Këto ngjarje historike kanë ndodhur në Krishtlindje

Nga Evan Andrews

 

Ndërkohë që Krishtlindja është parë tradicionalisht si një kohë për t’u mbledhur si familje, për të shkëmbyer dhurata dhe për të shkuar në Kishë, kjo festë ka përkuar gjithashtu me disa prej ngjarjeve më të rëndësishme të historisë. “Koha më e mrekullueshme e vitit” është ndërprerë nga beteja legjendare, kurorëzime mbretërish dhe shpikje shkencore, e madje ka shërbyer edhe për të frymëzuar një prej armëpushimeve më të famshëm në kohë lufte. Ja shtatë prej ngjarjeve më të njohura historike që kanë ndodhur në prag dhe në ditën e Krishtlindjes.

Charlemagne kurorëzohet Perandor i Shenjtë i Romës

Shpesh herë i quajtur “Babai i Europës”, Charlemagne ishte një mbret-luftëtar frank i cili bashkoi pjesën më të madhe të kontinentit nën flamurin e Perandorisë së Karolingëve. Duke filluar nga fundi i viteve 700, Charlemagne krijoi një mbretëri shumë të madhe përmes fushatave ushtarakëve kundër saksonëve, lombardëve dhe avarëve. Një katolik i devotshëm, ai i konvertoi në mënyrë agresive të nënshtruarit në Krishtërim dhe vuri në zbatim reforma të rrepta fetare.

Ditën e Krishtlindjes të vitit 800, Papa Leo III kurorëzoi Charlemagne (Karlin i Madh) “perandor të romakëve”, gjatë një ceremonie në bazilikën e Shën Pjetrit. Ky kurorëzim riktheu në emër Perandorinë Romake të Perëndimit dhe vendosi Charlemagne si udhëheqësin e caktuar në mënyrë hyjnore të pjesës më të madhe të Europës. Më e rëndësishmja, e vendosi atë në pozicion të barabartë me perandoreshën bizantine, Irenën, e cila sundonte Perandorinë e Lindjes në Kostandinopojë. Charlemagne do të ishte perandor për 13 vjet dhe reformat e tij ligjore dhe arsimore shkaktuan një ringjallje kulturore si dhe bashkuan pjesën më të madhe të Europës, për herë të parë që nga rënia e Perandorisë Romake.

Uilliam Pushtuesi kurorëzohet Mbret i Anglisë

Gjatë sezonit të festave të vitit 1066 ndodhi një ngjarje e cila ndryshoi një herë e mirë kursin e historisë së Europës. Ditën e Krishtlindjes, Uilliami, Dukë i Normandisë – i njohur më mirë si Uilliam Pushtuesi – u kurorëzua Mbret i Anglisë në Uestminster Abbey në Londër. Kurorëzimi ndodhi pas pushtimit legjendar që Uilliami i bëri ishujve britanikë, që kishte përfunduar në tetor të vitit 1066 me fitore kundër Mbretit Haroldi II në Betejën e Hastings.

Gjatë sundimit 21-vjecar të Uilliam Pushtuesit, zakonet dhe ligjet normanë do të zinin vend në jetën britanike. Pasi konsolidoi pushtetin e tij duke ndërtuar struktura të famshme, si Kulla e Londrës dhe Kështjella Uindsor, Uilliami u dha me bollëk toka edhe aleatëve të tij francezë. Kjo gjë jo vetëm ndryshoi një herë e mirë zhvillimin e gjuhës angleze – pothuajse një e treta e anglishtes moderne e ka burimin nga fjalë të frëngjishtes – por edhe kontribuoi për ngjitjen e sistemit feudal të qeverisjes, që karakterizoi pjesën më të madhe të Mesjetës.

1776: George Uashingtoni dhe Ushtria Kontinentale kalojnë Lumin Delëuer

Në fund të vitit 1776, Lufta Revolucionare dukej se po humbej për forcat koloniale. Një seri humbjesh e britanikëve kishte shkaktuar rënie të moralit, dhe shumë ushtarë kishin dezertuar nga Ushtria Kontinentale. Në kërkim të një fitoreje vendimtare, Gjenerali Uashington udhëhoqi 2400 trupa në një micion të guximshëm për të kapërcyer gjatë natës lumin e ngrirë Delëuer. Pasi u fut fshehtas në Nju Xhersi në 26 dhjetor, ushtria kontinentale realizoi një sulm të beftë në Trenton, një qytet që deri atëherë mbahej nga një forcë ushtarësh gjermanë të njohur si Hessians.

Basti i Uashingtonit ia vlejti. Shumë prej Hessianëve ishin ende të corientuar prej festimeve të një nate më parë, dhe forcat koloniale i mundën me një gjakderdhje minimale. Ndërkohë që Uashingtoni kishte arritur një fitore tronditëse, ushtria e tij nuk ishte e mirëpajisur për të mbajtur qytetin dhe ai u detyrua të rikapërcejë Delëuerin po atë ditë – këtë herë bashkë me 1000 të burgosur Hessianë. Uashingtoni do të vazhdonte me fitore të njëpasnjëshme në Betejat e Asunpinkut dhe Princtonit, dhe kalimi i guximshëm i Delëuerit shërbeu si një thirrje për ushtrinë e dekurajuar kontinentale.

