Jo dërdëllisje puritane, por “mënyra të reja” të menduari…
Nga Gëzim Tushi/Është fare evident shqetësimi i përbashkët social për faktin se shumë tregues të zhvillimit në jetën e sotme sociale kanë marrë karakter të fortë anti-etik. Duken qartë treguesit e dëmtimit të thellë të treguesve të jetës materiale dhe ekzistenciale, shoqëruar nga një proces i zgjeruar degradimi të jetës dhe relacioneve sociale të qytetarëve tanë me “veten”, “tjetrin”, familjen dhe organizimet e tjera të jetës së përbashkët sociale. Debati dhe shqetësimi që shfaqet dukshëm ka të bëjë me faktin, që paradoksalisht sa më shumë zgjerohen kufijtë e lirisë, aq më shumë shfaqet natyra e “njeriut të keq”, shoqërisë së atomizuar e përfshirë nga indiferentizmi social. Është fare evident zgjerimi i ekzagjeruar i “metafizikës” së të keqes sociale, që në shumë drejtime po dëmton kornizat kulturore dhe morale të jetës, shoqërisë dhe qytetërimit tonë.
Personalisht mendoj se kur synojmë të analizojmë këto “realitete të reja” sociale, duhet të jemi së pari të kujdesshëm me veten profesionalisht, por dhe me të tjerët që janë herë të shqetësuar sa duhet dhe herë të tjera duke i parë fenomenet e reja me optika sociale të deformuara. Kjo do të thotë se në kohën e sotme janë të papranueshme, madje qesharake “dërdëllitjet puritane” që nuk kanë asnjë vlerë në kohën e sotme dhe që mbeten thjesht hipokrizi e demagogji sociale. Por nga ana tjetër duhet vlerësuar e vërteta, që realitetet dhe zhvillimet në shoqërinë shqiptare janë të tilla, që duhet të jesh cinik, në se bën sikur nuk i shikon apo qëllimisht si “indiferent social” mbyll sytë para tyre.
Që shoqëria jonë ka një situatë të qartë krize identiteti dhe që qytetërimi ynë është bërë shqetësues e problematik në shumë aspekte, kjo nuk do shumë punë për ta vërtetuar. Të gjithë jetojmë këtu, jemi bërë pjesë e problemit, aktorë të shqetësimit të përbashkët social, po aq sa duam dhe duhet të jemi edhe pjesë e zgjidhjes. Personalisht mendoj se situata e krizës është një realitet me pasoja të zgjeruara sociale, por në të njëjtën kohë kjo periudhë që nuk ka ardhur rastësisht ka edhe anën e mirë të saj. Sepse në logjikën sociologjike dhe utilitetin social, periudhat e krizave në një shoqëri përbëjnë “kohë të mirë” për sociologët dhe procesin e gjykimit të vlerave të qytetërimit tonë.
Sidomos për ata që vrasin mendjen, kanë përgjegjësi teorike e angazhim social për të zotëruar ambiguitetet dhe shpjeguar domethëniet morale e sociale të situatave që kalojmë. Sepse praktikisht kudo në botë, universalisht në të gjitha shoqëritë moderne e postmoderne ka një shqetësim të përbashkët. Është fjala për një lloj situate që në shumë raste etiketohet në mënyrë sintetike si “regres demokratik” që ka prekur statusin e qytetarit, deformimin e lidhjeve sociale e që po shoqërohet me një lloj rrënimi të shpejtë e të përshpejtuar të të ndjenjave humane e sociale të qytetarit.
Kjo sepse në jetën tonë të përditshme duket qartë një proces alarmant i dobësimit të mekanizmave që mbajnë gjallë dhe garantojnë solidaritetin social dhe ndjenjën e përgjegjësisë qytetare. Ne shpesh herë e kemi më të udhës dhe herë pas here vlerësojmë, mburremi apo edhe të mbivlerësojmë vlerat e trashëguara të qytetërimit tonë. Të cilat në të vërtetë nuk na kanë munguar dhe janë të vërteta. Por që tani nën turbulencat e modelit të jetës postmoderne, disa prej tyre janë vjetëruar dhe duhen ndryshuar dhe disa të tjera janë tronditur nga zhvillimet aktuale demokratike dhe superimi i koncepteve të reja morale liberale, individualiste dhe jo shumë sociale.
