Ja fushat që përfitojnë më tepër nga rritja e buxhetit
Buxheti i vitit 2018 llogarit 496 miliardë lekë shpenzime, ose 29 miliardë lekë më shumë se viti i kaluar. Në draftin e mbërritur në kuvend vihet re se kjo shtesë ëshë shpërndarë në 9 nga 10 funksionet e shtetit për të cilët ka shtesa që variojnë nga 200 milionë deri në 10 miliardë lekë.
Mbrojtja sociale, kategoria ku përfshihet skema e pensioneve dhe asistencës sociale, vijon të jetë zëri kryesor në shpenzimet buxhetore, por pavarësisht rritjes me 7.2 miliardë lekë, nuk është funksioni që ka pësuar ndryshimin më të madh.
Ndryshimi më drastik në fakt i përket Mbrojtjes së Mjedisit, për të cilat buxheti 2018 parashikon më pak se gjysmën e fondeve se sa viti aktual. Investimet për mbrojtjen e mjedisit do të ulen me 1.6 miliard lekë, duke bërë që buxheti total të bjerë me 57%.
Kategoria që përfiton rritjen më të madhe të fondeve buxhetore ndërkohë është ajo e çështjeve ekonomike. Siç duket edhe në grafikun ilustrues më poshtë, ky funksion ka pësuar rritjen më të madhe si të terma absolutë, ashtu edhe në terma relativë, duke rritur buxhetin me 10 miliardë lekë ose 28.2%. 9 nga 10 miliardë lekët e shtesës në buxhet i takojnë zërit të investimeve.
Kërkesa e NATO-s që vendet anëtare të plotësojnë kuotën e shpenzimeve për mbrojtjen duket se është pasqyruar në buxhetin e vitit të ardhshëm me një rritje fondesh prej 11.1%. Në këtë fushë vëmë re një shtim fondit të pagave e kontributeve me 420 milionë lekë. Megjithëse rritja e shpenzimeve në këtë fushë nuk do të arrijë të kapë 2 përqindëshin e kërkuar nga NATO, do të konsiderohet si një tentativë e mirë nga qeveria shqiptare për të ndjekur udhëzimin.
Pas mbrojtjes, shtesa më e madhe në buxhet vjen për rendin dhe sigurinë publike, një nga prioritetet e qeverisë. Ndryshimi krahasuar me buxhetin aktual tregon një rritje me 10.4%, ku përfshin një shtesë me 1.7 miliardë lekë në fondin e pagave e kontributeve dhe rreth gjysmë miliardi shpenzime për investime.
Një shtysë të madhe në buxhet ka marrë edhe arsimi, për të cilin është bërë një rritje me 3.7 miliardë lekë. Në këtë fushë, ndryshe nga funksionet e mësipërme, shtesa në buxhet është shpërndarë në mënyrë të njëtrajtshme në të gjithë zërat si: pagat, mallrat dhe shërbimet, transfertat korrente dhe shpenzimet kapitale. Një pjesë e investimeve do të shkojnë për ndërtimin e shkollave të reja në të gjithë vendin.
Për shëndetësinë janë planifikuar 3.5 miliardë lekë më shumë nga buxheti i shtetit dhe një rritje e fondit të pagave me 18.8%, çka mund të përkojë edhe me planin e qeverisë për të rritur rrogat e mjekëve specialistë që zgjedhin të punojnë në zonat rurale. Një rritje në buxhet i takon edhe fondit për investime, si ai i spitalit rajonal të Fierit, për të cilin vitin e ardhshëm pritet të nënshkruhet kontrata për partneritet publik-privat.
Listën e shtesave në buxhet e mbyllin “Strehimi dhe Komoditetet e Komunitetit” dhe “Argëtimi, Kultura dhe Çështjet Fetare” me 6.7%, si edhe shërbimet e përgjithshme publike me 1.8%.