“Kemi marrë vendim si grup i PD-së, nuk i trembemi humbjes së mandatit”
Lajme E Shtunë, 17 Prill 2021 18:31
Deputetja e Partisë Demokratike në Qarkun e Vlorës, Liljana Elmazi konfirmoi dje se ka një vendim politik për djegien e mandateve. Në një postim në rrjetin social Facebook, Elmazi u shpreh se vendimi i PD-së është mirëkuptuar nga votuesit, pasi nuk mund të jenë në institucionin ku dhunohen deputetët. Ajo shtoi se ka zëra në PD që janë kundër bojkotit, por personalisht ishte e gatshme ta linte mandatin e deputetes. “Ne, si grup parlamentar kemi marrë një vendim të tillë dhe besoj në mirëkuptimin e atyre që na votuan, se s’mund të pranojmë një parlament, si arenë ku përdoret dhuna fizike, e jo fjala e lirë! Mund të ketë zëra që kërkojnë futjen në parlament, por janë zëra të mekur, që e shohin mandatin si mjet përfitimi thjesht! Unë nuk e shoh ashtu! Dhe nuk i trembem as djegies së mandatit, se kam një karriere të shkëlqyer profesionale që nuk ma ka dhënë mandati i deputetit, por përpjekjet e mundi im! Kam dhe dinjitet e mbi këtë s’vendos asgjë! S’di si do përgjigjeshit ju miq, apo të dashur qytetarë, apo kolegë sikur në vend të Strazimirit të goditej një deputete Zonjë, edhe unë ndoshta!”, – shprehet Elmazi. Sipas saj, PD-ja mund të kthehej në Kuvend, vetëm nëse do të respektoheshin rregullat dhe të mos kishte ligjvënës me precedentë penalë. Ajo shprehet se mandatet e deputetëve janë të Partisë Demokratike dhe jo personalë.