“KOHA JONE” shpall tre Njerëzit e Vitit 2014: Edi Rama, Ilva Tare dhe Samir Mane
Fituesit e sondazhit të vitit në “Koha Jonë”
Ashtu siç është bërë traditë nga gazeta “Koha Jonë”, çdo fundviti, lexuesit e saj kanë mundësinë të zgjedhin personazhet më me ndikim në jetën publike në vend. Sondazhi on-line i hapur ditët e para të muajit dhjetor ka qenë një dritare ku lexuesit kanë shprehur me votë simpatitë e tyre për personalitete nga fushat e politikës, medias dhe biznesit. Sondazhi është realizuar me korrektësi maksimale dhe çdo lexues ka pasur mundësi të shprehet me votë vetëm një herë. Votuesit online kanë përzgjedhur kryeministrin Edi Rama si politikanin e vitit, Samir Manen si biznesmenin e vitit dhe Ilva Taren si gazetaren e vitit.
Rama, politikani i vitit
Viti 2014 nuk pati humbës dhe fitues nga pikëpamja elektorale, por ngjarjet politike e kanë dominuar vendin gjatë gjithë kohës. Ka pasur reforma, beteja të ashpra politike dhe nisma që kanë pasur gjithmonë në qendër të tyre një emër politikani. Me apo pa dashje, kryeministri Edi Rama ka qenë në qendrën e zhvillimeve më të rëndësishme politike. Protagonizmi ka ardhur jo vetëm për shkak të karizmës dhe aftësive të tij polemizuese, por edhe për shkak të vendimmarrjes si kryesues i mazhorancës. Lexuesit online të gazetës “Koha Jonë” kanë zgjedhur që ta votojnë si politikanin e vitit, me një diferencë dukshme më të madhe sesa gjithë politikanët e tjerë. Një diferencë që justifikohet edhe me faktin se Rama ka zgjedhur të jetë jo një kryeministër që merr vetëm vendimet, por edhe një drejtues që preferon të përballet edhe me ata që mendojnë të kundërtën e nismave të tij. Ndaj në këtë vit, Rama ka lënë gjurmët e tij politikë. Rama mbetet përherë sfidues, kërkues, por edhe fshikullues.