Klodian Braho: Krimi zgjedhor, fenomen shqetësues
Kreu i SPAK, Klodian Braho, ka raportuar ditën e sotme në Komisionin për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale, ku u ndal te hetimet për krimin zgjedhor, çështja e zëvendëskryeministres Belinda Balluku dhe hetimet për dosjen e njohur si “Aruba”.
Duke folur për krimin zgjedhor, Braho theksoi se fenomeni mbetet shqetësues për Prokurorinë e Posaçme.
“Për krimin zgjedhor kemi folur edhe më parë, është një fenomen që neve na shqetëson si prokurori dhe nuk pajtohemi me të. Ka nisur para shumë kohësh. Ajo që duhet të kuptoni është se duhen prova, ndryshe nuk ngremë dot akuza. Ne nuk nisemi me perceptime, por me ato që ka dosja. Në secilën anë të jenë të akuzuarit, do të mbajë përgjegjësi”, u shpreh Braho.
I pyetur për çështjen që lidhet me ish-zëvendëskryeministren Belinda Ballukun, kreu i SPAK u shpreh se institucioni e ka bërë të qartë qëndrimin e tij në Kuvend dhe se nuk mund të komentojë më tej për një çështje që është në hetim.
“Për atë që kemi paraqitur në Kuvend, ne kemi qenë të qartë me qëndrimin tonë. Nuk mund të komentoj më shumë, mbase në vijim të hetimeve mund të ketë një vendimmarrje konkrete. Ne kemi diskutuar edhe me dyer të mbyllura qartë se çfarë kemi kërkuar”, deklaroi ai.
KOHA JONË SONDAZH

