Kafka e humbur e arkitekt Sinanit

Nga Pirro Prifti/Një problem i madh ka shpërthyer në Turqinë e Erdoganit: Është zhdukur kafka e Mimar Sinan ose siç e quajnë ne këtu në Shqipëri, arkitekt Sinani.

Në fillim të këtij muaji Kryeministri turk Ahmet Davutoglu ka filluar një fushatë për të gjetur kafkën e humbur.

 Kryeministri i sotëm turk ka urdhëruar rinisjen e një hetimi brenda Xhamisë për të gjetur kafkën e arkitektit me nam, i cili ishte krijuesi i xhamisë madhështore të Sulejmanisë dhe të shumë veprave të tjera arkitekturore.

Mendohet se varri i arkitektit të madh, i cili ishte brenda kompleksit të Xhamisë madhështore të Sulltan Sulejmanit (Suejmanie) të Shek XVI.

Trupi i tij u zhvarros nga vitet ‘30 për të bërë analiza ADN-je dhe ato antropometrike, me qëllim që të përcaktonin identitetin etnik të arkitekt Sinanit.

Që atëherë kafka e trupit të zhvarrosur të Arkitekt Sinanit humbi dhe nuk është gjetur dhe sot e kësaj dite.

 Kjo nismë e atëhershme ishte marrë nga orientimi i Presidentit Qemal Ataturk të atëhershëm për të përcaktuar gjithë banorët e Turqisë si etni turke me qëllim që të mos kishte minoritete për shkak të frikës se mos Republika Turke laike e themeluar nga Qemal Ataturku të mos kishte më problem me minoritetet brenda Turqisë së atëhershme për shkak të prurjeve nga ish- Perandoria e sulltanëve turq.

Kështu që ideja ishte se kush banonte në Turqi ishte me etni turke dhe shtetas turk. Sipas shkrimit të analistit politik të çështjeve të politikës jashtme të Uashingtonit, Ishaan Tharor, të dt. 26 prill 2016 me titull “Çfarë do të thotë për politikën turke kërkimi për kafkën e humbur Otomane” (https://www.washingtonpost.com/news/worldviews/wp/2016/04/26/what-the-search-for-a-missing-ottoman-s), çështja nuk është thjesht për të gjetur një kafkë qoftë ky edhe i një arkitekti shumë të nderuar në Turqi si Mimar (Arkitekt) Sinani (lindur më 1489/1490 – vdekur më17, 1588), me emrin origjinal Koca Mi’mâr Sinân Âğâ, por në fakt në këtë problem është përfshirë politika turke.

Historianët të gjithë janë dakord që arkitekti i famshëm për arkitekturën e tij madhështore të ndërtuar në Stamboll dhe Edërne, ishte konvertuar në islam, por kishte sipas tyre një origjinë greko-armene.

Për shekuj Perandoria Otomane përfshinte një mizëri multietnike të shumë popujve dhe të shumë kulturave që jetonin të gjitha nën sovranitetin e Sulltanëve të atëhershëm.

Sipas teorive me frymëzim racial të asaj kohe (të inspiruar nga Qemal Ataturku), një grup të ashtuquajtur `shkencëtarë` për ta vërtetuar këtë teori që të gjithë janë turq pra të superioritetit të racës turke, hapën varrin e arkitekt Sinanit më 1935 dhe morën kafkën për të përcaktuar nga ana antropologjike se kujt race i takonte.

 Gazetari turk Mustafa Akyol në vitin 2010 duke folur për kafkën e humbur të arkitekt Sinanit konfirmon këtë tendencë të asaj kohe, të cilën e karakterizon kështu: “Regjimi i atëhershëm dëshironte të zhdukte trashëgimin Otomane/Islamike dhe t’i jepte Republikës së re turke një identitet të ri dhe për pasojë edhe një burim krenarie të kombit, kështu që kishte gjetur zgjidhjen pjesërisht nëpërmjet racizmit”.

Argumenti se përse Kryeministri turk, si konfirmues i Presidentit Erdogan kanë nxitur përsëri nismën për të gjetur kafkën e humbur qëndron pikërisht tek ideja e vjetër raciste për racën e pastër turke duke krijuar në kohën e sotme një neo -otomanizëm nacionalist.

 Për këtë qëllim, Presidenti Erdogan së bashku me Kryeministrin Davutogllu si themelonjës të Partisë AKP, e cila është një parti islamiste në thelb (e moderuar), mori pjesë në lutjet në xhaminë e Stambollit aty ku dikur, Sulltanët osmanë kurorëzoheshin në mënyrë tradicionale.

