Koha për “Shqipërinë e madhe” sot

Nga Armir Shkurti/

Ta bëjmë Shqipërinë të madhe përsëri! Kështu përkthehet pak a shumë në shqip sllogani i presidentit të SHBA Donald Trump “Make America great again”.

Ne në fakt nuk na është lejuar as ta pëshpërisim. “Shshsht! Nuk e themi këtë ne, se nuk na le Europa! Nuk na le Amerika! Nuk të le njeri”. Ky ka qenë varianti “konfidencial” i politikanëve klasikë. Më modenët të shohin me përçmim, sikur ke veshur shallvaret e kohës së turkut dhe të thonë: “Po ç’Shqipëri e madhe o derëzi!? Këtyre u ka ikur koha me vakt”….

Me valixhe në dorë Shqipëria ka 27 vjet që pret të futet në Europë. Ashtu siç për 45 vjet rresht, me kazmën në njërën dorë e pushkën në tjetrën priste të hynte në komunizëm.  Janë kaq të ngjashme dhe simetrike këto dy ideale sa të vjen turp nga vetja që vazhdon e gëlltit përditë të njejtën çorbë, në të njejtën vorbë. Si ideali komunist ashtu edhe i “futjes”  në Europë kanë qenë çveshje profesionale e shqiptarit nga idealet dhe aspiratat kombëtare, duke zëvendësuar detyrën dhe përgjegjësinë për ta bërë për së mbari vendin këtu, me një përrallë idiote në disa forma të saj. Duke rendur pas komunizmit imagjinar shqiptarët humbën vetveten e shkatërruan të ardhmen. Për fat të keq , e njejta gjë ndodhi edhe me përrallën e “Europës”. Duke e bërë të vetmin ideal ne kemi humbur vendin tonë dhe të ardhmen e tij.

TA BËJMË SHQIPËRINË TË MADHE PËRSËRI

në konceptin Trump nuk është e pamundur. Përkundrazi! Kjo është detyra, pasi përfundimisht ka humbur kuptimin mënyra sesi politika jonë në marrëveshje edhe me një pjesë të burokracisë së BE, ua shitën shqiptarëve futjen në BE.

Detyra e parë është dekompozimi i partive tradicionale shqiptare dhe i kësaj mënyre të të bërit politikë, përfshi edhe sistemin zgjedhor dhe atë gjyqsor. Atë që ndodhi në Italinë e viteve ’90 me “Duart e pastra” sot e kanë modifikuar gjenetikisht dhe po e shesin në Shqipëri si “dekriminalizim” dhe “reformë në drejtësi” për të shpëtuar politikën e tranzicionit. Për ta bërë “Shqipërinë të madhe përsëri” ka nevojë që partitë e mëdha të shpërbëhen , duke paguar shtrenjtë gjithë çmimin e gjendjes së sotme politike, ekonomike, shoqërore, diplomatike, të vendit. Detyrimisht ky tërmet realizohet me goditje jashtë sistemit. Pra vetë partitë dhe gjyqsori tashmë e kanë humbur të drejtën e moralin që të pastrojnë vetveten. Forca të reja PO. Dhe pakënaqësia në vend i ka krijuar kushtet, ashtu si në vitin 1990, të lindin forca të tilla.

Po kaq e rëndësishme është hartimi i një platforme kombëtare. Zoti na ruajttë nëse dikush po e çon ndërmend në këto çaste se po them që të ndahemi nga bota apo të bëhemi fanari ndriçues. Përkundrazi! Ama që në çdo marrëdhënie të vendosim veten në rend të parë, këtë e kemi detyrë.  E nga kjo na del vetvetiu se ç’duhet bërë me Shqipërinë në epokën pas zgjimit nga ëndrra me valixe në dorë “të hyjmë në Europë”: Caktojmë përparësitë ekonomike, shenjtërojmë pronën, bëjmë gjykatat, mbështesim prodhuesit vendas e sipërmarrësit shqiptarë, mbrojmë natyrës që e kemi shkatërruar, investojmë tek e ardhmja përmes shkollave të modelit perëndimor. BËJMË NJË TË VETËM TREGUN TONË ME KOSOVËN, mbrojmë shqipen dhe shqiptarinë në Mal të Zi, Maqedoni e kudo tjetër e pastaj ulemi e flasim me këdo në botë që do të marrë e të japë. Po na interesoi – mirë. Nëmos, shohim punën tonë.