Megjithatë unë gjykoj se situata në shoqërinë tonë ka ndryshuar shumë dhe shkaqet e këtyre ndryshimeve janë të thella. Ato nuk mund të vlerësohen dhe të maten me simbolet sipërfaqësore kulturore e morale apo pa kuptuar thelbin e ambiguiteteve dhe domethënieve të reja sociale e morale të qytetërimit tonë. Sepse pas gjërave që duken, janë ca shkaqe të thella e arsye thelbësore që kanë ndikuar në përshpejtimin e një procesi degradimi të vlerave të shoqërisë dhe cilësive humane e sociale të qytetarit tonë.
Megjithatë edhe duke bërë këtë konstatim të vërtetë, në të njëjtën kohë është e nevojshme të theksoj, se shpesh herë në median elektronike, në shtypin e shkruar për këto dukuri sociale ka këndshikime sempliste e trajtesa sociologjike të nxituara, gjykime të sipërfaqshme që në fakt janë larg thelbit të së vërtetës sociale. Në këtë kontekst nuk ndikojnë pozitivisht dhe as e ndihmojnë procesin e përmirësimit të situatës sociale të shoqërisë, sjelljen e qytetarëve tanë analizat e përgjithshme apo kategorizimet bruto, pa bërë diagnoza diferenciale e gjykime konkrete të situatës sociale që zhvillohen në vendin tonë. Personalisht gjykoj se praktikisht ka një kaos të përzierë midis sjelljeve empirike të qytetarit, shqetësimeve sociale të shoqërisë dhe nevojave për t’i parë dhe vlerësuar dukuritë sociale dhe fenomenet e jetës individuale me një optikë të re.
Kjo sepse është bërë sunduese “kakofonia sociologjike” që përzjen me “lugë kafeje” kazanin e madh të problemeve e shqetësimeve sociale që ka shoqëria jonë, që nuk na lejon të ndajmë atë që vërtetë është degradim nga ajo që është progres dhe emancipim social. Në shumë raste ajo që është reale interpretohet në mënyrë të sforcuar e të gabuar, duke i vënë etiketa të inadekuate, të pasakta e të padrejta zhvillimeve të shoqërisë, ndryshimeve ontologjike të personalitetit të qytetarit postmodern. Pikërisht nga që në shumë raste ato i analizojmë, gjykojmë dhe vlerësojmë me mënyra të vjetra të menduarit dogmatik, sipas paradigmave tradicionale të sfiduara, të mohuara nga zhvillimet demokratike e presionet reale të tipologjisë së jetës liberale postmoderne.
Unë besoj se është imperative në këto kushte që për të qenë analog me të vërtetën, kompatibël me natyrën e zhvillimeve dhe ndryshimeve të thella në jetën sociale të shoqërisë tonë, duhet të ngulim këmbë së pari në atë të vërtetë që shoqëria dhe njerëzit tanë përballë me “veten” dhe njëkohësisht të përfshirë në shoqërinë e tyre. Për pasojë duhet të kuptojnë nevojën kategorike që kuptimi i fenomeneve të sotme jo vetëm nuk mund të bëhet duke i krahasuar me modelet e sjelljeve sociale e personale të së kaluarës, por me mënyra të reja të menduari.
