Jorida Tabaku: Vonesat 2-vjeçare në rivlerësimin e pronave ulin të ardhurat, favorizojnë ndërtuesit
Deputetja e PD-së, Jorida Tabaku në seancën e pyetje-përgjigjeve në Kuvend me ministrin e Financave ngriti shqetësime mbi zbatimin e ligjit “Për rivlerësimin e pasurive të paluajtshme”, dhe ndikimin e tij në të ardhurat buxhetore. Gjatë fjalës së saj në Kuvend, Tabaku kujtoi se ligji i miratuar në dhjetor 2025 synonte t’i jepte fund një ngrirjeje 10-vjeçare të vlerësimit të pronave, të bazuara në çmime reference të vitit 2016.
Deputetja theksoi se për afro 2 vite qeveria ka mbajtur të bllokuar procesin e rivlerësimit, me argumentin e hartimit të çmimeve të reja referencë, sidomos për zonat jashtë kryeqytetit dhe ato bregdetare. Megjithatë, këto referenca ende nuk janë miratuar, duke lënë në fuqi çmime të ulëta krahasuar me tregun real.
Sipas Tabakut, kjo diferencë krijon një efekt të drejtpërdrejtë në të ardhurat publike. Ajo argumentoi se në shumë raste çmimet referencë rezultojnë shumë më të ulëta se çmimet reale të tregut, çka ul bazën e tatueshme të tatim-fitimit dhe të taksave të tjera mbi transaksionet. Për të buxheti i shtetit dhe bashkitë humbasin të ardhura të konsiderueshme çdo vit.
Duke iu referuar zhvillimeve në sektorin e ndërtimit, Tabaku vuri në dukje se në vitet e fundit janë ndërtuar rreth 9 milionë metra katrorë sipërfaqe, një volum që sipas saj rrit edhe riskun për informalitet dhe deklarime fiktive të çmimeve. Ajo theksoi se sektori i ndërtimit mbetet ndër më problematikët për sa i përket transparencës dhe potencialit për pastrim parash. Në këtë kontekst, deputetja ngriti disa pyetje drejtuar ministrit të Financave.
”Sa janë humbjet konkrete në të ardhurat buxhetore si pasojë e mosmiratimit të çmimeve të reja referencë? Pse u mbajt i bllokuar për rreth 2 vite procesi i rivlerësimit, ndërkohë që referencat e reja ende mungojnë? A krijon kjo situatë avantazh për ndërtuesit dhe zhvilluesit imobiliarë, duke u mundësuar atyre të paguajnë më pak taksa?”, pyeti Tabaku. Ajo kërkoi nëse ka një plan të qartë nga Ministria e Financave për metodologjinë e re të çmimeve referencë, duke theksuar se ato duhet të reflektojnë vlerat reale të tregut. Sipas saj, vetëm një sistem i tillë mund të sigurojë uljen e informalitetit, rritjen e të ardhurave buxhetore dhe trajtim të barabartë fiskal për qytetarët dhe bizneset.
KOHA JONË SONDAZH

