Jam Ditmiri, jo Dhimitri

Nga Luela Myftari

Letër ministrit të jashtëm grek!

Jam Luela, e bija e Lutfi dhe Elma Myftarit. Jam gjysma e babit dhe e mamit duke nisur që nga gërmat e emrit.

Kështu janë edhe prindërit e mi.

Gjyshet e mia kanë lindur në një vend që nuk mund ta shkelin, në një vend ku dikur ato flisnin, i këndonin të martuarve dhe i qanin të vdekurit në shqip.

Përtej të gjithave, vetëm me leckat e trupit, edhe ato të grisura, morrën rrugët për t’u shpëtuar marrëzive të një politike që edhe sot çjerr me edukatë veten për një ligj lufte.

Zoti, ministër i jashtëm grek, unë jam çame. Dhe nuk desha të të pres me gurë si në Srebrenicë, për dy arsye:

  1. Se ti nuk ishe aty kur u dhanë urdhrat për të prerë kokat e gjyshërve të mi.
  2. Se ti nuk fole në emër të popullit tënd.

Populli yt nuk ma ndryshoi emrin kur shëtisja në trojet e të parëve të mi, ndërsa ti me politikën e kopjuar nga të parët e tu plangprishës je diplomuar me këtë postulat njëlloj si mjekët me betimin e Hipokratit: t’u ndryshosh emrat shqiptarëve.

Po ndryshe nga sa më parë nuk do të mund ta bësh më. Ndryshe nga sa gjyshet e mia nuk i lë të kalojnë as një metër në territorin tënd, mua s’munde të më bësh gjë. Unë shëtita e lirë atyre trojeve dhe njoha një popull që ishte shumë herë më i mirë se politika juaj. Unë shëtita atyre trojeve në kërkim të gjurmëve të mia e kuptova se aty kishin lindur vepra të mëdha, e aty lufta bëhej ashtu si sot për ca më shumë bregdet.

E nëse keni nevojë për ca pushues më shumë për të rritur të ardhurat do të vija sërish, po do të vija për popullin zoti ministër i jashtëm, po jo për politikën.

Një mendje më thotë se pas këtij shkrimi vështirë të kaloj në doganë me pasaportë shqiptare. Sepse sot, dua të të them disa të vërteta që ti bën sikun nuk i di, zoti ministër i jashtëm i Greqisë.

Njëra nga gjyshet e mia ka shëtitur më shumë se gjysmën e botës, Lindjen e Mesme, Ballkanin, Europën, e tanimë jeton në Amerikë. Po në shtëpinë ku ka lindur, në shtëpinë e babait të saj, nuk mund të shkojë dot. Letrat e pronësisë së shtëpisë në Çamëri i ka. E ndërsa ti e drejton në gjykatën greke që ajo nuk e njeh as si ndërtesë, ajo ka vetëm një pyetje: Ata nuk më njohin mua, si do të njohin shtëpinë?

Ka të drejtë, sepse ndërsa ajo plotësonte dokumentet për të jetuar në Amerikë, shteti yt, ministër i jashtëm grek, nuk i dha dot as një certefikatë për të vërtetuar që ajo ka lindur aty. E ndërsa, unë e besoj bindshëm faktin që ju keni frikë të vërtetoni që një njeri ka lindur aty me një certefikatë personale, si mund të besoj që një gjykatë greke do të njohë një certefikatë pronësie?

Nëse ju nuk njihni së pari njerëzit, si do t’i njihni trojet, pallatet, ndërtesat, ullishtet? Apo të tilla janë gjykatat tuaja, pranojnë edhe të hapin gjyqe pa certifikata lindjeje?

Gjyshja ime tjetër, nuk i ka dokumentet e pronësisë. Madje nuk ka as këmbët. Po i kalben. Po të të tregoja këmbët e saj dhe po të ishe së pari njeri e së dyti politikan, do ta lije të kalonte qoftë edhe vetëm një herë në rrugicën e shtëpisë së saj. I ka plagë të hapura këmbët, po është gati të më kapë për dore e të marrë rrugën për të më treguar ku i kam rrënjët, ku duhet ta kisha shtëpinë.

Sepse unë zoti ministër i jashtëm i Greqisë, ndryshe nga sa shqiptarët e tjerë brenda e jashtë kufijve zyrtarë të Shqipërisë, ende nuk e di shtëpinë e gjyshes sime. Nëse shqiptarët e Kosovës, ato të Maqedonisë apo edhe ata të Malit të Zi janë kthyer në shtëpitë e të gjyshërve të tyre, unë jam një nga ato shqiptare që s’mund ta bëj sepse së pari nuk e di se cila nga ato shtëpi e cili nga ato oborre ka gjurmët e gjyshërve të mi.

Ndaj më ke edhe një borxh tjetër përtej të gjitha borxheve që ka lënë politika jote. Zoti ministër i jashtëm grek, herës tjetër kur të vish, (në ardhësh ti, e në mos përcillja shokëve) mos broçkullis të tilla përgjigje për zgjidhjen e çështjes çame sepse në historinë e Greqisë do të nisësh një kapitull tjetër të kredive e borxheve, ndoshta jo me vlerë aq të madhe monetare se sa morale.

Tema

SHKARKO APP