar, “Jeta në tranzicion”, pas marrjes së 1377 intervistave rezulton, se shqiptarët kur pyeten nga institucione të huaja, “rilindas” apo jo, i afrohen shumë realitetit ku jetojnë aktualisht.
Kështu për aspektin kryesor të një familje dhe një shteti që është situata ekonomike, rreth 73 për qind e tyre mendojnë se ajo është përkeqësuar pas 3 viteve të Edi Ramës në pushtet. Kurse gjysma e popullsisë janë të pakënaqur me atë që kryeministri e shet si arritjen e tij më të madhe; shërbimin shëndetësor që ofron shteti.
Dhe kulmi i këtij realiteti që jetojnë shqiptarët zbulohet, kur 31% e tyre janë aq të pakënaqur me këtë lloj sistemi demokratik që aplikohet nga klasa politike këtu, sa që do të preferonin më mirë një sistem autoritar dhe një ekonomi të planifikuar, nën kontrollin e shtetit.
Ja disa nga përfundimet e këtij sondazhi, të bërë nga specialistët e Bankës Europiane për Zhvillim dhe jo nga “urithët” e bodrumeve të kryeministrisë, të dirigjuar nga Endri Fuga:
1 -73 për qind e shqiptarëve mendojnë se situata ekonomike në vend është përkeqësuar ose ka mbetur njësoj, krahasuar me 4 vite më parë. Vetëm 27 për qind e shqiptarëve mendojnë se situata ekonomike është përmirësuar.
2 -70 për qind e shqiptarëve shprehen se situata politike në vend është përkeqësuar ose ka mbetur në të njëjtat nivele, krahasuar me katër vite më parë. Vetëm 30 për qind shprehen se situata politike është përmirësuar.
3 -79 për qind e popullsisë që përfiton nga ndihma ekonomike shprehet e pakënaqur nga ky shërbim shtetëror.
4 -Vetëm 37 për qind e popullsisë janë të kënaqur me shërbimin e gjykatave, ndërsa 63 për qind të tjerë shprehen se ky sektor ka nevojë të përmirësohet ndjeshëm.
5 -53 për qind e popullsisë janë të kënaqur më shërbimin publik shëndetësor, ndërsa 47 për qind të tjerë, megjithë reformat e qeverisë në këtë sektor, shprehen të pakënaqur. 56 për qind e qytetarëve shprehen të gatshëm të paguajnë taksa shtesë apo më të larta, në rast se këto të ardhura shkojnë për përmirësimin e shërbimit publik shëndetësor.
6 -Rreth gjysma e popullsisë në Shqipëri preferojnë demokracinë dhe ekonominë e tregut, mbi çdo formë tjetër sistemi politik apo ekonomik. Megjithatë rreth 31 për qind shprehen se një sistem autoritar apo ekonomia e planifikuar mund të jetë zgjidhje më e mirë në disa raste të veçanta.
7 -Më pak se gjysma e popullsisë mund të përballojë një javë pushime në vit.
8 -52 për qind e popullsisë janë të pakënaqur me infrastrukturën rrugore.
9 -Rreth 20 për qind e shqiptarëve janë përballur të paktën një herë me korrupsionin e zyrtarëve publikë.
10 -Rreth 75 për qind e shqiptarëve mendojnë se emigrantët janë kontribuues të rëndësishëm në ekonominë shqiptare.
11 -Vetëm 44 për qind e popullsisë beson se liria e fjalës dhe shprehjes respektohet.