Ky është kusht i pare, i domosdoshëm në se vërtetë jemi të shqetësuar për shëndetin moral të shoqërisë, për raportet sociale të qytetarit i cili duket se me sjelljet e tij është “spostuar” nga paradigmat e modelit të vjetër të qytetërimit tradicional shqiptar. Sjelljet sociale të njerëzve tanë duket se duke qenë të vendosur në këtë magjistral social, në këtë rrugë universal të braktisjes së shpejtë të paradigmave tradicionale e morale të qytetërimit tonë të së kaluarës, kanë shfaqur modele të reja të komportimit individual dhe sjelljeve sociale. Në thelb kjo është natyra e ndryshuar e shoqërisë shqiptare që duhet kuptuar dhe interpretuar drejt, e cila tashmë është e përbërë nga qytetarë që për shkak të lirisë, prirjes individualiste, natyrës konsumistike si tipare thelbësore të “Shoqërisë së Qefit”, shfaqin tendencën dhe kanë rregulla morale e dëshira të personalizuara, të cilat kanë vlerë për të po aq sa edhe gjërat e mëdha me natyrë sociale. Në të vërtetë duke i parë më optikën e shoqërisë së vjetër dhe normat morale të shoqërisë kolektiviste, ky lloj njeriu që po bëhet dominant në shoqërinë tonë, ngjan tejet eksentrik, fare i spostuar nga kornizat e vjetra të shoqërisë kolektiviste e normat bazale të qytetërimit tonë tradicional të së kaluarës. Nuk ka dyshim duhet të kuptojmë se zhvillimet e jetës postmoderne kanë ndikuar që të kemi një tjetër lloj jete, shoqërie e qytetërimi që e kanë detyruar qytetarin të ndryshojë thelbësisht “koordinatat e ekzistencës” dhe mënyrës së ndërtimit të lidhjeve e marrëdhënieve sociale.
Në se nuk kuptojmë filozofinë e këtij realiteti të vërtetë, asnjëherë nuk do jemi në gjendje të analizojmë me përgjegjësi sociale, të problematizojmë me optikë filozofike e sociologjike kuptimin real, shpjegimin adekuat të fenomeneve sociale që shfaqen tek njeriu i sotëm individualisht dhe në shoqërinë tonë integralisht. “Spazmat universale” të këtij mijëvjeçari nuk mund të linin anash dhe pa prekur njeriun, qytetërimin dhe shoqërinë shqiptare. Problemi është që tronditjet e forta të këtyre spazmave duhen njohur, vlerësuar e interpretuar drejt me mënyra sa më adekuate të menduari.
Sepse pa një lloj mënyre të tillë të analizës, interpretimit të dukurive empirike sociale dhe sjelljeve të personalizuara të qytetarëve tanë, nuk do mund të mësohemi me faktin që në kohën e sotme, praktikisht në këtë shekull të postmodernitetit sjelljet, mënyrat e organizimeve sociale, tendencat individualiste të komportimit moral të njeriut, gjithnjë e më shumë do të bëhen të paparashikueshme. Kjo do të thotë që jemi të detyruar që të vlerësojmë dhe gjykojmë me korniza të reja filozofike, sociale e morale kriteret që vazhdojmë të përdorim kur bëjmë vlerësime të përgjithshme për shoqërinë, cilësitë e qytetërimit tonë apo mënyrat individualisht përcaktuese të komportimit social e personal të individit.
Ndryshe do gabojmë. Kjo do të thotë që mund të zmadhojmë artificialisht përmasat e të keqes sociale që ekziston në shoqëri, duke ngatërruar me thelbin racional të ndryshimeve që ndodhin të diktuara nga zhvillimet demokratike dhe zgjerimi i kufijve të lirisë së individit, ose nga ana tjetër mund të mbyllim sytë përballe tendencës agresive, të një lloj degradimi të jetës sociale të shoqërisë, ndjenjave humane të qytetarit. Sociologjinë e sjelljeve normale apo devijuese nuk mund ta bëjmë duke përdorur optikat e vjetra e të turbullta të sociologjive e moraleve të dala jashtë përdorimit social. Koha që jetojmë, zhvillimet e vrullshme të jetës sociale, dominimi i qytetarit të lirë, mendjehapur, me sjellje të personalizuara nuk mund të analizohen me kornizat e dogmave sociale të kohës së vjetër. Mënyra postmoderne e të jetuarit është e tillë që nuk pranon që të futet në kornizat e ngushta. Ndryshimet e jetës sociale kanë ndryshuar edhe ndërgjegjen dhe modelet e organizimit të jetës së njerëzve tanë. Nuk kemi nevojë për iluzione sociale e pritmëri etike të kota. Në se do vazhdojmë të presim që të vijnë ato, është e sigurt që do jetojmë në dëshpërim të thellë social dhe skepticizëm etik individual!