Ja cili është urimi i veçantë i Gjergj Lucës për Krishtlindje, këtë Natë të Madhe të ardhjes së Shpëtimtarit
Nga Albert Vataj
Në çdo prag Krishtlindjeje, shoqëria jonë pret jo vetëm urime formale, por ftesa që nxisin ndërgjegje, reflektim dhe përgjegjësi. Këtë herë, sipërmarrësi Gjergj Luca zgjodhi të mos e reduktojë kremtimin në një rit ceremonial, por ta shndërrojë atë në një mesazh të drejtpërdrejtë për besimtarët dhe për gjithë shqiptarët, një thirrje për t’u kthyer te kuptimi i thellë i Lindjes së Krishtit.
Urimi i tij nuk mbetet te gëzimi shpirtëror i festës, por e lidh Krishtlindjen me fatin e vendit, me rrugëtimin e Shqipërisë drejt integrimit evropian dhe me përgjegjësinë tonë kolektive për të ndërtuar një shoqëri më të drejtë dhe më dinjitoze. Ylli që sipas traditës udhëhoqi barinjtë dhe dijetarët drejt Betlehemit, në mesazhin e Lucës, bëhet metafora e dritës që duhet të udhëheqë kombin tonë në rrugën e përmbushjes së aspiratave historike.
Ai i rikujton opinionit se nata e Krishtlindjes është mbi të gjitha nata e shpresës, ardhja e Birit të Zotit, zgjimi i një besimi që ka mbajtur gjallë breza të tërë, dhe amaneti i të parëve që e projektuan këtë tokë martire si një “tokë të premtuar”, ku liria dhe dinjiteti njerëzor nuk duhet të negociohen.
Duke folur nga ambientet e kishës, Luca nuk artikulon thjesht një urim, por një ftesë morale, të reflektojmë mbi detyrimin që kemi ndaj vendit, ndaj fëmijëve tanë, ndaj historisë që trashëgojmë. Krishtlindja, në këtë optikë, nuk është vetëm përjetim personal, por akt komunitar, që kërkon ndërgjegjësim dhe veprim.
Në qendër të mesazhit, ai vendos simbolikën e kryqit – kujtesë e sakrificës së Krishtit, por edhe e përgjegjësisë që besimtari mban para shoqërisë. Referenca ndaj Golgotës dhe figurës së Krishtit shërben si kontrast i fortë me realitetin e sotëm politik, ku, sipas tij, padrejtësia dhe korrupsioni vazhdojnë të rëndojnë mbi shoqëri:
“Fabula është e thjeshtë, në këtë vigjilje të Krishtlindjes më kujtohet Golgota ku u kryqëzua Jezusi. Ishte me dy hajdutë në krahë, Jezusi u kryqëzua e u ngjit në qiell, ndërsa hajdutët janë sot në politikë… Gëzuar me dhimbje e me optimizëm!”
Ky pasazh sintetizon tensionin mes dhimbjes dhe shpresës, kritikë e realitetit aktual, por edhe besim se vlerat e sakrificës, drejtësisë dhe solidaritetit mund të triumfojnë. Mesazhi i Lucës merr kështu një dimension etik: Krishtlindja nuk mund të festohet thjesht me dekorime, por duke kërkuar që shoqëria të çlirohet nga padrejtësitë dhe shpresëhumbja që e plagosin.
Në fund, urimi i tij mbart një thirrje të qartë, të mos ndalemi në emocionin e çastit, por ta përkthejmë besimin në vepra, shpresën në përgjegjësi dhe festën në fillim të një vetëdijeje më të pjekur qytetare. Sepse vetëm kështu, sipas këtij vizioni, drita e Krishtlindjes mund të bëhet realisht drita e së ardhmes së Shqipërisë.
KOHA JONË SONDAZH

