Jeta nën parulla

Sot ne qeshim dhe u referohemi këtyre parullave me humor, por në atë kohë ato të shfaqeshin kudo, ndonjëherë edhe frikshëm, kur bëhej fjalë për jetën, punën, emrin dhe vetë ekzistencën tonë, duke të “ çarmatosur “ nga çdo justifikim apo argument, sipas pyetjes asgjësuese “ Po Partia, si na mëson?”. Dhe “fap” dilte slogani, sipas rastit. Ndodhte ajo që përmend Eugen Ionesku në “ Antidotet “ e tij të vitit 1977:“ sistemi i klisheve dhe kristalizimi i tyre nxjerr produkte të gatshme si konfeksione. Pakica ushtron mbi ata që mendojnë ndryshe një terror intelektual ndjenjash dhe një shtypje që është pak të thuash e papërballueshme“ Por, për të qenë të ndershëm, duhet pranuar se pas atyre parullave kishte dhe plot punë, djersë, sakrifica, rezultate dhe arritje nga qindra mijërat e njerëzve të thjeshtë. Paçka se synimi kryesor i parullave ishte të ndihmonin me fabulën e tyre ideologjike për të forcuar e zgjeruar edhe më shumë pushtetin e lidershipit totalitar. Këto parulla ishin të gjithfarëllojshme: ato përdoreshin e përsëriteshin në festa, përvjetore jubilesh, kongrese, tubime, vizita të personaliteteve të huaja partiake, etj. Duhet pranuar gjithashtu se disa prej tyre ishin gjetje të bukura nga pikëpamja e propagandës. Përgjithësimin më të arritur artistik të kësaj dukurie e ka bërë padyshim filmi “Parulla”, i cili ka patur shumë sukses dhe jashtë vendit. Për të qenë më konkretë, por pa pretenduar se i kemi përmendur të gjitha, pasi ato ishin aq shumë, më poshtë po listojmë parrullat kryesore, të grupuara sipas tematikës e me ndonjë sqarim të vogël historik, aty ku është e nevojshme:

Këto parulla lindën dhe shoqëruan gjithë procesin e revolucionarizimit të jetës së vendit pas viteve 60: Në njërën dorë kazmën dhe në tjetrën pushkën! Ishte slogani dhe lejmotivi kryesor i jetës së asaj kohe. Ajo u simbolizua edhe në këngën e famshme të asaj kohe që këndohej në të gjitha evenimentet politike, kongrese, festa, madje dhe dasma e gëzime. Së bashku me këngën “Enver Hoxha tungjatjeta” që u krijua nga mesi i viteve 70, ajo mbyllte çdo aktivitet zyrtar masiv, si kongrese, koncerte, etj. Të mendojmë, të punojmë dhe të jetojmë si revolucionarë ( Në vitet 70, asaj iu shtua dhe fjala “ si në rrethim”)Të kalitemi në kudhrën e aksionit!Kallot tona, barrikadë kundër imperializmit dhe revizionizmit!Të parët në sakrifica, të fundit në pretendime!Të spastrojmë skoriet nga ndërgjegje jonë! Të vëmë interesin e përgjithshëm mbi atë personal!Nga aksioni në aksion!“Lufta e klasave zhvillohet valë valë, ajo herë ngrihet e herë ulet, herë zbutet dhe herë acarohet, por kurrë nuk shuhet!”

Shqipëria – fanar i kuq i socializmit në Evropë! Shqipëria, shkëmb graniti dhe kështjellë e socializmit në brigjet e Adriatikut!Mbrojtja e Atdheut, detyrë mbi detyrat” Një bie, mijra ngrihen!Ushtri e popullit ushtar!Armiku na ka në grykë të pushkës, por ne e kemi në grykë të topit!Të mbajmë syun në shënjestër dhe gishti në këmbëz të pushkës! Të mbajmë barutin thatë!Të asgjësojmë armikun me predhën e parë!Kufijtë e Atdheut janë të paprekshëm!Të asgjësojmë armikun me predhën e parë!Kromi dhe nafta çan bllokadën! Hedhim valle në gojë të ujkut! Kjo parullë zuri pothuajse vendin e një simboli në gjuhën politike të atëhershme. Madje, siç pohon edhe ish-Drejtori i Përgjithshëm i RTV-së, i ndjeri Agron Çobani, në Librin e tij “ Ju flet Tirana” ( Botimet “ Toena” viti 2010) në Festivalin e XII të Këngës në RTVSH u paraqit edhe një këngë e titulluar “ Hedhim valle në gojë të ujkut “ e kënduar nga Qemal Kërtusha dhe Liljana Kondakçi; ndër të tjera, në atë këngë thuhej shprehimisht se “ ne në gojë të ujkut hedhim valle, lum ti Shqipëri që na ke!”

Shënim: Ky shkrim është shkëputur me lejen e autorit nga libri “Në Vetërrethim“ botim i Shtëpisë Botuese “Toena“ 2012

SHKARKO APP