Koha për yje në hotele
Flet Zak Topuzi, Shoqata Shqiptare e Turizmit (ATA, sektori i Hotelerisë)
Pas rreth 12 vitesh zhvillimi “pa busull”, hotelet shqiptare do t’i nënshtrohen standardizimit, duke filluar zyrtarisht nga data 1 shtator i këtij viti. Periudha tranzitore për t’iu përshtatur rregullave të reja të lojës do të jetë 18 muaj. Por, sipërmarrjet e këtij sektori shprehen se ligji krijon mbivendosje, lë shteg për abuzime dhe ka rritur ndjeshëm numrin e kritereve që duhen plotësuar. Ata kanë kërkuar rishikimin e projektvendimit të nxjerrë nga ministria.
Nga Elona Bedalli
Për herë të fundit, hotelet shqiptare u janë nënshtruar rregullave të klasifikimit në vitin 2004. Që pas kësaj kohe, zhvillimi ka qenë kaotik, pa një strategji dhe pa një objektiv të qartë. Ndërtime pa fund hotelesh me 10 dhoma që nuk i hynë kujt në punë, por që sot përbëjnë mbi 80% të tregut të hoteleve shqiptare. Ajo që kemi nevojë sot janë resortet me mbi 200-300 dhoma që respektojnë natyrën dhe arkitekturën dhe që menaxhohen nga një staf i kualifikuar. Kemi nevojë për struktura të certifikuara që ofrojnë garanci e që kur bëjmë prenotimet të mos i kenë vetëm yjet e vizatuara në foto, si tekë e pronarit.
Me miratimin e ligjit të ri të turizmit, në shtator të vitit të kaluar u sanksionua edhe detyrimi për të ngritur një sistem të plotë për klasifikimin dhe standardizimin e njësive akomoduese në tërësinë e tyre. Një nevojë urgjente për tregun e turizmit në Shqipëri, i cili sot e ka të vështirë që të jetë konkurrues në rajon dhe më gjerë, pasi nuk ka struktura të certifikuara dhe si rrjedhojë të gjitha shtigjet për abuzime janë të hapura. Gjatë kësaj periudhe, Ministria e Zhvillimit të Ekonomisë, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes ka hartuar projektvendimin për kategorizimin e njësive akomoduese. Në të përcaktohen kushtet, afatet dhe kriteret (të detyrueshme ose jo) që do të duhet të zbatojnë këto subjekte. Ligji përcakton si detyrim, pas regjistrimit si biznes në sektorin e hotelerisë (në QKB) aplikimin për marrjen e certifikatës së klasifikimit. Me pranimin e këtij aplikimi, do të duhet të zgjidhet vlerësuesi që do të jetë i autorizuar nga ministria për klasifikimin e njësive akomoduese. Subjektit i lihet një periudhë e caktuar për të plotësuar të gjithë kriteret e kërkuara me ligj, nëse ka të meta, i lihet sërish koha për plotësimin e tyre, por në rast se ato nuk janë përmbushur, atëherë sipërmarrësi turistik humbet të drejtën për të ushtruar veprimtari. Ndërsa kur përfitohet certifikata e klasifikimit, vlefshmëria e saj është 4 vjet dhe parashikohet edhe e drejta e rinovimit. Në vendim përcaktohet edhe kostoja që do të paguhet për aplikimin nga subjektet që është 100 lekë, por nuk përcaktohet nëse vetë procesi do të ketë kosto dhe sa mund të jenë ato.
Natyrisht që ligji parashikon edhe sanksione për ata që do të kapen duke vendosur yje “kuturu”, sikundër ka ndodhur deri më sot e që llogariten deri në 150,000 lekë.
Është parashikuar edhe krijimi i Regjistrit Qendror të Turizmit ku do të listohen sipërmarrjet turistike që janë pjesë e zbatimit të këtij ligji dhe që do të ketë qëllime statistikore. Kjo do të zbardhë një pjesë të mirë të bizneseve të kësaj fushe, që vuan shkallën e lartë të informalitetit.
