Kapitalistë, ngrihuni të përballemi me pabarazinë!

 

Nga Peter Georgescu, The New York Times

Unë kam frikë. Miliarderi Paul Tudor Jones ka frikë. Miku im Ken Langone, themelues i Home Depot, ka frikë. Po kështu janë frikësuar shumë shefa ekzekutivë. Jo nga Al Kaaeda ose barbari Shteti Islamik apo ndonjë grup tjetër radikal nga Lindja e Mesme, Afrika ose Azia. Ne jemi të trembur nga fakti se ku do të na çojë pabarazia e të ardhurave.

Për 20 për qind të amerikanëve, jeta është shumë e mirë. Por 40 për qind, janë të varfër. Çdo vit ata shpenzojnë më shumë se ç’kanë. Ndërsa kaq shumë njerëz janë në vështirësi, edhe atyre në anën e sipërme të klasës së mesme u mbeten shumë pak pasi paguajnë faturat e tyre: mesatarisht 1300 dollarë në muaj. Një vrimë në çati dhe ata janë në telashe. Nëse nuk trajtojmë pabarazinë, hendeku në të ardhura me shumë gjasë do të zgjidhet në njërën nga këto dy rrugë: me trazira sociale të mëdha ose përmes taksave shtypëse, si 80 për qind normë taksimi për të ardhurat mbi 500 000 dollarë, e sugjeruar nga Thomas Piketty, ekonomisti francez dhe autori i librit best-seller “Capital in the Twenty-First Century” [Kapitali në shekullin e njëzetë].

Ne po krijomë një sistem kaste nga i cili është e vështirë të dalësh, përveç pak njerëzve me mendje të ndritur, aftësi atletike ose fat. Kjo është arsyeja pse jam i trembur. Ne rrezikojmë të humbasim motorin kapitalist që na solli sukses ekonomik të madh dhe mënyrën tonë të jetesës. Ken Langone dhe unë i jemi mirënjohës këtij vendi, dhe jemi takuar me shefa ekzekutivë, në përpjekje për të bërë diçka për pabarazinë.

Ky vend na ka dhënë mundësi të mahnitshme. Unë jam një emigrant, që erdha në SHBA si adoleshent nga Rumania më 1954. Isha ndarë nga prindërit e mi kur isha 7 vjeç, sepse ata kishin udhëtuar për në SHBA dhe nuk mund të ktheheshin në Rumani, kur ajo u vendos nën kontrollin e Bashkimit Sovjetik. Kur isha 10 vjeç më çuan në një kamp pune të rënë së bashku me vëllain 15 vjeç. Me ndihmën e popullit amerikan dhe ndërhyrjen e presidentit Dwight D. Eisenhower, ne u ribashkuam me prindërit tanë pas pesë viteve në kamp. Nga mirësia dhe keqardhja, mua më ftoi drejtori i Akademisë Phillips Exeter për të ndjekur shkollën e tij. Prej andej shkova me studime në universitetin e Princetonit dhe Stanford Business School. Gjatë më shumë se 50 vjetëve në marketing, reklama dhe biznesin e marrëdhënieve me publikun, më ndihmuan shumë njerëz të mirë që të realizoja ëndrrën amerikane.

Ken Langone ishte i pari në familjen e tij të mbaronte shkollën 9-vjeçare dhe të shkonte në kolegj. Gjyshi i tij e siguroi jetesën e tij në Itali me punë krahu. Ai ka qenë i suksesshëm në biznes dhe filantropi. Spitali Universitar i Nju Jorkut u kthye në Qendrën Mjekësore Langone Universitare të Nju Jorkut. A do të mundeshin sot të rinj si Ken dhe unë të gjenin këto mundësi? Mendoj se jo. Kush do të kishte kurajë të niste rrokullisjen e topit. Zgjedhja më e dukshme është qeveria jonë. Por Kongresi është paralizuar. Ne, liderët e biznesit e dimë çfarë të bëjmë. Po a kemi vullnetin ta bëjmë? Jemi të gatshëm të kontrollojmë babëzinë e ekzagjeruar në kulturën tonë sot dhe të devijojmë burimet drejt edukimit më të mirë dhe krijimi të mundësive më të shumta? Biznesi do të përfitojë më shumë nga një Amerikë e shëndetshme, dhe do të humbasë më shumë nga trazirat sociale ose taksat ndëshkuese.