Duke e parë me sy kritik mund të shohësh në dinamikë se politika e Erdoganit në ditët e sotme është larguar nga laicizmi dhe liberalizmi duke shkelur të drejtat e njeriut qoftë të gazetarëve dhe të shtypit të lirë mediatik ashtu dhe të minoritetit kurd, i cili përbën mbi 10% të popullatës së Republikës së Turqisë. Pra retorika e Erdoganit është larg ideve sekulariste të Ataturkut, por bashkohen përsa i përket problemit etnik duke ngritur racën turke si racë e vetme dhe më e mirë se të tjerat përreth, Erdogani i sotëm dhe Ataturku i djeshëm nuk kanë ndryshuar mendim.

Sot Erdogani është duke i mëshuar faktit që të ndryshojë Kushtetutën dhe të bëjë një të ashtuquajtur “Kushtetutë religjioze” dhe kjo ka shkaktuar një valë protestash si brenda ashtu dhe jashtë vendit. Problemeve të brendshme për të forcuar pushtetin e tij nëpërmjet shkeljes së të drejtave të njeriut, luftën totale kundër minoritetit kurd, duke arrestuar gazetarët, duke u mbështetur tek religjioni islamik për të larguar laicitetin, i janë shtuar dhe problemet e jashtme si: ashpërsimi i lidhjeve me Rusinë, qëndrimi i kundërt dhe hipokrit në luftën kundër ISIL ndaj koalicionit Anti-ISIL duke e maskuar këtë hipokrizi me qëndrimin ndaj refugjatëve dhe marrëveshjen me Kancelaren Merkel për të mbajtur refugjatët në Turqi në këmbim të 6 miliardë dollarëve dhe premtimin për të hyrë në BE.

 E parë në këtë aspekt, problem i kafkës së Arkitektit të famshëm Sinani, i shërben forcimit të pushtetit duke u përpjekur të bëjë për vete popullin turk me demagogjinë Goebelsiane të racës së pastër turke në një amalgamë me islamin, duke e ditur mirë që populli turk është fetar shumë sidomos pjesa rurale, por mund të them se ish- perandoria turke nuk ka popullsi homogjene pavarësisht përpjekjeve për ta paraqitur si të tillë vendin. Sipas një gjenerali turk, 3 në pesë turq të ditëve të sotme ka origjinë shqiptare.

Sa për arkitekt Sinanin ne mund t’u themi turqve që arkitekt Sinani është më shumë shqiptar se turk dhe nuk është saktësisht greko-armenian i konvertuar në islam.

 Arkitekt Sinani i quajtur edhe “Mikelanxhelo i Orientit”, ra marrëzisht në dashuri me Mihrimarin bijën e Sulltan Sulejmanit, ka një origjinë të diskutuar shqiptare, sepse Vetëm burimet gjermane nxjerrin origjinën shqiptare të Sinanit.

 Sipas Xhevahir Spahiut një përpjekje kanë bërë edhe dy studiuesit, Gjergj Frashëri dhe Sul Domi. Studiuesit e nxjerrin Sinanin me origjinë nga Qesarati i Tepelenës. Kundrejt Qesaratit, përtej Vjosës, ndodhet pikërisht fshati Sinanaj, që sipas studiuesve të mësipërm ka qenë pronë e arkitekt Sinanit.

 Në Shqipëri me emrin e tij është e lidhur edhe xhamia në qendër të Vlorës dhe me një kështjellë, rrënojat e së cilës ndodhen në vendin, ku aktualisht gjendet stadiumi “Flamurtari”.

Një linjë indirekte që tregon se arkitekt Sinani ishte me origjinë shqiptare është se në oborrin e sulltanëve pas vdekjes së tij erdhi një tjetër arkitekt shqiptar nga Elbasani, Mehmet Sedefqari, i cili bëri Xhaminë blu.

Pas tij erdhi arkitekt Kasemi. Kjo është linja e arkitektëve shqiptarë në oborret e sulltanëve.

Pra për më tepër vihet në dyshim nëse turqit në të vërtetë janë turq apo shqiptarë. Këtë duhet ta ketë ndërmend Kryeministri Davudogllu dhe poeti turk, i cili ofendoi shqiptarët duke thënë se nëse ka shqiptarë në Turqi atëherë…le të ikin nga kanë ardhur, duke dhënë të kuptohet që nuk ka minoritet shqiptar në Turqi; sidoqoftë kjo tregon ndryshimin e politikës turke edhe ndaj miqve të saj si Shqipëria dhe Kosova apo Bosnja, të cilat shihen si me “origjinë turke” se sa si etni të tjera. Këto politika të reja të Turqisë së sotme, mund të pengojnë Turqinë të integrohet në BE, por mund të ngadalësojnë edhe integrimin e Shqipërisë nëse politika shqiptare e sheh Turqinë si të vetme burim mbështetjeje përveç BE-së.

SHKARKO APP