Me sa yje…
Për Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, certifikimi dhe klasifikimi i strukturave akomoduese do të rrisë standardet e ofrimit të këtij shërbimi, duke i harmonizuar me ato ndërkombëtare, si dhe do të zhvillojë turizmin shqiptar.
Projektvendimi është i strukturuar në 6 krerë që përcaktojnë kushtet, afatet dhe procedurat për klasifikimin e strukturave akomoduese dhe 4 anekse që përcaktojnë kriteret e detyrueshme dhe opsionale që duhet të plotësojnë strukturat akomoduese. Konkretisht në kreun I rregullohen dispozitat e përgjithshme. Në kreun II (neni 4-6) shpjegohen kategoritë, nivelet dhe kriteret e klasifikimit. Përkatësisht, strukturat akomoduese do të kategorizohen në:
-Bujtinë me një nivel (Standard)
-Fjetinë në dy nivele (Standard dhe Komfort)
-Kamping në një nivel (Standard)
-Hotel në katër nivele (dy yje; tre yje; katër yje dhe pesë yje)
-Motel në tre nivele (Standard, Komfort dhe Superior)
-Resort në tre nivele (tre yje; katër yje; pesë yje); Resorti turistik me 3/4/5 yje duhet të plotësojë kriteret e hotelit me 3/4/5 yje shoqëruar me kriteret e nivelit përkatës të resortit. Për t’u klasifikuar si resort turistik me 3/4/5 yje duhet që të paktën 70% e kompleksit të ndërtesave të plotësojnë kriteret e detyrueshme të nivelit 3/4/5 në tabelën e klasifikimit-hotel.
Nëse resorti ka njësi akomoduese me nivele të ndryshme klasifikimi, ato duhet të jenë qartësisht të evidentuara në një vend të dukshëm në hyrje të njësisë përkatëse. Gjithashtu, niveli i ndryshëm i klasifikimit duhet të jetë i ekspozuar në faqen e internetit të resortit apo faqe të tjera, të cilat ofrojnë mundësi rezervimi.
-Qendër kurative në katër nivele (dy yje, tre yje, katër yje dhe pesë yje)
-Fjetje dhe mëngjes (B&B) në tre nivele (Standard, Komfort, Superior)
Shifra
900 është afërsisht numri i hoteleve në Shqipëri
400 prej tyre mund të gjenden online
192 mund të prenotohen me booking, ku rreth 80% kanë standarde
20-30 dhoma kapaciteti mesatar
Yjet, ligji krijon hapësira për abuzime…
Si model, për hartimin e rregullores për strukturat e akomodimit, është huazuar kryesisht ai kroat, ndërsa palët e interesit u mbajtën larg. Për Shoqatën Shqiptare të Turizmit do të kishte qenë e dobishme përfshirja në këtë proces e institucioneve europiane, si HOTREC-a. Drejtuesit e ATA-s vërejnë se me këtë paketë, nuk është arritur një produkt me standardet ndërkombëtare.
Sipas tyre, ka qenë e pamundur dhënia e komenteve të detajuara pasi nuk është sqaruar i gjithë sistemi që parashikohet të ngrihet për klasifikimin, strukturat, komisionin, vlerësuesit, kostot e procesit të klasifikimit, etj. E njëjta gjë vlen edhe për sistemin e referencës që është përdorur për klasifikimin dhe veçanërisht për kriteret e parashikuara.
Flet Zak Topuzi, Shoqata Shqiptare e Turizmit (ATA, sektori i Hotelerisë)
Ju si shoqatë keni konstatuar se kuadri ligjor që është përgatitur në lidhje me klasifikimin e hoteleve ka mangësi, ku konsistojnë ato?
Në Europë, sot përdoret sistemi i klasifikimit që njihet si “Hotelstars”, i cili ka kritere të qarta, të thjeshtëzuara dhe që synon shërbimet dhe mbi to zbatohet edhe pikësimi.
Shqipëria, si anëtare e Shoqatës Ballkanike të Hoteleve
(BAA) duhet të respektojë këto standarde, por ministria duket se ka zgjedhur një sistem tjetër, për hartimin e të cilit nuk është konsultuar me palët e interesit.
