Katër vjet shantazh, zbardhet kurthi ndaj binzesmenit
Zbardhjet ngjarja me dy bashkëshortë të cilët ngritën “kurth” dhe i vunë gjobë një biznesmeni, në Tiranë. Niko (Ardian) Smaqi, 45 vjeç, dhe Elinela Smaqi, 36 vjeç, po hetohen me masë sigurimi “arresti në burg”. Ata akuzohen se kanë kryer veprën penale të “shtrëngimit me anë të kanosjes për dhënie pasuri të kryer në bashkëpunim”, në dëm të shtetasit me iniciale B.SH. Sipas Prokurorisë së Krimeve të Rënda, nga studimi dhe verifikimi i kallzimit të bërë nga i dëmtuari B.SH si dhe nga hetimet e kryera në vijim ka rezultuar e provuar se nga viti 2010 e në vijim atij i janë marrë nëpërmjet kanosjes një sasi prej afro 87 milion lekë të vjetra nga të pandehurit Niko (Ardian) Smaqi e Elinela Smaqi. Gjatë vitit 2010 i pandehuri “Niko (Ardian) Smaqi në bashkëpunim me bashkëshorten e tij Elinela Smaqi janë njohur me të dëmtuarin B.SH me banim në Komunën “Zall Herr”, Tiranë. Pas dy–tre takimeve, në bazë të një plani kriminal të parapërgaditur midis dy të pandehurve, e pandehura Elinela Smaqi ka joshur seksualisht të dëmtuarin dhe falë hapësirave të krijuara me dashje nga i pandehuri tjetër Niko, ata (i dëmtuari Besim dhe shtetesja nën hetim Elinela Smaqi), janë takuar me njëri-tjetrin në një motel në zonën e Laprakës në Tiranë. Më pas, i pandehuri Niko (Ardian) Smaqi ka kërcënuar me vdekje të dëmtuarin me argumentin se ishte shoqëruar me bashkëshorten e tij, duke e turpëruar atë, etj. Në vijim, i pandehuri Niko e ka kërcënuar të dëmtuarin se raportin intim me të pandehurën Elinela do t`ja tregonte nuses dhe fëmijëve të tij. Pasi i dëmtuari është ndier i kërcënuar si për jetën e tij dhe harmoninë në familje, në këto rrethana i pandehuri Niko (Ardian) Smaqi i ka kërkuar para si shpagim për veprimin e kryer me kusht që ta linte të qetë atë dhe familjen e tij. I dëmtuari edhe pse e ka kuptuar se ishte viktimë e një kombinacioni midis dy të pandehurve, me qëllim që të shmangte kërcënimet për jetën dhe shantazhet ndaj tij në raport me familjen, ka filluar t`i japë gjatë periudhën 2010-2012 sasi të konsiderueshme parash sipas kërkesave të të pandehurit Ardian (Niko) Smaqi dhe në disa raste edhe të bashkëshortes së tij, të pandehurës Elinela Smaqi. Sasia e parave që ju ka dhënë të pandehurve, sipas deklarimeve të të dëmtuarit, për këtë periudhë kap shfrën prej 87 milion lekësh të vjetra. Këtë sasi parash i dëmtuari e ka siguruar nga kursimet e punës së tij, familjes dhe nga borxhet e marra tek shtetas të ndryshëm. Nga viti 2012 deri në muajin maj të vitit 2014, i dëmtuari shprehet se nuk ka pasur më kontakte me të pandehurin Niko (Ardian) Smaqi apo me gruan e tij të prezantuar si ”Eleni“, si dhe nuk ishte në dijeni të vendndodhjes së tyre. Nga fundi i muajit maj të këtij viti, i pandehuri Niko (Ardian) Smaqi takon të dëmtuarin dhe i kërkon t`i marrë sërisht nëpërmjet kërcënimit dhe shantazhit edhe një sasi tjetër prej 17 milion lekësh të vjetra. Këtë sasi parash, i pandehuri Niko Smaqi ja ka kërkuar të ndara në dy këste. Po ashtu, i pandehuri Niko (Ardian) Smaqi nuk i ka treguar se gjendej i burgosur, pasi duhej ta mbante nën trysni e presion të dëmtuarin. I dëmtuari, këtë sasi parash të kërkuara në muajin maj të këtij viti, nuk ja ka dërguar tek shtëpia e vjehrrit dhe vjehrrës së tij sipas bisedës së bërë me të pandehurin Niko Smaqi. Në muajin shtator 2014, i pandehuri Smaqi merr sërisht një leje shpërblyese nga Institucioni i Ekzekutimit të Vendimeve Penale “Vaqarr“ Tiranë dhe më 2 shtator 2014 në mëngjes shkon te shtëpia të dëmtuarit për ta kërkuar. Pak orë pas këtij takimi, e pandehura Elinela Smaqi e kërcënon të dëmtuarin me anë të një mesazhi në telefonin e tij celularë nga numri i saj me këtë tekst; -“je bo shum i zgjut me përgjus. Ça i ke bo vetes“. Me 15 shtator 2014 midis të pandehurës Elinela Smaqi dhe të dëmtuarit, me pëlqimin e këtij të fundit, është zhvilluar një takim midis tyre në një lokal ë Tiranë, ku dhe kjo bisedë është përgjuar, dhe nga përmbajtja e bisedës konformohen deklarimet e të dëmtuarit të cilat lidhen me provokimin e të pandehurve, e pastaj marrje e parave në vijim.
A. Muraçi