Kapedanët e Zaloshnjës
Nga Asqeri Diko
Viti 2017, i solli fshatit të Zaloshnjes, një ngjarje të rëndësishme për brezat që vijnë. Kjo qe Data e 20 Gushtit 2017. Kjo datë e ka origjinën që na viti 1860, kur u lind Mahmut Muhamet Zaloshnja, i cili do të hynte në historinë e vendit, si një atdhetar e komandant çete kundër taborëve osmane e ushtrive pushtuese. Gjithashtu, shkruajmë me krenarinë e ligjshme historike, se kjo ngjarje e paharruar për vitet që do vinin, e ka zanafillën dhe nga viti 1885, kur në Zaloshnjën e Burrave të Lirisë, u lind një tjetër djalë me emrin, Servet, djali i Asllan Dostit Zaloshnja dhe i Afifes, mësuesi, trimi dhe komandanti i formimit të çetave kryengritëse, kundër ushtrisë turke dhe ushtrive të tjera të huaja. Me këta Burra dhe me trimat e tjerë të çetës së fshatit, të komanduar nga këta syshqiponja, në maj 1905, siç ishin: Sakoll Dosti, Sejdin Shimi, Sadik Kuçuku, Hodo Sojati, Fejzo Feka, Osman Ismaili, Fejzi Shimi, Alo Dyrmishi, Hasan Dosti, Hajrulla Çarçani, Hamzo Balliu, Sako Shimi dhe të tjerë mbi 80-90 veta dhe trimat e LANÇ-re, filloi e vazhdoi, Historia e Zaloshnjës së Shqipërisë. Shekuj shkojnë e shekuj vijnë, por kujtesa dhe arkivat, e kujtojnë historinë. Koha ecën dhe ajo vëzhgon kohërat, duke gjetur në këto arkiva dokumente të tjera. Kështu ndodh dhe me kapedanët e Zaloshnjës. Janë gjetur mjaftë dokumente si në AQSH, ashtu dhe tek njerëzit e tyre, që i kanë mbajtur dokumentet, me kujdesin më të madh. Në këtë drejtim, duhet të përmend, Servet Bardhyl Zaloshnja, nipin e Servet komandantit, që tani është në Kanada, Dragush Muharrem Butka dhe Roland Pandeli Përmeti. Kapedanët e Zaloshnjës, Mahmuti dhe Serveti, duke filluar që nga vitet 1900, po e ndërgjegjësonin popullin e fshatit, se duhej luftë e organizuar, kundër taborëve osmane. Ata ngritën fillimisht në këmbë tërë popullin e atij fshati, dhe më pas popullin trim të Tomorricës, duke shkuar deri në Sulovë, e në tërë rrethinat e Gramshit, të Skraparit dhe në Jugë të Shqipërisë. Serveti, formoi Çetën e Parë në Skrapar, maj 1905, në Zaloshnjë, siç shkruan “Heroi i Popullit”, Riza Cerova dhe më pas në vitin 1908, me trima të tjerë nga Tomorrica, Berati, Mallakastra, Gramshi, etj. I pari në këtë fushë atdhetare, u radhit Mahmuti me trimat e fshatit. Ai kishte luftëtarë dhe nga Grëmshi i arkitekt Kasëmit. Mahmuti, kishte lidhje me Qerim Grëmshin dhe me Meleq Shëmbërdhenjin, me Sali Butkën etj. Për jetën e këtyre trimave, është shkruar në libra, por, sa më shumë të bëhen studime, aq më shumë dokumente gjenden në arkiva. Pikërisht, këta kapedanë të Zaloshnjes, e ndritën fshatin, Skraparin e atdheun. Këto histori të ndritshme, do ta udhëhiqnin edhe më tej brezin e ri të këtij fshati. Do të vinte Koha e madhërishme si atëherë dhe lidhja historike e brezit tjetër, do ta kujtonte krenarinë e së Djeshmes. Dhe koha erdhi. Erdhi mbas 112 vitesh, që nga koha, kur Servet syshqiponja, në maj 1905, ngriti në këmbë popullin e fshatit, të Tomorricës, të Skraparit dhe të Shqipërisë së Jugut, për lirinë e shumëkërkuar.
