Jorida Tabaku: Rritja e eksporteve nuk tregon forcim të ekonomisë, fasoneria në rënie

Nga Jorida Tabaku, deputete e PD

Një qeveri në krizë kapet pas disa shifrave për të mbajtur në këmbë narrativën e saj.
Kështu po bëjnë sot socialistët me të dhënat e eksporteve. Po përdorin rritjen artificiale prej 10,6% të eksporteve në korrik për të bindur shqiptarët se ekonomia po ecën dhe se ata jetojnë më mirë.
Por propaganda mbaron aty ku fillon leximi i plotë i shifrave.
Në këtë rritje në letër, materialet e ndërtimit dhe metalet dhanë 8,9 pikë përqindjeje, ndërsa mineralet, karburantet dhe energjia dhanë 5,3 pikë. Vetëm këto dy grupe dhanë 14,2 pikë përqindjeje — më shumë se rezultati përfundimtar prej 10,6%.
Në të njëjtën kohë, fasoneria e uli rezultatin me 4,3 pikë përqindjeje, ndërsa ushqimet kontribuuan me vetëm 0,1 pikë.
Pra, nuk është forcuar ekonomia prodhuese. Është rritur përkohësisht vlera e disa kategorive të eksporteve, të përqendruara te ndërtimi.
Edhe pamja afatgjatë e rrëzon propagandën. Nga viti 2014 deri në vitin 2025, vlera e eksporteve në lekë u rrit me rreth 36%, por sasia fizike e mallrave të eksportuara ra me rreth 14%.
Në letër, eksportet e Shqipërisë vlejnë më shumë; në realitet, vendi eksporton më pak mallra.
Zhvlerësimi i euros krijon edhe një mashtrim optik. Kur eksportet konvertohen në euro, vlera e tyre duket shumë më e madhe. Por për eksportuesin që faturon në euro, realiteti është i kundërt: për të njëjtën kontratë merr më pak lekë për pagat, energjinë, taksat dhe kostot e prodhimit.
Goditjen më të rëndë po e merr fasoneria, e cila përbën rreth 30% të eksporteve të mallrave dhe punëson dhjetëra mijëra qytetarë.
Pas euros së lirë qëndrojnë fabrika që mbyllen, kontrata që largohen dhe vende pune që humbasin. Ndërkohë, burimi dhe qëndrueshmëria e flukseve të mëdha valutore, të cilat kanë mbiçmuar artificialisht lekun, vazhdojnë të mbeten pa një shpjegim transparent.
Edhe rritja ekonomike e raportuar nga INSTAT tregon të njëjtin problem. Në vitin 2025, industria ra me 3,72% dhe bujqësia me 2,5%. Administrata publike, arsimi, shëndetësia dhe taksat neto dhanë së bashku rreth 77% të rritjes ekonomike prej 3,66%. Kjo do të thotë se sot ekonominë po e mbajnë në këmbë shpenzimet e shtetit dhe jo biznesi.
Kjo është e vërteta pas perdes së propagandës: sektorët që duhet të prodhojnë, të eksportojnë dhe të krijojnë vende pune po bien.
Një shifër mujore mund të shërbejë për propagandë. Por nuk mund të zëvendësojë fabrikat që mbyllen, vendet e punës që humbasin dhe familjet që çdo ditë e kanë më të vështirë të përballojnë jetesën.

Swiss Digital Desktop Reklama
Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A mendoni se në shtator kryeministri do bëjë ndryshime në Qeveri?