Duket pak e frikshme, por kurrësesi nuk mund të jetë më e frikshme se ajo që ka ndodhur e ndodh për 73 vjet me rradhë. Udhëheqësit tanë, për fat të keq, na kanë shitur si dele. Kanë dalë në pazar të madh të botës si barinj të 2-3 milion bagëtive dhe kanë kërkuar sa për vete e ata pak që kanë nga pas, duke vënë si monedhë shkëmbimi autoritetin mbi delet. “Jo se në botë nuk shiten politikanët, por këtu po shiten shumë lirë” – më ka thënë në një bisedë i ndjeri Leka Zogu në qershor të vitit 1997, gjatë fushatër për referendumin për Monarkinë. Dhe janë fjalë profetike. Çdo shitje që dimë e që nuk dimë është bërë kundër interesave të vendit dhe …e di për çfarë? PËR MBËSHTETJE! Kaq lirë na kanë shitur dhe na shesin përherë. Të kenë mbështetje nga “ndërkombëtarët”! Këta, barinjtë. Vari bidonët mbështetjes nga delet. Këta i venë në rresht. Bota, botaaa! Ajo ka rëndësi….

Kështuqë, më keq se kaq nuk bëhet. Në krahasim me shitje badihava thjesht për një mbështetje për të qëndruar a ardhur në pushtet dhe një marrëdhënie ku interesi i vendit është i panegociueshëm, ky i dyti tashmë nuk duket aq i frikshëm….

Kthehem tek përkthimi i lirë i slloganit të Trump “Ta bëjmë Shqipërinë të madhe përsëri”. Natyrisht që Shqipëria, për fat të keq nuk ka qenë kurrë e madhe. Kur rilindasit (ata të vërtetët, që shkrinë jetën dhe pasurinë për këtë vend dhe jo këta mavritë e Ramës që i vodhën emrin)  kërkonin ta bënin zonjë këtë vend, ai ndodhej nën perandorinë osmane. Më pas nuk ia doli dot të bëhet një vend normal, i pasur e i rëndësishëm. Ky dështim ndodhi  me kontributin e jashtëzakonshëm të udhëheqësve dhe natyrisht edhe të vet ne, një populli pragmatist, i mësuar të mbijetojë përmes mekanizmave të përshtatjes , siç janë servilizmi, mercenarizmi, nënshtrimi, intriga, pabesia, tradhëtia, dhuna.

Bota e gjallë na mëson një ligj universat të reagimit ndaj rrezikut; ikja ose përballja. Më shumë se një e treta e gjallesave të këtij vendi kanë ikur në çerek shekullin e fundit. Me këtë mendje është edhe një pjesë e madhe prej nesh këtu. A do ikim, a do përballemi me këtë rrezik që kërcënon ekzistencën e Shqipërisë? Apo kush të mundë do ikë e të tjerët do përshtatemi si shtetas të çifligarit të ri? I referohem edhe një herë të ndjerit Leka Zogu , gjatë fushatës së tij unike për referendumin për formën e regjimit: “Nëse nuk fiton monarkia, për një kohë shumë të shkurtër nuk do të ketë më Shqipëri”. Dhe vërtet kemi gjithë shanset të përfundojmë argatë pa identitet të pronarit cilidoqoftë të kësaj hapsire që sot quhet ende Shqipëri. Parrena.com

SHKARKO APP