Nga ballafaqimi, ne kemi vënë re se sistemi “Hotelstars” i ka më të thjeshta dhe lehtësisht më të zbatueshme kriteret e standardizimit dhe nuk lë vend për komente apo hamendësime.
Versioni i paraqitur nga ministria ka “ujëra”, lë vend për abuzime dhe i jep shumë dorë komisionit të posaçëm që do të ngrihet për të bërë vlerësimet.
Nga ana tjetër, sistemi i propozuar nga ministria e nis vlerësimin nga klasifikimi me 2 yje, në një kohë kur “Hotelstars” e nis nga një yll, kjo lë vend për të besuar se po tentohet të shkohet drejt një “licencimi të fshehur”.
Ministria propozon që numri i kritereve të vlerësimit të jetë mbi 400 në një kohë që “Hotelstars” ka mbi 260. Kjo e vështirëson klasifikimin dhe e bën një proces që zgjatet në kohë.
Në këtë rregullore janë përcaktuar edhe kritere të tjera, si p.sh.: që kanë të bëjnë me mbrojtjen nga zjarri, por ky është një kriter që e gjejmë edhe te certifikimet ISO apo te siguria e ndërtesave, ndaj dhe ne gjykojmë që në të ka mbivendosje kriteresh. Ka një ligj të veçantë që përcakton sesi ndërtohet një hotel, çfarë hapësirash duket të ketë etj. Është e panevojshme që për një çështje të ndërthuren disa legjislacione. Apo le të sjellim shembullin e pajisjes me ashensor, ku në bazë të rregullores parashikohet që duhet të ketë edhe hoteli me 3 yje, kjo rrit shkallën e vështirësisë për pajisjen me këto certifikime.
E njëjta gjë vlen edhe për përmasat e dhomave. Sistemi “Hotelstars” e fillon me 14 m², ndërsa rregullorja e ministrisë e ka çuar në 17 m².
Gjithashtu, “Hotelstars” parashikon lehtësi sa u përket hoteleve ekzistues.
Nga këto, vëmë re se është vështirësuar ndjeshëm procesi.
Kjo nënkupton se hotelet do të vihen përballë detyrimit për të realizuar investime dhe për të rritur kostot?
Periudha transitore 18-mujore që parashikohet për t’iu lënë kohë subjekteve që të adoptojnë kërkesat e reja është e pamjaftueshme për kushtet e Shqipërisë.
Ne kemi qenë një vend që e ka lënë në “rënie të lirë” zhvillimin e hotelerisë dhe disiplinimi i tij do të dojë kohë dhe kosto. Për ta bërë këtë, vendet e rajonit kanë përdorur lehtësitë fiskale, siç është ulja e taksave apo përjashtimi për periudha të ndryshme. Një gjë të tillë bëri edhe Greqia, që kishte standarde krejt të tjera.
Për industrinë kjo periudhë do të përkthehet në shtim të problemeve, aq më tepër në kushtet e mungesës së plotë të incentivave.
Nga ana tjetër, edhe për strukturat e tjera akomoduese, parashikohen kritere të shumta, si për bujtinat apo fjetinat.
Nuk mund të pretendohet që bujtinat me kategorizimin nën 3 yje të mund të drejtohen nga stafe të kualifikuara. Ato janë krijuar si biznese familjare, që nga aktiviteti i tyre ndihmohen edhe nga ekonomitë lokale. Në të gjithë botën po nxitet promovimi i bujtinave të ekoturizmit, me qëllim që të ndihmohen zonat rurale.
Ua i keni bërë prezent vërejtjet tuaja ministrisë?
Po, ne i kemi paraqitur vërejtjet tona. Kemi sinjale se do të mund të rishikohet periudha tranzitore prej 18 muajsh, duke e zgjatur më shumë. Ne shpresojmë që kjo të ndodhë, sepse biznesi do të vihet në vështirësi, për të realizuar objektivat mund të vihet edhe përballë nevojës për të marrë hua. Ky nuk është një proces i thjeshtë, që bëhet sa hap e mbyll sytë.
