Koha e katërt e Don Kishotit të Mançës

 

Nga Preç Zogaj

Leximi i  romanit “Don Kishoti i Mançës” në vitet e mia të rinisë ka qenë një diadë midis leximit dhe përjetimit. Kur lexoja, qeshja me bëmat e kalorësit, me vegimet e tij, me marrëzinë e tij të pashërueshme, me të folurën e tij të  fryrë, me letrat në adresë të së vluarës së tij kimerike, Dylqinjës së Tobozës, me komizmin e keqkuptimeve të shumta të Sanços… Por kur e kujtoja apo më  kalonte nëpër mend para se të flija, Don Kishoti më dukej sikur përfitonte nga heshtja, qetësia dhe errësira e natës për të hequr maskën, për të pushuar pak, për ta dalë pak nga roli. Pra shtirej, tallej me të gjithë dhe madje luante si një iluzionist. Të nesërmen e gjeja sërish në faqet e librit ashtu siç e kisha lënë. Më dukej se i kisha bërë një pabesi me ato që kisha menduar për të. Ose i kisha bërë një pabesi që e kisha zënë në një moment intim, që ai nuk donte ta ndante me njeri. Kjo është një marrëdhënie e çuditshme që ndodh edhe me libra e autorë të tjerë. Me  Don Kishotin e Servantesit më shumë. Madje, mua më duket se Don Kishoti s’pushon së intriguari e së magjepsuri pikërisht sepse në orët e heshtjes dhe qetësisë ai zbulohet ashtu siç nuk ka dashur të duket në faqet e librit. Ai pret lexuesin e ri, me besimin e patundur se lexuesi i ri do të vijë. “Don Kishoti” nuk na çon thjesht në Spanjën e Mesjetës, sado që është e pashmangshme të na çojë edhe atje, por shumë më shumë se kaq. Paralel apo përkundër këtij destinacioni, na çon edhe në një botë ëndrrash, ku e shkuara, e tashmja dhe e ardhmja, në ndërthurjen dhe bashkëveprimin e tyre, sikur prodhojnë një kohë të katërt që do të jetë lajthitje dhe kryengritje e përhershme e njeriut, por që  nuk do të jetohet dot kurrë si një realitet. Më shumë se prej mishi dhe gjaku, Don Kishoti  duket sikur është prej mjegulle.

Të ndjerit dhe të kuptuarit ndryshe të Don Kishotit nga lexues, përkthyes dhe kritikë të ndryshëm përbën vetë sekretin apo vetë magjinë e romanit në fjalë. Don Kishoti është i shumëfishtë. Ai është  dhimbja, ironia  dhe absurdi i botës në trajtat e panumërta. Ai nuk është thjesht ai që është, por është ai që lexuesit e tij të epokave, racave dhe natyrave të ndryshme janë.

Më ndodhi edhe mua në rileximin e këtij romani pas tri dekadash. Megjithëse kujtohesha për vazhdimin e shumë episodeve, kisha gjithnjë ndjesinë paralele se po e lexoja për herë të parë. Po zbuloja gjëra që nuk i kisha kapur herën e parë, por kjo nuk është ndonjë gjë e veçantë, sepse ndodh pothuajse në çdo rilexim. E veçanta ishte se po e lexoja ndryshe, si një lexues tjetër. Armatura e personazhit, e folura e tij plot rezinjatë dhe vendosmëri, episodet, duelet, fanitjet dhe përshkrimet që herën e parë më kishin bërë për të qeshur, tani vetëm sa e ledhatonin nënqeshjen time të dikurshme, duke provokuar ndjenja të tjera, të kundërta, deri dhimbje. E kisha lexuar Don  Kishotin si një parodi të Servantesit në të kaluarën, tani po e lexoja si një elegji për të tashmen e përjetshme. E thotë edhe Noli në introduktin që shkroi në botimin e parë në shqip të volumit të parë: “Kjo vepër nuk do të ishte kaq e bukur sikur të na bënte vetëm të qeshnim. Na bën edhe të qajmë. Se Don Kishoti është një idealist në tërë kuptimin e fjalës”.

