Karburantet, sërish abuzime në shitje
Dukuri kjo e konstatuar dhe e denoncuar vazhdimisht nga kontrollet e Drejtorisë së Metrologjisë dhe Inspektoriatit Qendror Teknik, por së fundmi edhe nga autoritetet doganore. Për të konfirmuar në këtë mënyrë se në vendin tonë, vazhdon abuzimi me shitjen e karburanteve, si në cilësi, ashtu edhe në sasi. Konkretisht, gjatë kontrolleve të ushtruara nga të tilla autoritete, raportohen me dhjetëra raste të abuzimit me shitjen e produkteve nëpër pikat e karburantit në rang vendi. “Gjatë aksionit të zhvilluar në periudhën qershor-dhjetor 2014 janë kryer 1250 kontrolle ndaj subjekteve që tregtojnë karburante me pakicë, duke konstatuar shkelje nga ana e subjekteve në 130 raste”, citojnë autoritetet doganore lidhur me një fakt të tillë. Duke detajuar se këto shkelje konsistojnë në përzierjen e karburanteve të çertifikuara nga autoriteti doganor me produkte të tjerë energjitikë jashtë kontrollit fiskal dhe cilësor. Dhe se në të gjitha rastet janë aplikuar detyrime të munguara në shumën prej 9.26 milionë lekësh, duke i penalizuar këto subjekte me 152 milionë lekë në total. “Autoritetet doganore do të kërkojnë marrjen e masave për shlyerjen e detyrimeve të lindura, deri në mbylljen e aktiviteteve të subjekteve që kanë tregtuar karburante duke shmangur detyrimet doganore apo duke dëmtuar konsumatorin me cilësinë e dobët të tyre. Ajo do të vazhdojë ushtrimin e kontrolleve edhe në periudhat në vazhdim pranë subjekteve që tregtojnë karburant me pakicë, duke siguruar publikun për fiskalitetin, cilësinë dhe standardet e karburantit që ata konsumojnë”, kanë cituar burimet zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave. Kujtojmë sakaq, se abuzimet me cilësinë dhe sasinë e shitjes së karburanteve prej kohësh janë një dukuri e denoncuar nga autoritetet e enteve përkatëse. Kështu, nga ana e saj Drejtoria e Metrologjisë ka publikuar vjet shifrën e 341 pistoletave që kanë rezultuar me gabime të matjes së sasisë së karburantit jashtë kufirit ligjor të lejuar, gjatë kontrolleve të 488 aparateve matës të karburanteve, fakt ky që referon shkeljet e kryera pikërisht në aspektin e sasisë së shitjes së karburantit. Sikundër edhe shifrën e gjobës prej 10 milionë lekësh për 14 subjektet e konstatuara në shkelje. Ndërsa nga ana e tij, Inspektoriati Qendror Teknik ka referuar penalizimin e rreth 50 subjekteve gjatë fundvitit të kaluar për mungesë standardesh. Dhe për të gjitha këto shkelje të njëpasnjëshme që institucionet referojnë lidhur me shkeljet në shitjen e karburanteve, biznesi ka kërkuar nga ana e tij ngritjen e një Enti Rregullator të Karburanteve (ERK), i cili do të rregullojë sipas tij, pikërisht keqfunksionimin e vazhdueshëm të tregut të karburanteve në Shqipëri. Kujtojmë gjithashtu se tregu i karburanteve dhe gazit me një qarkullim vjetor prej 800-900 milionë eurosh/vit përbën tregun më të madh në vend me ndikim të drejtpërdrejtë në të gjithë sektorët e ekonomisë, sidomos në industri dhe në mirëqenien e qytetarëve shqiptarë.
TREGU
Ai i karburanteve dhe i gazit në vend siguron një qarkullim vjetor prej 800-900 milionë eurosh në vit dhe përbën tregun më të madh në vend me ndikim të drejtpërdrejtë në të gjithë sektorët e ekonomisë, sidomos në atë të industrive dhe në mirëqenien e qytetarë shqiptarë