Kambanat e së keqes së përbashkët

Nga Albana Bano/Ka disa ditë që në mediat e huaja (dhe vendase) po diskutohet vendimi i Presidentit të Maqedonisë për të falur një numër politikanësh dhe punonjësish të administratës, të cilët po hetohen për korrupsion dhe abuzim me pushtetin.

Tek  lexoja këto të reja mbi fqinjin tonë lindor, në mendje më erdhi një bisedë e para dy-tre viteve me një nëpunës maqedonas, i cili me të drejtë rrëfente plot kënaqësi se vendi i tij ia kishte dalë mbanë të kryente reforma kyçe përsa i përket përmirësimit të cilësisë, efiçencës, si dhe pavarësimit të gjyqësorit.

Në ato kohë, në Shqipëri, ndonëse flitej pa pushim mbi korrupsionin dhe mos-funksionimin e sistemit të drejtësisë, nuk kishin nisur ende debatet dhe diskutimet publike për një reformë të re tërësore dhe efikase në këtë drejtim. Ndaj kur dëgjova se Maqedonia kishte hedhur këtë hap të rëndësishëm para, mendova se diferenca me ne ishte më cilësisht e dallueshme, nga sa e kisha pandehur.

Por, pas një morie minusesh në lidhje me zbatimin e reformave në drejtësi të evidentuara dhe në Progres Raportet e BE-së për Maqedoninë, nuk kaloi shumë dhe arbitrariteti ballkanas bëri të tijën: persona të inkriminuar dhe të korruptuar, nuk do të ndëshkohen nga ligji sikurse e kërkon gjithnjë interesi kombëtar. Përkundrazi, sipas presidentit maqedonas, ata do të falen se kështu e kërkojnë pikërisht “interesat kombëtare”.  Nga ana tjetër, shqetësuese është dhe shpërthimi i beftë i retorikës nacionaliste nga Ivanovi, çështje kjo që meriton një analizë më vete.

Mosfunksionimi i reformës në drejtësi në Maqedoni do të ishte zhgënjyes dhe  rrezikon të ndezë alarmin për vendet e tjera në rajon (Ballkani Perëndimor/BP).

Pse do të ndizej ky alarm? Së pari sepse problemet në gjyqësor janë një karakteristikë e përbashkët e vendeve të BP, ashtu sikurse janë  thuajse të gjitha të këqijat në rajonin tonë, dhe së dyti, qasja rajonale që BE-ja praktikon për vlerësimin dhe përafrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor me Unionin, shpesh shfrytëzohet për shkëputjen e problemeve individuale nga përgjegjësia direkte e shtetit përkatës dhe delegimin e tyre nën ombrellën rajonale me petkun e një sfide të përbashkët, duke evituar kështu përgjegjësinë e vetme dhe të drejtpërdrejtë të faktorit politik vendas në trajtimin e këtyre të çështjeve, si dhe duke bërë që reforma të panumërta për të cilat investohet mund dhe sakrifica, të zhvlerësohen përballë autoritarizmit dhe politikës dallkauke në rajon.

Kështu, krahas rrjeteve të bashkëpunimit konstruktiv në kuadër të proceseve politike të paqësimit, sigurisë dhe pajtimit në rajon (në të cilat Shqipëria luan rol të dorës së parë), kemi dhe rrjetet e përbashkëta të autokracive, oligarkëve, korrupsionit, krimit të organizuar, trafikut, etj.

Pra, në këtë kuptim, minimi i reformës në Maqedoni rrezikon të reflektohet në vendet fqinjë dhe të kthehet në një të keqe të përbashkët  që të shfrytëzohet lehtësisht si precedent për zhvlerësimin e përpjekjeve për demokratizim dhe reformimin tërësor të shteteve tona.

Konkretisht për Shqipërinë: jemi në një përpjekje të re për të siguruar pavarësinë, rritur besueshmërinë dhe përmirësuar cilësinë e sistemit të drejtësisë. Reforma e 1998-s dështoi, pavarësisht se referuar raportit të ndërmjetëm të grupit të ekspertëve të Komisionit të Venecias për draft-projektin e reformës në drejtësi (18 dhjetor 2015): “Kushtetuta aktuale e Shqipërisë e vitit 1998, u përgatit në bashkëpunim të ngushtë me Komisionin e Venecias. Dispozitat ekzistuese kushtetuese që përcaktojnë statusin e gjyqësorit, janë në teori të mjaftueshme për llogaridhënien e gjyqësorit”.

Pra, teorikisht Shqipëria nuk kishte nevojë të ndërmerrte një reformë kaq drastike të sistemit të drejtësisë, pasi e kishte tashmë kuadrin e duhur ligjor konform standardeve ndërkombëtare. Sërish, sistemi i drejtësisë dështoi të funksiononte jo si pasojë e paaftësisë, por si rezultat i mungesës së vullnetit politik për ta zbatuar atë në praktikë.

Gjithashtu, mjerimi në të cilin u katandis gjyqësori në Shqipëri, nuk mund të shkëputej e të mos reflektonte gjerësisht gjendjen e përgjithshme në Ballkan. Ndërkohë, pas dështimit të reformës së parë, qëndrimit të lëkundur të partive politike kundrejt reformës së re, si dhe pas sinjaleve nga Maqedonia, garancitë e vetme për realizimin me sukses të reformës së dytë në drejtësi janë këmbëngulja e SHBA dhe BE, e deri diku dhe orientimi i qartë perëndimor i Shqipërisë si kundërpeshë e orientimeve të turbullta të disa fqinjëve.

Aktualisht gjendemi në një pikë kyçe të zhvillimit të vendit. Të mos biem pre e injorancës që ushqen retorikat folklorike dhe të mos e delegojmë problemin tonë në rrjetin  e të këqijave të përbashkëta. Ta mbajmë atë për vete dhe të mundohemi ta zgjidhim së bashku me aleatët tanë strategjikë konform interesave jetike kombëtare për demokraci, shtet ligjor dhe progres.

SHKARKO APP