Ja si do të llogaritet shpërblimi për mësuesit që punojnë larg shtëpisë
Vendimi i fundit i qeverisë lidhet me punonjësit arsimorë të cilët do të përfitojnë pagesa shtesë në formën e një shpërblimi për shkak të largësisë së punës nga vendbanimi i tyre.
Ky vendim përcakton sa do të jetë ky shpërblim për distancën nga 5-10 km nga vendbanimi, për distancën mbi 10 km deri në 20 km, si dhe për distancën mbi 20 km.
“Punonjësit mësimorë të arsimit parauniversitar, që përfitojnë fonde publike për mbulimin e shpenzimeve të transportit të siguruar nga njësitë arsimore vendore, të parashikuar në këtë vendim përfitojnë shpërblim mujor të diferencuar, sipas pikës 4, të vendimit nr.175 datë 8.3.2017, të Këshillit të Ministrave, “Për trajtimin me pagë dhe shtesa mbi pagë të punonjësve mësimorë në arsimin parauniversitar”, sipas distancave, si më poshtë vijon:
a) në masën 1 000 (njëmijë) lekë në muaj, kur largësia nga vendbanimi i përhershëm i tyre/qendra e punës deri në institucionin arsimor publik është në distancën mbi 5 km deri në 10 km;
b) në masën 1 500 (njëmijë e pesëqind) lekë në muaj, kur largësia nga vendbanimi i përhershëm/qendra e punës deri në institucionin arsimor publik është në distancën mbi 10 km deri në 20 km;
c)në masën 2 700 (dymijë e shtatëqind) lekë në muaj, kur largësia nga vendbanimi i përhershëm/qendra e punës deri në institucionin arsimor publik është në distancën mbi 20 km.”.
Në këtë vendim qeveria ka llogaritur edhe shpërblimin e nxënësve për shkak të biletë së transportit ku më tej thuhet: “Masa e shpenzimeve mujore që përfiton çdo nxënës dhe punonjës mësimor përllogaritet mbi bazën e numrit të ditëve mësimore, numrit të nxënësve dhe mësuesve që kanë ndjekur mësimin, çmimit mesatar të biletës për linjat ndërqytetase apo rrethqytetase të shërbimit të transportit, të miratuara me vendimin nr.146, datë 26.2.1998, të Këshillit të Ministrave, “Për ndryshimin e tarifave të transportit të udhëtareve”, të ndryshuar, indeksimit të çmimeve të shërbimit të transportit, të botuara çdo vit nga INSTAT-i, si dhe në bazë të akteve të tjera ligjore e nënligjore në fuqi.”
Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, të përballohen nga buxheti vjetor i miratuar për Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, pa efekte financiare shtesë në buxhetin e shtetit. Ngarkohen Ministria e Arsimit dhe Sportit, Ministria e Financave, njësitë arsimore vendore dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore për zbatimin e këtij vendimi, i cili hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren Zyrtare”.