KLSH, në seminarin e 12-të europian kundër mashtrimit në projektet e financuara nga BE
Më datat 9 dhe 10 nëntor 2015, një grup pune nga Kontrolli i Lartë i Shtetit mori pjesë në seminarin e 12-të europian kundër mashtrimit në projektet e financuara nga BE, zhvilluar në Berlin, Gjermani, organizuar nga Akademia Europiane për Taksat Ekonominë dhe Ligjin.
Në këtë seminar mori pjesë kryetari i KLSH-së, Bujar Leskaj dhe Drejtori i Departamentit Juridik dhe Kontrollit të Zbatimit të Standardeve në KLSH, Ermal Yzeiraj.
Lufta kundër mashtrimit në shpenzimet e BE-së, ku përfshihen edhe mashtrimet në investimet e kryera nga financimet e BE, mbetet gjithmonë një ndër prioritetet kryesore në veprimtarinë e Bashkimit Evropian.
Për rrjedhojë, të gjitha shtetet duhet të zhvillojnë dhe implementojnë një strategji efektive kundër mashtrimit, sidomos nga ana e institucioneve që janë të përfshira në menaxhimin dhe sistemin e kontrollit të Fondeve të BE.
Në këtë aspekt, edhe KLSH-ja si institucioni më i lartë i pavarur i auditimit të jashtëm në Shqipëri, ka një rol tepër të rëndësishëm në luftën kundër mashtrimit me fondet e BE, rol ky i përcaktuar qartë edhe në Ligjin e ri nr. 154/2014 “Për organizimin dhe funksionimin e Kontrollit të Lartë të Shtetit”, ku në nenin 10/dh përcaktohet kompetenca e KLSH në auditimin e përdoruesve të fondeve publike të ofruara nga Bashkimi Europian ose organizata të tjera ndërkombëtare.
Në këtë seminar u trajtuan një sërë temash të rëndësishme si: Çfarë duhet të merren parasysh gjatë përgatitjes së një strategjie anti-mashtrimit në përputhje me rregulloret e BE-së? Si mund të forcohen kontrollet për zbulimin e mashtrimeve? Cilat janë shenjat më të zakonshme dhe flamuj të kuq e mashtrimit? Si mund të bëhet dallimi ndërmjet mashtrimit dhe parregullsive? Cila është procedura e duhur për raportimin e mashtrimit?, etj.
Gjithashtu në këtë seminar u zhvillua një takim edhe me disa prej përfaqësuesve të OLAF (Zyrës Evropiane Kundër Mashtrimit) ku nga ana e KLSH u shpreh interesi i madh për të krijuar një urë bashkëpunimi ndërmjet institucioneve tona, në trajnimin e stafit të KLSH dhe shkëmbimin e eksperiencave ndërmjet institucioneve.