KLSH dhe profesionalizmi në auditim
Nga Amantja Patozi*
Tema e dytë themelore e Kongresit të XXII-të të INTOSAI-t, zhvilluar në Abu Dhabi të Emirateve të Bashkuara Arabe në dhjetor 2016, ishte profesionalizmi. Në këtë Kongres, nga të 192 Institucionet Supreme të Auditimit (SAI-t) anëtare u ra dakord për të përcaktuar profesionalizimin si një proces të vazhdueshëm, nëpërmjet të cilit audituesit dhe organizatat e tyre fitojnë nivele të larta të pavarësisë, ekspertizës, kompetencës, sjelljes etike dhe cilësisë, mbështetur nga standardet profesionale ISSAI. Si KLSH, si auditues të sektorit publik, ne e njohim rëndësinë e një axhende të profesionalizimit që respekton pavarësinë dhe kontekstin veprues të çdo SAI.
INTOSAI shprehu në Abu Dhabi ambicien e tij për të forcuar profesionalizmin dhe për t’u siguruar mbështetje SAI-ve anëtare në fushat e mëposhtme:
1.Zbatimi i Kornizës së Kompetencave për Profesionistët e Auditimit të Sektorit Publik në SAI-t, duke mbështetur audituesit tanë, të cilët janë fytyra publike e profesionit tonë;
- Implementimi i ISSAI-ve (ose standardeve të tjera ekuivalente me ISSAIt) nga çdo SAI si një shenjë e profesionalizmit të tij;
- Përhapja dhe shkëmbimi i njohurive, qasjeve dhe praktikave të reja të auditimit në të gjitha rrjetet e komunitetit të INTOSAI-t;
- Përdorimi i gjerë i të dhënave dhe rrjeteve dixhitale;
- Zbatimi i regjimeve të cilësisë që mbrojnë pavarësinë dhe ndërtojnë kredibilitetin publik në punën tonë.
Në përmbushje të orientimit të sotëm të INTOSAI-t, që auditimi të jetë në shërbim të qytetareve dhe të drejtimit themelor të INCOSAI XXII për të rritur profesionalizmin, Kryetari i KLSH dhe i gjithë institucioni kanë forcuar kapacitetet audituese, nëpërmjet një procesi të vazhdueshëm kualifikimi, nëpërmjet kryerjes së trajnimeve të thelluara dhe gërshetimit të njohurive teorike të audituesve me veprimtarinë praktike audituese. Në këto 5 vjet 2012-2016, struktura e punonjësve ka vijuar të ndryshojë, jo vetëm dhe thjesht në favor të stafit auditues, por dhe të stafit me kualifikime profesionale, akademike dhe grada shkencore, si dhe me kualifikim në fusha të dyta ekspertize.
Rritja e kapaciteteve audituese është parë në KLSH e lidhur ngushte me arsimimin dhe kapacitetet e stafit drejtues të institucionit. Niveli i lartë dhe i mesëm drejtues në KLSH ka të punësuar një Profesor, një Profesor të Asociuar në fushën e ekonomisë, 4 doktorë shkencash dhe një sërë audituesish dhe specialistësh me master shkencor apo profesional në fusha të ndryshme. Një pjesë e drejtuesve të departamenteve apo drejtorive vijnë nga bota akademike, ndërsa pjesa tjetër kanë avancuar gradualisht në këto poste brenda KLSH-së, duke investuar punë dhe përkushtim për një periudhë kohore mbi 15 vjet. Gjatë këtyre 5 viteve 2012-2016, si rezultat i një politike rekrutimi të bazuar në kërkesat e kohës dhe duke u orientuar drejt teknologjive moderne të auditimit, stafi auditues i KLSH-së është dominuar nga ekonomistë, juristë, inxhinierë të fushave të ndryshme dhe vitet e fundit po plotësohet edhe me sociologë, informaticienë, gazetarë, etj. Spektri i gjerë i formimit të audituesve shton perspektivat në trajtimin e problematikave audituese, sidomos në auditimet e performancës, apo të auditimeve që përmbajnë elementë të performancës. Eksperienca në auditim është kritike në gjenerimin e një gjykimi të shëndoshë dhe ruajtjen e spekticizmit profesional, sikurse kërkohet nga standardet audituese.
