Jorida Tabaku: Shqipëria po ndërton ekonomi që nuk prodhon, tkurrje e industrisë dhe bujqësisë

Nga Jorida Tabaku:

Shifrat e fundit ekonomike nuk janë thjesht statistika. Janë një paralajmërim.
Të dhënat e publikuara nga Banka e Shqipërisë dhe INSTAT tregojnë se, ndërsa ekonomia shqiptare vazhdon të rritet në letër, kapacitetet prodhuese po përdoren gjithnjë e më pak. Industria dhe bujqësia janë në rënie, ndërsa rritja mbahet pothuajse ekskluzivisht nga turizmi, ndërtimi dhe shpenzimi publik.
Kjo nuk është një fazë kalimtare e padëmshme por shenjë e një modeli ekonomik të pabalancuar.
Ajo që po ndodh sot është zhvendosje e burimeve nga prodhimi drejt fitimit të shpejtë.
Sektorët që po rriten më shpejt po thithin kapitalin, fuqinë punëtore dhe vëmendjen e politikave publike. Si pasojë, prodhimi vendas – industria dhe bujqësia – po mbetet pa investime, pa punëtorë dhe pa perspektivë.
Kostot në ekonomi rriten, eksportet dobësohen dhe mallrat e importuara zëvendësojnë gjithnjë e më shumë prodhimin vendas. Një rritje që duket pozitive në sipërfaqe, në fakt po gërryen themelet e ekonomisë.
Në këto kushte, Shqipëria nuk po ndërton një ekonomi prodhimi. Po ndërton një “ekonomi hoteli”.
Një ekonomi që nuk prodhon mallra, nuk krijon zinxhirë vlere dhe nuk eksporton dije apo industri. Një ekonomi që shet shërbime, shfrytëzon tokën dhe ndërton beton. Një ekonomi që jeton nga sezoni, moti dhe flukset e momentit.
Industria dhe bujqësia po tkurren jo sepse janë të paafta, por sepse mjedisi ekonomik i ndërtuar sot nuk i shpërblen ato.
Pasojat po i ndjejmë çdo ditë.
Kostoja e jetesës rritet më shpejt se mirëqenia reale. Pagat rriten jo nga produktiviteti, por nga mungesa e punëtorëve për shkak të emigracionit dhe demografisë. Fitues janë pronarët e tokës dhe pasurive të paluajtshme. Humbëse është shtresa e mesme, bizneset prodhuese dhe të rinjtë që nuk shohin perspektivë afatgjatë.
Kjo është një ekonomi që polarizon shoqërinë dhe dobëson themelet e saj.
Një vend nuk mund të bëhet i pasur duke i shërbyer turistëve dhe duke ndërtuar pafund.Pa industri, pa bujqësi konkurruese dhe pa dije teknike, Shqipëria rrezikon të mbetet përgjithmonë një ekonomi e të ardhurave të mesme – një vend pushimi për të tjerët, por jo një vend me fuqi reale ekonomike për qytetarët e vet.
Kjo nuk është rrugë zhvillimi.
Është rrugë varësie.

Swiss Digital Desktop Reklama
Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Si ishte viti 2025 për ju?