Biznesi mund ta fillojë procesin në dy hapa. Një, të investojë për krijues realë të vlerës – punëmarrësit. Të fillojë të kompensojë me drejtësi, me të cilën nënkuptoj një pagë që i mundëson punëtorët të kenë pjesë në rritjen e prodhimit dhe krijimin e novacioneve. Fakti që pagat reale kanë qenë të sheshta për rreth katër dekada, ndërsa prodhimi është rritur me 80 për qind, tregon çfarë nuk ka ndodhur. Para fillimit të viteve 70, pagat dhe prodhimi rriteshin së bashku. Tani shumica e fitimeve nga prodhimi shkojnë për aksionarët, jo punëtorët. E dyta, bizneset duhet të investojnë në mënyrë agresive në veprimtaritë e tyre, duke e kthyer fitimin në industri dhe novacione për të përmirësuar rezultatet e biznesit. Sot shumë korporata i pakësojnë investimet për kërkime, zhvillime dhe ndërtimin e markës [brand]. Dhe për rrjedhojë, shikojmë një rënie të përgjithshme në vlerën e markave dhe aseteve të tjera të tyre. Për të kompensuar humbjet nga kjo rënie dhe të ardhurat anemike, bizneset riblejnë aksionet (tani në nivele rekord) dhe kështu rrisin artificialisht fitimet për çdo aksion. Dikush duhet ta thyejë akullin; dikush duhet të udhëheqë.

Kompanitë, përfshi Home Depot, Costco Wholesale, Whole Foods, Publix, Qualcomm, Starbucks and Gravity Payments, po ndërmarrin hapa të vegjël, dhe i kompensojnë më shumë punëtorët. Këta janë hapat për të cilat kemi nevojë. Ndryshime të njëjta duhet të bëhen nga më shumë biznese. Ndërsa Ken dhe unë flasim me drejtuesit e biznesit dhe përpiqemi të rrisim mbështetjen për kauzën, gjejmë thuajse mirëkuptim unanim për natyrën e problemit dhe nevojën urgjente për zgjidhje. Ky është lajmi i mirë. Shqetësimi ynë është veprimi. Drejtuesit ekzekutivë na kanë thënë se që të paguajnë punëtorët më shumë ata kanë nevojë për më shumë ndihmë nga bordet, nga liderë biznesi të njohur, nga media dhe nga qeveria madje, për të luftuar presionin e vazhdueshëm të tregut për maksimizuar fitimet afatshkurtra të aksionarëve.

Kjo është mënyra për të filluar. Qeveria mund të krijojë incentiva taksimi për biznesin që të paguajë më shumë punëtorët që fitojnë 80 000 dollarë ose më pak. Ky program mund të ekzistojë për tre deri në pesë vjet dhe pastaj të vlerësohet për efektivitetin. Përfitimet do të jenë kolosale. Njerëzit do të kenë më shumë para për të shpenzuar, dhe shumë prej tyre nuk do të kenë nevojë për ndihmën e qeverisë. Kjo do të thotë pakësim i ndihmës sociale. Dhe e fundit, Amerika tjetër, ajo që s’ka arritur të dalë nga borxhi, do ta shikojë që ndihma po vjen – jo prej rritjes së përkrahjes së qeverisë, por si një mënyrë e ndarjes më të drejtë të punës së rëndë dhe vlerës të shtuar që gjeneron biznesi. Siç është provuar vazhdimisht, edhe aksionarët fitojnë, sepse punëtorët e kënaqur prodhojnë rezultate më të mira.

Mos janë këto ëndrra në diell? Aspak. Senatori Mark R. Warner, demokrat nga Virxhinia, po punon në një plan thuajse të ngjashëm bipartizan ta paraqesë në Kongres. Ende nuk e di se sa kushton kjo. Por mosveprimi do të jetë më i kushtueshëm. Emergjenca është e dukshme. Një sistem sipërmarrës i lirë dhe i përgjegjshëm dhe i drejtë është ende motori më i mirë i shpikur ndonjëherë për të krijuar nga ana tjetër dhe standarde më të larta jetese.

SHKARKO APP