Kombi ishte në festë: Martohej Mbreti Zog
Për herë të parë sjellim atmosferën e jashtëzakonshme të shpalljes së fejesës së Mbretit Zog me konteshën hungareze, Geraldinë Apponyi; një ngjarje e rrallë e pasqyruar në dy botime të posaçme të gazetës “Drita”, atmosfera nga Shkodra ku u zbrazën pushkë, e deri në Vlorë; votimi unanim për fejesën e Mbretit në Parlamentin shqiptar, më 31 janar 1935
Gjashtë orë pushkë e revolverë në Shkodër për fejesën e Mbretit; Parlamenti shqiptar jep pëlqimin unanim për martesën me konteshën hungareze
Nga Violeta Murati
Shkodra feston e para, zbraz pushkë dhe revolverë për të përshëndetur sihariqin Mbretnor, fejesën e Mbretit Zog me Geraldina Apponyi.
Lajmi gazmor filloi të përhapej qysh në orët e para të mëngjesit, ku lajmërohet se u mbyll mënjeherë tregu dhe “populli shpërtheu në demonstracion spontan nga më të papërshkrueshmet”, njoftohet në gazetën Drita, më 31 janar 1935.
Atmosfera e dhënë nga media është e jashtëzakonshme: Mbretnesha e nesërme e Shqipnisë përshendet Popullin. Kombi është në festë: Do të martohet Mbreti. Dhoma e deputetëve e duartroket dëshirën e Sovranit. Demonstrata entuziaste e popullit përpara Mbretit, Familjes Mbretërore dhe të Fejuarës Auguste.
Për gazetën “Drita”, që i kushton dy botime të posaçme, Geraldina Apponyi dërgon këtë mesazh: Popullin shqiptar, të cilin e kam dashtë dhe çmue së largu, e përshëndes nga zemra së afërmi me “Dritën”! Në Shkodër brohoritet pa pushim, turma të mëdha kanë lënë gjithçka duke u drejtuar përpara Pallatit të Bashkisë ku ndodheshin nëpunësit civilë dhe ushtarakë, autoritete fetare dhe nxënësit e të gjitha shkollave. Krytari i bashkisë së asaj kohe ka lajmëruar zyrtarisht popullin shkodran, duke mbajtur një fjalim të shkurtër, e ndërprerë shpesh herë nga “duartrokitjet dhe brohoritjet frenetike”. Gazeta shkruan ndër të tjera: “Nga gëzimi i math që ndjen në shpirtin e tij, populli nuk mujt me durue, dhe qi nga ora 11:30 deri në orën 17 ka zbrazun armë pa pushim. Lumturisht nuk asht konstatue as aksidenti ma i vogël”.
Gazeta “Drita” shkruan se nga çdo anë e Shqipërisë kanë ardhur telegrame: “Gëzimi i math në popullin e Dukagjinit”; Durrësi e pret me kangë e muzikë lajmin e fejesës së NMT, Mbretit; Manifestime enthusiastike në Gjirokastër; Manifestimet e Korçës për lajmin gazmor; manifestimet e Kukësit; Populli i Fierit heth valle myzeqarçe; Manifestim enthuziasmi në Berat…etj.
Ndërsa në pasdrekën e kryeqytetit, pasditen e 30 janarit, ka nisur festimet dhe “enthusiazmi popullar për ngjarjen e lumtur”. Të nesërmen e shpalljes së fejesës, turmës së njerëzve i paraprinte “hija e rëndë zyrtare, që lëshonte lëvizja e personaliteteve, n’orët e pas mesditës dominonte manifestimi popullor”.
Po vjen ora!- ky është lajmërimi se po pritej të zyrtarizohej në Parlament, e të votohej, në Tiranë fejesa e Mbretit, Zogut I. Ndërsa në sheshin “Skënderbej” mblidheshin turmat e njerëzve për të festuar, jepet dhe pamja tjetër e pritjes zyrtare në Parlament. Ja si vijnë këto momente: “Ndërsa shkruajmë në këtë kand ku sundohet Sheshi “Skënderbeg”, shikojmë të lëvizin “bonjouret”, dhe cilindrat e deputetvet, të misëvet të Trupit Diplomatik që drejtohen kah Dhoma për t’u radhitun si spektatorë dhe aktorë të ngjarjes gazmore dhe historike. Populli tashti ka marrë rrymën e pakundërshtueshme të padurimit; aj mundohet kot që t’a çduki kohën që e ndan prej shqiptimit të Parlamentit: po vjen ora; por duhet të kryehet.
Tashma zanat janë përqendrue në bloke turmash që shtypen, dhe të bahet sikur secili individ do të jetë gjithmonë ma pranë derës nga ku do të dali sihariqi. Hyjmë në Dhomë: Në dy llozhet shenojmë krushqit e ardhun nga Ungarija, në të tjerat Trupi Diplomatik në grand komplet, mandej autoritete të larta civile dhe ushtarake, nji numur i zgjedhun zojash të elitës së kryeqytetit, përfaqësi e “Grues Shqiptare”, mandej ç’do zbrazësinë asht e mbushun deri sa me të xanë frymën. Depytetët hyjnë grupe ; e shikojnë së këndejmi, nga llozhat e mbushuna deng të gazetarëve emosionin e tyne; duket disi të randë këta baballarë të Kombit përpara nderit që u jepet për të shënue edhe nji herë emnin e tyne në nji episode të lumtun të Mbretënis….”
Para Pallatit Mbretëror u shpall zyrtarisht fejesa e Mbretit Zog me Konteshën Gerladine Apponyi, dhe kjo mjaftoi “për t’u shprehur në sheshe ç’ka ndiente zemra e popullit për këtë çast kaqë të lumtur. Ngjarja gazmore pushtoi mendjen dhe zemrën”.