1814: Traktati i Ghentit i jep fund Luftës së 1812-ës

Në 24 dhjetor 1814, ndërkohë që shumëkush në botën perëndimore festonte Krishtlindjen, SHBA dhe Britania e Madhe u ulën të firmosnin një marrëveshje të famshme paqeje që i jepte fund luftës së 1812-ës. Negociatat kishin nisur në Ghent, Belgjikë në fillim të gushtit – në po të njëjtin muaj kur forcat britanike kishin djegur Shtëpinë e Bardhë dhe Capitol-in në Uashington. Pas më shumë se katër muaj debat, delegacionet amerikan dhe britanik ranë dakord për një marrëveshje që i jepte fund luftës si barazim. Të gjithë territoret e pushtuar u lëshuan, dhe ushtarët e zënë rob bashkë me mjetet iu kthyen shteteve respektivë.

NDërkohë që Traktati i Ghentit i dha fund konfliktit 32-mujor, ai nuk hyri në fuqi në SHBA deri kur u ratifikua në shkurt 1815. Në fakt, një prej fitoreve më të mëdha amerikane të luftës – në betejën e Nju Orlinsit në janar 1815 – erdhi më shumë se një javë pas firmosjes së Traktatit të Ghentit.

1868: Presidenti Endrju Xhonson firmos faljen për ushtarët e Konfederatës

Në fundin e mandatit të tij si president, Endrju Xhonson u dha një dhuratë të famshme Krishtlindjeje një grushti rebelësh të KOnfederatës. Përmes SHpalljes 179, në 25 Dhjetor 1868, Xhonsoni firmosi amnistinë për “të gjithë personat” që kishin luftuar kundër Shteteve të Bashkuara gjatë Luftës civile.

Falja e Xhonsonit ishte në fakt e katërta në një seri urdhërash për amnisti të firmosur pas luftës. Marrëveshjet e mëhershme u kishin ridhënë të drejta ligjore dhe politike ushtarëve të Konfederatës në këmbim të betimeve me shkrim për besnikëri ndaj SHBA. Falja e Krishtlindjes ishte një akt final dhe i pakushtëzuar për jugorët, duke përfshirë edhe shumë gjeneralë të KOnfederatës.

1914: Arrihet Armëpushimi i Krishtlindjeve i 1914-ës

Fryma e Krishtlindjeve u manifestua në vitin 1914 në vendin më të pagjasë: një fushëbetejë e Luftës së Parë Botërore. Duke filluar që në mbrëmjen e 24 dhjetorit, shumë ushtarë gjermanë, britanikë, francezë në Belgjikë ulën armët dhe nisën një armëpushim spontan krishtlindjeje. U tha se marrëveshja u nxit prej gjermanëve, të cilët i dekoruan llogoret e tyre me pemë krishtlindjeje dhe qirinj si dhe nisën të këndojnë këngë si “Silent Night”. Trupat britanikë u përgjigjën me versionin e tyre të “The First Noel” dhe luftëtarët u afruan në “tokën e askujt” – pjesa ndërmjet llogoreve – për të përshëndetur njëri-tjetrin dhe shtrënguar duart.

Sipas rrëfimeve të të pranishmëve, ushtarët shkëmbyen cigare dhe uiski, dhe disa madje shkëmbyen dhurata Krishtlindjesh me njerëzit kundër të cilëve vetëm pak orë më herët qëllonin me plumba. Duke përfituar nga pezullimi i përkohshëm i luftimeve, disa trupa skocezë, anglezë dhe gjermanë organizuan madje edhe një ndeshje futbolli mbi fushën e ngrirë. Armëpushimi nuk u sanksionua nga oficerët në secilin krah dhe ushtarët u thirrën të ktheheshin në llogore për të vazhduar luftimet. Përpjekjet e mëvonshme për takime gjatë festave kryesisht u ndaluan, por ndërkohë që lufta vazhdoi, Armëpushimi i Krishtlindjes qëndronte si një shembull i spikatur i njerëzillëkut dhe vëllazërisë në fushëbetejë.

1968: Apollo 8 në orbitë përreth Hënës

Si pjesë e misionit Apollo 8, astronautët Frank Borman, Jim Lovell dhe Uilliam Anders e kaluan natën para Krishtlindjes në orbitë përreth Hënës. Operacioni ishte menduar fillimisht të testonte modulin Hënor – që më vonë u përdor për zbritjen e Apollo 11 – në orbitën e Tokës. Por kur puna për modulin u pa se nuk do arrinte afatet, NASA në mënyrë ambicioze e ndryshoi planin e misionit. Apollo 8 vazhdoi më tej duke sjellë një seri kthesash të mëdha për fluturimet hapësinorë të njeriut: Tre astronautët u bënë të parët njerëz që i largoheshin tërheqjes gravitacionale të Tokës, të parët që shihnin të gjithë Tokën nga hapësira dhe të parët që shihnin anën e errët të Hënës.

Apollo 8 mbahet mend ndoshta më mirë sot për transmetimin në momentin kur astronautët hynë në orbitën e Hënës në pragun e Krishtlindjes. Ndërkohë që shikuesve u ofroheshin pamje të hënës dhe orbitës së Tokës nga orbita e Hënës, Borman, Lovell dhe Anders lexonin reshtat e parë të Librit të Zanafillës nga Bibla. Transmetimi – që përfundoi me “Gëzuar Krishtlindjen, dhe zoti ju bekoftë të gjithëve, të gjithëve ju në Tokën e mirë” – u bë një prej eventeve më të ndjekur në historinë e televizionit. /History Channel/

e.gj./www.bota.al

SHKARKO APP