Ne gjithashtu kemi kërkuar që hotelet që kanë kaluar dikur procesin e certifikimit të klasifikohen si riklasifikime, sepse tek e fundit në vitin 2004 ishin rreth 36 hotele që u klasifikuan. Për hir të së vërtetës, duhet thënë se ai ka qenë një proces më i vështirë sesa “Hotelstars”.
Por, sa do ta vështirësojë marrjen e masave për sezonin fakti se ende bashkitë nuk kanë marrë tërësisht funksionet sipas ndarjes së re administrative?
Ende nuk ka lëvizje, duke qenë se bashkitë po merren me riorganizimin. Masat duhet të ishin mbyllur, por mesa duket mungojnë idetë e qarta. Nuk dihet nëse do të ketë apo jo stafe të dedikuara për turizmin?
Po për sa u përket çmimeve, a do të ketë ndryshime, nisur edhe nga rritja e barrës fiskale për pushtetin vendor?
Ka një sërë taksash që janë shtuar (siç është ajo e infrastrukturës në arsim) dhe rritur në nivel (taksa mbi ndërtesën). Kjo e fundit është rritur tej mase dhe në sektorin e hotelerisë ndihet edhe më shumë, pasi shfrytëzohen hapësira të mëdha (ku mesatarisht shkojnë në 1,000 apo 2,000 m²).
Por, përtej rritjes së barrës fiskale, njësitë akomoduese do të duhen të tregohen të kujdesshme, pasi nëse rrisin çmimet, do të përballen me rënie të kërkesës.
Të mos harrojmë që gjendemi edhe përballë problemeve që ka rajoni, ku Greqia po vuan stanjacionin, për shkak të refugjatëve. Prenotimet e hershme janë pezulluar.
Nga ana tjetër ka edhe një fenomen tjetër siç është ai i prenotimeve të hershme, ku çmimet u përllogaritën me një TVSH apriori më të ulët, duke qenë se u mendua se qeveria shqiptare do të ndryshonte taksimin. Ndaj mund të themi se ecuria e sektorit nuk parashikohet aspak pozitive.
Pjesë nga vendimi…
Neni 11
Lëshimi i Certifikatës së Klasifikimit
- Komisioni, brenda dy ditëve nga marrja e vendimit, njofton zyrtarisht Sipërmarrësin Turistik për vendimin e marrë dhe përgatit Certifikatën e Klasifikimit, e cila duhet lëshohet brenda 5 ditëve nga marrja e vendimit të Komisionit.
- Certifikata e klasifikimit nënshkruhet nga titullari i Komisionit ose personi i autorizuar prej tij dhe përmban:
- Emrin dhe emërtimin e strukturës akomoduese;
- Kategorinë dhe nivelin e klasifikimit;
- Datën e lëshimit të certifikatës së klasifikimit;
- Afatin e vlefshmërisë.
- Sipërmarrësi turistik duhet të tërheqë Certifikatën e Klasifikimit brenda 60 ditëve nga lëshimi i saj, në të kundërt kjo certifikatë bëhet e pavlefshme.
- Certifikata e Klasifikimit e lëshuar dhe e miratuar nga Komisioni, sipas formatit dhe modelit të miratuar me urdhër të ministrit, afishohet në recepsionin e Strukturës Akomoduese.
- Shenja dalluese e klasifikimit, e prodhuar sipas formatit dhe modelit të miratuar me urdhër të Ministrit, vendoset në hyrjen kryesore të strukturës akomoduese;
- Certifikata e Klasifikimit regjistrohet automatikisht, pas përfundimit të procesit të klasifikimit, në Regjistrin Qendror të Turizmit, që administrohet nga struktura përgjegjëse pranë ministrisë përgjegjëse për turizmin.
Neni 18
Kundërvajtjet administrative
- Sipërmarrësi turistik, i cili përdor në mënyrë të paautorizuar shenjat dalluese të klasifikimit, mban përgjegjësi administrative sipas legjislacionit në fuqi dhe dënohet me gjobë 150,000 lekë.(Monitor)