“Don Kishoti” fillon si personazh, kur mbaron si libër. Kjo është veçoria e tij, të cilën e ka vënë në dukje me vërtetësi dhe elegancë shkrimtari ynë i shquar Ismail Kadare, që ka shkruar: “Besoj se Don Kishoti vazhdon të jetë edhe sot një personazh i pashpjegueshëm. Është e nevojshme të bëhet një përpjekje e madhe nga të gjithë, për t’ia vënë nderin në vend, për  ta ngritur sërish në vendin që i takon. Nuk mund të lejohet që Don Kishoti të përdoret në diskutimet publike”.

Me ambiguitetin e tij, Servantesi  ka ngatërruar shumë njerëz, kur thoshte se e kishte shkruar këtë roman për të diskredituar librat e kalorësisë. Këndej mori jetë, në një rrugë të gjatë keqkuptimesh dhe trajtimesh gjithnjë e më të cekëta, donkishotizmi si një metaforë e kthimit prapa të rrotës së historisë. E vërteta nuk është kështu. Don Kishoti nuk e meriton këtë damkë. Ai është një fantazmë e trefishtë e së kaluarës, e së tashmes dhe e së ardhmes. Ai duket sikur ka ardhur nga librat e kalorësisë, por në të vërtetë edhe është arratisur nga koha e tij cinike, e shënuar nga një degradim i skajshëm. Në përpjekjen për të shpjeguar personazhin e Don Kishotit, ndoshta do të këtë një vend versioni se ky personazh kaq i jashtëzakonshëm, që na gabon shpesh në konsideratat për të, është një personazh që del tepër për të kaluarën, për të tashmen dhe për të ardhmen. Ai është bërë i tillë që, nëpërmjet çmendurisë dhe idealizmit, të predikojë ato të vërteta të thella dhe të  përjetshme që janë gjithnjë në kundërkohë me interesat dhe zhvillimet e ditës. Ai është një personazh i cili nuk ka ende një kohë, një atdhe dhe një popull të tij. Ai, siç e thashë, është i tepërt, domethënë i papranueshëm nga të gjithë ne, por i pranueshëm dhe i dashur nga secili prej nesh veç e veç në vetminë tonë. Ai është ai që nuk mund të jemi, por do të mund të jemi një ditë prej ditësh. Ai është unikal në universalitetin e tij. Ne nuk e bëjmë tonin, por edhe nuk e lëshojmë kurrë. Prandaj “Don Kishoti i Mançës”, që festoi katërqindvjetorin në vitin 2005, ka nisur qetësisht katërqindvjetorin e dytë dhe kështu pa fund, derisa njeriu ta banojë këtë tokë. Sipas profesor Alfred Uçit, Dostojevski i ka  këshilluar njerëzit që do të zhvendosen në një planet tjetër, të marrin me vete romanin “Don Kishoti i Mançës”, “Biblën” dhe Simfoninë  e nëntë të Beethovenit, me qëllim që të mos asfiksohen nga malli për Tokën.

Para disa ditësh, ndërsa isha ulur për të përgatitur këtë shkrim, përkthyesi Urim Nerguti më tregoi një shënim të shkrimtarit rus Ivan Turgenjev për personazhin e Don Kishotit. Në atë shënim  gjeta një pohim thelbësor, që nuk e kisha lexuar tjetërkund. “Don Kishoti është një flijim për të tjerët ”- ky ishte pohimi. Dhe vërtet, përtej të qeshurave që shkakton me aventurat e tij dhe të  Sanço Pançës, Don Kishoti do të shfaqet gjithnjë në jermin e tij si dikush që ka ardhur në këtë botë për të bërë mirë, për të ndrequr çfarë është prishur, për të menduar, vuajtur e vepruar natë e ditë rreth fatit të keq apo mizor të të tjerëve.

Mapo

SHKARKO APP