Ka dalë një koncension tepër, përse nuk e merr njeri?
Nga Mentor Kikia
Ministria e Transporteve ka dështuar disa herë me radhë që të japë me koncension mirëmbajtjen e rrugës Milot-Morinë, pra ajo që quhet Rruga e Kombit. Ajo është rrugë e madhe, dhe kërkon kosto të madhe të mirëmbahet. Eshtë ndërtuar edhe shkel e shko, për të lënë ca para “mënjanë” dhe kur bien reshje, rrëshqitjet e dherave e gurëve bllokojnë rrugën në shumë segmente. Koncensionari do të vendosë një tarifë për ata që do të kalojnë aty dhe do të marrë përsipër mirëmbjatjen. Eshtë forma tipike e një koncensioni. Shteti nuk ka takat të ofrojë një shërbim dhe ia kalon atë një sipërmarrësi privat, por askush nuk po e merr. Në garë paraqiten përgjithësisht kompani të huaja dhe ato japin oferta që sipas qeverisë janë të larta, jo të leverdisshme.
Nuk po i hyj teknikaliteteve…
Por përse vallë nuk i del njeri për zot këtij koncensioni? Këtu janë dhënë me koncension të gjitha vendburimet naftës, ku kompanitë i kanë vënë zorrën puseve e po ia thithin gjakun kësaj toke, pa paguar asnjë taksë. Qindra miliona Euro në vit…Eshtë dhënë me koncension ngjyrosja e karburantit, që një privat ti hedhe një solucion brenda autobotit, sepse këtë nuk e bën dot shteti vetë. Qindra miliona Euro në vit… Eshtë dhënë me koncension edhe skanimi në dogana. Dhjetra miliona Euro në vit…Eshtë dhënë edhe hemodializa, një shërbim që fare mirë mund ta kryente spitali i shtetit. Dhjetra miliona Euro në vit… Janë dhënë me koncension sterilizimi i veglave të kirurgjisë, se nuk i bën dot spitali vetë. Dhjetra miliona Euro në vit.…Eshte dhënë me koncension bërja e analizave të gjakut dhe vizita e zemrës, ku një kompani private merr paratë dhe shërbimin e ofron po ambulanca e shtetit. Dhjetra miliona Euro në vit…Janë dhënë me koncension edhe hipotekat, që ti të paguash para tek privati, në mënyrë që zarfi i dokumenteve të shkojë nga kati i parë në të dytin, ku është zyra e shtetit. Dhjetra miliona Euro në vit… Pritet të jepet me koncension edhe larja e pjatave dhe tenxhereve në kuzhinat e spitalit, gatimi i supës në kopshte, fshirja e dërrasës së zezë në shkolla, lyerja e kepuceve te nepunesve te administrates etj …
Po rrugën pse nuk e merr ndonjë nga këta sipërmarrës kaq të sukseshëm? Apo ky është i vetmi koncension ku duhet të investosh. Këta të tjerët janë vetëm për të zhvatur.