Gjatë periudhës pesë vjeçare 2012-2016, çdo auditues i KLSH është trajnuar mesatarisht 25 ditë në vit, ose 12 herë më shumë se në periudhën 10 vjeçare 2002-2011 (2 ditë në vit). Në Kongresin e X-të, të EUROSAI-t zhvilluar në datat 22-25 Maj 2017, në Stamboll, Turqi, në prezantimin e punës së kryer nga Ekipi i Qëllimit të Qeverisjes dhe Komunikimit në EUROSAI, në hartën e pjesëmarrjeve të 50 SAI-ve anëtare në trajnimet e zhvilluara nga EUROSAI-t, KLSH zinte vendin e dytë, pas SAI-t të Lituanisë, me 17 pjesëmarrje.
Në modernizimin dhe rritjen e profesionalizmit të stafit auditues të Kontrollit të Lartë të Shtetit kanë dhënë një kontribut të çmuar Gjykata Evropiane e Audituesve (ECA), nëpërmjet internshipeve dhe Zyra e Auditimit Qeveritar të SHBA-së GAO, përmes fellowship-eve. Falë kësaj asistencë, në KLSH po krijohet një gjenerate e re audituesish me parametrat e kolegëve të tyre evropianë.
Në vitin 2016, 4 auditues të Kontrollit të Lartë të Shtetit kanë qenë pjesë e strukturave tё ECA-s për një periudhë 5 mujore, duke përfituar nga programet e internshipit tё kёtij institucioni, pёr tё kontribuar pranё departamenteve dhe drejtorive tё ndryshme tё ECA-s. Internshipi është konsideruar një mjet shumë i rëndësishëm për të ofruar njohuri mbi auditimin e fondeve të BE-së, për audituesit e SAI-ve të vendeve kandidate dhe që aspirojnë të bëhen anëtare të BE-së. Në total janë 9 auditues të KLSH-së që kanë fituar internship-et tek ECA, përfshirë një audituese që ka filluar internshipin në mars 2017 dhe një tjetër pritet te filloj ne tetor po te këtij viti.
Po aq produktiv për KLSH-në ka rezultuar edhe bashkëpunimi me GAO-n (Zyrën e Auditimit të Qeverisë) e SHBA-së, ku gjatë vitit 2016 një audituese e KLSH-së mori pjesë në një fellowship 4 mujor pranë kësaj zyre ndërsa gjatë ketij viti dy auditues po e ndjekin këtë fellowship. Ky kurs studimor 4-mujor është hartuar për të forcuar kapacitetet e SIA-ve e për të rritur llogaridhënien dhe mirëqeverisjes. Pjesëmarrësit kanë mundësi të njihen me përvojën amerikane të auditimit, me qëllim zhvillimin e strategjive për të sjellë ndryshim dhe për ta përcjellë dijen e përfituar në SAI-et e tyre respektive.
Projekti IPA 2013, ne partneritet me SAI-t e zhvilluara të Polonisë (NIK-un polak) dhe të Kroacisë, po krijon mundësinë për përsosjen e mëtejshme të metodikave dhe manualeve të auditimit, si dhe marrje e eksperience nga vizitat e punës në Poloni dhe Kroaci, të një numri gjithnjë e më të madh audituesish të KLSH-së.
Trajnimit i nënshtrohen të gjitha nivelet e punonjësve në institucion, pa dallim pozicioni pune dhe trajnimi kryhet në bashkëpunim me ekspertë të huaj dhe vendas, të çertifikuar në sferën e auditimit, si dhe të grumbullimit, analizimit dhe raportimit të informacionit.
Është ky profesionalizëm i arritur me shumë mund, qe i ka siguruar KLSH-se pavarësinë dhe cilësinë në gjetjet dhe rekomandimet që jep nga auditimet. Ky investim i mbi 5 viteve e gjysme në kapacitetet e audituesve të KLSH-së i jep garancinë institucionit për ta parë të ardhmen e punës audituese me shumë optimizëm, në dobi të forcimit të efektivitetit, efiçiences dhe ekonomicitetit në menaxhimin e fondeve publike dhe të integrimit të vendit në familjen e madhe evropiane.
*KLSH