Data 20 gusht 2017, qe në Zaloshnjen e Kapedanëve, Dita e Kuvendit të Ri dhe e vazhdimit të Kuvendeve të Historisë që ishin bërë në këtë fshat të Lashtësisë. Me plotë gojën, këtë përmallim njerëzish të 27 viteve të shkuara, unë, që në fillim, e quajta me emrin: “Kuvendi i Zaloshnjarëve”. Dhe me të vërtetë kështu u emërtua nga njerëzit që shkruan. Pra, ky qe Kuvendi i Ri, që sinjalizoi vazhdimin e traditave të Historisë në këtë vend. Dita e 20 gushtit, 2017, qe dhe do të ngelet dita e madhërishme, pas 112 viteve sigurisht, përveç datave të tjera të LANÇ-re dhe të ndërtimit të fshatit. Vullkani i zjarrtë i dashurisë, i bashkimit, mori përmasa të veçanta, kur ideatori i Kuvendit të ri, Bujar Myslim Qato, mbajti fjalën e përshëndetjes para të pranishmëve. Emocione të papërshkuara, të shumta tek të gjithë!
Kanë kaluar gjashtë ditë, nga ai Kuvend i madh. Vlaga e tij, ngjarja e 20 gushtit, 2017, duket se ende po vazhdon, atje në Zaloshnjë, në shkollën 9- vjeçare, “Xhevahir Sula”. Le të jetë ky Kuvend i Ri, një mbarësi për popullin e Zaloshnjës, kudo ku ai jeton! Le të jetë një ngjarje e pashlyer në kujtesën e Zaloshnjes! Historia kurrë, të mos harrohet!
Prej vitesh unë jetoj në Turqi dhe nga kurbeti i shkretë, dëshiroj të t’ju them dy fjalë mësuesve dhe nxënësve të katundit tonë: Mësuesi i parë në Zaloshnje është Servet Asllan Zaloshnja, që në vitin 1900, i cili hapi shkollën në shtëpinë e tij dhe të Mahmut Zaloshnjes, më 10 maj 1909 dhe vazhdoi me ndërprerje, deri në vitin 1914. Ai qe mësuesi i parë në Tomorricë dhe ndër të parët në Skrapar. Në shtëpinë e tyre, vinin për të mësuar dhe nga disa fshatra të Skraparit. Shtëpia e tyre, ka qenë shtëpia e mësimit të Gjuhës Shqipe dhe e kuvendeve, e mbledhjeve, ku vinin nga i gjithë Atdheu, Burrat e Lirisë, që në kohën kundër turqve e deri në çlirimin e vendit, për ta ngritur popullin e Shqipërisë, kundër armiqve.
Mësues të nderuar, të atij fshati historik, krahas mësimeve ditore, të programuara nga Ministria e Arsimit, duhet që të mësohet dhe kjo histori e madhe e shkëlqyer e popullit të Zaloshnjes, e Skraparit dhe e Shqipërisë. Këtë punë e bëjnë mësuesit e mirë. Ajo shtëpi që rri pa njerëz, qëndron kryelartë edhe sot e Nesër dhe u tregon brezave Historinë e saj, të ndritur. Ajo shtëpi, duhet ruajtur e rregulluar se ajo mban në muret e saja dhe në dhomat e saja, Historinë e Trimave të Shqipërisë. Këtë shtëpi, duhet ta ruani si sytë e ballit! Si sytë e ballit, të ruani edhe kufijtë e Zaloshnjës, me fshatrat që e rrethojnë. Kjo është HISTORIA.
Mbas këtij takimi, fillon historia tjetër. Ju, sigurisht, krahas mallit, do të formoni bërthamën historike, të mbijetesës historike të popullit të Zaloshnjes, kudo që të jeni. Po kush është kjo bërthamë? Është formimi i shoqatës kulturore-historike, me titull: “Zaloshnja, nëpër Vite”, mendoj unë.
Bijtë e bijat e popullit të Zaloshnjes duhet të mos e harrojnë kurrë vendlindjen, kudo që të jenë. Zaloshnja, është foleja jonë e përmallimit. Atje, duhet ta mbështesim kokën! Atje të rrimë, se floririn e kemi në tokën tonë dhe jo në mërgim. Mos e harroni kurrë Historinë e trimave të Zaloshnjes e të Skraparit! Kuvendin e Mallit për zaloshnjarët e larguar nga ajo tokë, mbas viteve 1990, nuk do ta harrojmë. Ky Kuvend, le të bëhet si pjesë përbërëse e historisë së Zaloshnjes dhe të bëhet dhe në vite të tjera.
Përshëndetje nga Turqia dhe me 5 librat që kam shkruar për popullin e atij katundi, që në kohën ilire, jam tepër i gëzuar dhe them se diçka kam bërë për Zaloshnjen. Brezi i ri, duhet të shkruaj më shumë, për historinë e Lashtë dhe të re, të Zaloshnjes sonë, që ai fshat, ta ngrejë më lart krenarinë. Atë fshat ta bëjmë më të lumtur, në vitet që do të vijnë!