Koha për refleksion po shteret

 

Nga Artur Zheji

Kaluan tashmë dy vitet e qeverisjes Rama. Në një shkrim të paradokohshëm, duke u hedhur një sy të shpejtë parashikimeve meteorologjike të politikës, kam shkruar për një Dimër të ashpër që po afrohet në jetën e shqiptarëve. Për koincidencë, edhe dimri i shirave të forta nuk mënoi, duke përmbytur shpejt e shpejt, me pak ditë shi dhe pa ndonjë mund të madh, toka, rrugë, shtëpi apo stalla.

Duke gjykuar se kjo qeveri është legjitime dhe se është produkt zgjedhjesh, gjithsesi të pranueshme, duhet të gjykojmë se ka një tagër për të qeverisur edhe për 2 vite të tjera. Duke parë rezultatet, që ndryshe nga parashikimet, janë të ftohta dhe të lagëta si shiu i këtyre ditëve, nuk është keq të ripërsërisim se ka një apo më shumë probleme, që duhen zgjidhur.

Probleme themeltare që lidhen me ekonominë dhe financat e shtetit. Të cilat janë të lagëta edhe ato, por ngricat e vërteta janë ndoshta një e ardhme e afërt.

Personalisht nuk jam ndër ata që gëzohen për këtë. Të gëzohesh për vështirësitë dhe ngërçet e një qeverisjeje, të një qeverisjeje shqiptare gjithsesi, është një luks që nuk e kemi. Askush nuk besoj se mendon se Rama nuk ka një projeksion real të situatës dhe se kryeministri nuk ka dijeni se çfarë po ndodh. Furtunat në dogana, kamzhikimet verbale, telefonike apo on line të ministrave, rrëfejnë se nervozizmi dhe pakënaqësia e tij, e kryeministrit pra, është e madhe.

E madhe dhe e keqfshehur. Me, ose pa dashje. Mirëpo nervozizmi dhe përshkallëzimi i ndëshkimeve në administratë nuk besoj se është Zgjidhja. Madje kjo mënyrë reagimi e vonon zgjidhjen, ose në rastin më të keq, e komplikon atë.

Në këtë situatë pra, të bilanceve negative ose pothuajse të tilla, nevoja lyp Reflektim. Shqipëria është e rrethuar nga një krizë e rëndë shumëvjeçare, nga veriu në jug, nga lindja në perëndim. Dhe ajo çka po ndodh me ISIS, me një luftë reale pra, jo shumë larg nesh, ka rrudhur dhe ka trembur tregjet financiare dhe jo vetëm, akoma më keq se më parë. Pra, kjo rrethanë gjeopolitike na jep me dije se imputet çudibërëse për të injektuar një limfë jetike të re në ekonominë shqiptare, janë dhe do të jenë për një kohë të pacaktuar, një iluzion. Një iluzion mbi të cilin nuk mund të mbështetesh.

Refleksioni që duhet të ndërmarrë Rama, duhet të jetë një gjë e re.

Strategjia e deritashme për të faturuar mosrealizimet e sotme tek qeverisja e djeshme, e kryen ciklin e tyre.

Strategjia tjetër, që mundohet të krijojë perceptimin publik se fajin për mosngritjen në këmbë të ekonomisë shqiptare e kanë rrethanat apo të “Tjerët”, është një strategji retorike dhe që nuk zgjidh dot gjë. Edhe sikur t’i drejtohesh zgjedhësit, e pra zgjedhjeve të reja, për të zgjidhur në mënyrë mediatiko-retorike se kush është fajtori dhe se kush është i pafajshëm.

Më kujtohet dikur, shumë vite më parë, kur dikush u fut në burg sepse tha që një traktor, prodhim gjermano-perëndimor, punon më mirë sesa një traktor që prodhohej në vendet e Evropës Lindore socialiste. I burgosuri kishte të drejtë. Traktori gjermanoperëndimor punonte realisht më mirë.

Çështja e sotme ka një analogji. Duhet thënë e Vërteta. Dhe duhet reflektuar mbi të vërtetën seriozisht dhe me përgjegjësi. Nuk vazhdohet dot me paradigmën se traktori socialist, vetëm sepse është socialist, punon më mirë sesa traktori i PD-së, apo traktori i LSI-së. Traktori i ekonomisë shqiptare pra, ose punon mirë, ose ngec në arë. Dhe Traktori i sotshëm, pavarësisht se çfarë ka bërë traktori i djeshëm, ngelet shpesh e më shpesh në brazdë.

Dhe për këtë, Rama, që u bë i njohur përmes Refleksioneve të viteve ’90, ku ndoshta një dorë dashamirëse dhe frymëzuese ia kishin dhënë edhe miqtë e dikurshëm, siç ai e di shumë mirë, duhet të Reflektojë. Në qoftë se beteja e tij e vërtetë është me Vdekjen apo me Historinë, si edhe ka patur lirinë të shprehet ca kohë më parë në disa intervista entuziaste.

Një Refleksion të përbashkuar dhe trasversal. Përtej së Majtës dhe së Djathtës, për të shmangur ditët më të këqija, që më pas pritet të vijnë. Duke ndaluar atë çka e këshillojnë dritëshkurtrit.

Gjuetinë e përgjegjësive tek gjithçka tjetër, përveçse tek vetvetja. Sepse kjo është një rrugë pa krye. Radikalizimi politik, nuk e largon, por e afron katastrofën ekonomike, të tipit grek përshembull.

Mirëpo koha nuk pret. Sepse koha shteret më shpejt sesa çdo gjë tjetër. MAPO

SHKARKO APP