KE: Shqipëria në rritje. Ekonomia do zgjerohet me 3.7 përqind

Për vitin 2017, Komisioni Europian e rriti parashikimin për rritjen ekonomike të Shqipërisë në 3.7 për qind nga 3.5 për qind që ishte shifra e mëparshme.

“Aktiviteti ekonomik i Shqipërisë vazhdon të përshpejtohet, teksa konsumi rritet, ndërsa investimet mbeten në nivele të larta”.

Parashikimi është përmirësuar edhe për vitin e ardhshëm, ku nga 3.6 për qind që vlerësohej më parë projeksioni për rritjen ekonomike bëhet 3.9%. Komisioni vlerëson se gjallërimi i aktivitetit ekonomik është shoqëruar me rritjen e punësimit, i cili vitin e kaluar u zgjerua me 6.1 për qind, ndërsa këtë pritet të rritet me 4.5 për qind.

Kjo është hera e parë pas fillimit të krizës botërore që parashikimi për rritjen ekonomike të Shqipërisë ndryshohet për lart. Në 8 vitet e shkuara, rritja ekonomike është rishikuar thuajse gjithmonë me ulje, por këtë vit ekonomia ka përfituar edhe nga ambienti më i mirë i jashtëm, veçanërisht rimëkëmbja e eurozonës. Por Komisioni thotë se parashikimet kanë disa rreziqe.

“Në veçanti, kriza politike që rrethon zgjedhjet parlamentare të planifikuara në 18 qershor mundet potencialisht të shkurajojë konsumin dhe investimet”

Në krahun fiskal, komisioni vlerëson se situata më e mirë ekonomike dhe huamarrja e ulët e qeverisë solli në 2016-ën uljen e borxhit publik për herë të parë pas 6 vitesh rritje, një tendencë që pritet të vazhdojë.

SHKARKO APP