Jorida Tabaku: Industria fason drejt falimentit, asnjë mbështetje apo subvencione nga qeveria
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka ngritur alarmin për mbylljen me shpejtësi të bizneseve të fasonerisë, duke e cilësuar situatën si pasojë të drejtpërdrejtë të politikave dhe mungesës së mbështetjes apo subvencioneve nga qeveria.
Postimi i plotë:
Pas 13 vitesh në qeveri, socialistët, në kulmin e pushtetit të tyre, u kanë lënë mbi 175 mijë familjeve shqiptare një kartolinë të hidhur: zhbërjen e industrisë fason dhe çuarjen drejt falimentimit të një sektori që dikur punësonte mbi 175 mijë shqiptarë.
Ky është rezultati i një sistemi ekonomik dhe politik që sakrifikon familjet shqiptare, bukën dhe të ardhurat e tyre, për të mbajtur në këmbë një pakicë që e ka ngritur këtë sistem dhe përfiton prej tij.
Paratë e pista dhe krimi i organizuar po helmojnë konkurrencën dhe ekonominë. Ndërkohë, qeveria as e mbështet dhe as e subvencionon industrinë fason, e goditur rëndë edhe nga zhvlerësimi i euros, kostot e larta dhe taksat.
Në mes të kësaj tragjedie që po konsumon jetën e mijëra familjeve, Shqipëria po humbet markën “Made in Albania”. Pamjet e bizneseve që nxirren në shitje dhe të sipërmarrësve që paketojnë pajisjet për t’u larguar e për të hapur vende pune diku tjetër janë dëshmia e vizionit ekonomik të dështuar të kësaj qeverie.
Në një ekonomi botërore që ndryshon me shpejtësi, vendet e tjera ndërtojnë politika për të mbrojtur prodhimin dhe punësimin. Socialistët bëjnë të kundërtën: nuk punojnë për shumicën, por për pakicën që përfiton nga skemat e pastrimit të parave, abuzimi me pushtetin dhe bashkëjetesa me krimin e organizuar.
Pa prodhim nuk ka vende pune, eksporte dhe ekonomi të qëndrueshme. Shqipërisë i duhet një model ekonomik që mbështet sipërmarrjen dhe punën, jo një sistem që i detyron bizneset të mbyllen.
KOHA JONË SONDAZH

