“Kartolina” e OKB-së për Ramën, ja si vlerësohen objektivat e qeverisë
Pak më shumë se 24 orë përpara fjalës së kryeministrit Edi Rama në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, rrjeti SDG ka publikuar një indeks, që mat progresin e 157 shteteve drejt objektivave të paracaktuar për vitin 2030. Këto objektiva u shpalosën në vitin 2015 dhe fokusohen në 17 fusha, secila prej të cilave përfaqëson një objektiv kyç të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Publikimi erdhi njëkohësisht me çeljen e atij që quhet debati i përgjithshëm e që do të zgjasë mes datave 18 dhe 28 shtator, e ku do të flasin me radhë liderët e të gjitha vendeve anëtare, përfshirë kryeministrin shqiptar, i cili pritet që ta mbajë fjalën e tij ditën e Mërkurë.
Objektivat e zhvillimit të qëndrueshëm janë kryefjala e punimeve të asamblesë, dhe praktikisht kjo është kartolina me të cilën Rama do të përfaqësojë Shqipërinë.
Por, me shifra, çfarë thotë OKB për Shqipërinë. Së pari, e vendos në vendin e 63-të në botë, ndër 157 shtete, sa i përket progresit drejt përmbushjes së këtyre objektivave, me 68.9 pikë në total, nën mesataren rajonale që fiksohet në 69.9 pikë. Në rajon ndërkohë, Shqipëria lë pas Malin e Zi dhe Bosnje Hercegovinën, ndërkohë që Maqedonia dhe Serbia performojnë bindshëm më mirë.
Gjithsesi, më i rëndësishëm sesa krahasimi me rajonin është pikërisht progresi që Shqipëria ka bërë në këto 17 objektiva. Pikët minimale, pra progresin më të ulët vlerësohet ta ketë bërë në drejtim të inovacionit në industri dhe infrastrukturës, që është objektivi numër 9, me vetëm 24.6 pikë. Më pas ndjek objektivi i urisë zero dhe ai i jetës nënujore.
8 ndër 17 objektivave janë nën mesataren e Shqipërisë në pikëzim, çka do të thotë se, në vitet në vijim Shqipëria duhet të tregojë një angazhim maksimal në këtë drejtim. Progresi maksimal rezulton në objektivin e zero varfëri, atë të reduktimit të pabarazisë dhe në atë të qyteteve të qëndrueshme dhe komuniteteve.
Pikë të larta grumbullon edhe objektivi i cilësisë së arsimit si dhe ai i higjenës e ujit të pastër. Objektivi numër 8 ndërkohë, që i referohet punës së ndershme dhe rritjes ekonomike i jep Shqipërisë vetëm 56.9 pikë nga 100. Pikërisht në këtë objektiv, Shqipëria performon më mirë se të gjitha vendet e tjera në rajon, duke mbajtur vendin e parë.
Në krahasim me raportin e një viti më parë ndërkohë Shqipëria ka bërë progres të ndjeshëm, duke u ngjitur me pesë pozicione dhe duke grumbulluar më shumë pikë, nga 60.8 të një viti më parë. Në padijeni të fjalimit konkret të kryeministrit shqiptar, mund të themi se këto janë temat kryesore të diskutimit në OKB e për pasojë pritet të jenë dhe pjesë e fjalës së Edi Ramës./Scan/