Gazeta “Drita” ka ekskluzivitetin e dhënies së lajmit, e njëkohësisht jep mesazhin e parë që dha Mbreti Zog për fejesën e tij, drejtuar kryeministrit të asaj kohe: “Z. Kryeministër! Tue dëshirue të marim për bashkëshorte Konteshën Geraldine Apponyi, Ju ngarkojmë t’i a sillni përfaqësuesve të Kombit këtë dëshirën t’onë në konformitet me nenin 89 të Statutit Themeltar të Mbretnisë. Zog I”. Në këtë numër të “Dritës” dalin fotot e para të Gerladinës, po ashtu e ndjek dhe një biografi e gjatë në disa numra, ku tregohet lindja, rritja dhe edukimi i Konteshës Geraldine.
Mesazhi i Mbretit shkon edhe në Parlament, ku lexohet i plotë, ndërsa këtë atmosferë zyrtare gazeta “Drita”, e jep kështu: “Midis një emocioni të thellë që mbretënonte në sallën e Parlamentit, kryetari i Dhomës z. Pandeli Evangjeli, zë vend në tribunën e kryesisë dhe, tue qenë të gjithë në këmbë thotë: ‘Një eveniment gazmor me rëndësi kryesore që ka lidhje të ngushtë me interesat vitale të shtetit dhe të popullit Shqiptar na dha shkakun t’ju thërresim në këtë mbledhje të posaçme…’”
Fjalët e kryetarit të Dhomës dhe Mesazhi i Mbretit u pritën “me duartrokitje dhe brohortije frenetike”. Ndërsa turma jashtë Parlamentit që kishte mbushur sheshin “Skënderbej”, dhe deri në rrugë ishin derdhur, aty “tronditi atmosferën nga ovasionet gazi dhe enthusiazmi”.
Deputetët kanë mbajtur të gjithë me radhë fjalimet e tyre, me radhë, ndërsa shkëpusim disa fjalë nga një prej tyre, A. Dibra me fjalë entuziaste jep arsyet pse e konsideron vlerë historike fejesën e Mbretit: “Me themelimin e Dinastisë Zogu, kompletohet edhe mbështetja e fundit por ma esenciale e ndërtesës shtetnore, konsolidohet për jetë regjimi Zogist, qi asht shpëtimtar për këtë komb; mbyllen gojët e këqija të armiqve të Shtetit e të Regjimit, ju epet fund gjithë hypotezave, thashë e thanave të botës marë e të jashtme. Me nji fjalë, përjetësohet Shteti e Regjimi tue u hapë nji fazë e re e artë e Historisë Shqiptare. Ja për këto arsye, thashë qi martesa e Mbretit t’onë August, ka nji randësi vitale e historike dhe nji karakter krejt të veçantë e nji kuptim shum ma të thellë nga martesa të këtilla qi gjejmë ndër vende të tjera…” Ndërsa Feizi Alizoti, në fjalimin e tij do të ndalej te cilësitë e Geraldinës, duke pranuar unanimisht martesën e Mbretit: “ Dëgjuam mesazhin e NMT Mbretit, i cili me ndërmjetësimin e Parlamentit i thotë gjith Popullit: Vendosa të martohem; dua të marr për bashkëshorte Konteshën Geraldine Apponyi, e cila vjen prej një familje të madhe Ungareze dhe kush do q’i ka hedhur synë një vephe enqiklopedike, do t’i dijë veprat e shërbimin që kanë kryer, njerzit e mëdhenj që kanë dalë prej kësaj Familjeje si në kohën kur ka qenë Maxharija më vehte ashtu dhe kur ka qenë e bashkuar me Austrinë. Vritutet e Konteshës, Mbretëreshës së arthme, janë tepër të pëlqyera e të çquara dhe martesën e gjej konvenient se përveç q’ësht fisnike, por ësht dhe gracioze. Parafolësit i thanë si virtutet e Konteshës, ashtu dhe bënë një analizë që prej kohës së Skënderbeut, e gjer sot, kështu që nuk më mbetet të zgjatem, por bashkohem me parafolësit dhe pranojmë unanimisht kët martesë aqë fort të dëshirueme nga Populli shqiptar”.
Përveç atmosferës, i kushtohet në dy numra edhe prejardhjes së Geraldinës, familjes nga ajo vinte. Por më i veçantë paraqitet portreti i Mbretëreshës, natyra dhe karakteri i saj, si do të përshtatej ajo me shqiptarët: “Ata që e kanë njohun s’afërmi të Fejuemen Auguste të N. M. Tij Mbretit, thonë se në të 22 vjetët e rinisë së saj gjindet një matuni e pjekemeni experience 60-vjeçore; një shpirt mëshire dhe altruizmi që arrin deri në flinë ekstreme. Dashunia e saj ma e madhe janë librat, lulet, kulti për gjithëshka të lartër dhe fisnik ruen shpirtë njerëzor: Miqt’ e saj ma të dashtun janë të mjeruemit e jetës, fshatarët e thjeshtë, ata që zemrën e kanë në dorë. Në rininë e saj të njomë, fshati ka gëzue një pjesë të madhe të preferencave të saja; jo pallatet e Budapestit të Kontëve Apponyi, por jeta gjenuine e fushës e ka mbledhun në gjinin e vet Konteshën Geraldine. Prandaj i gjithë afiniteti i Saj shpirtnuer me popullin bujk të Shqipnis”.
***
Gazeta “Drita”, e përditshme nacionaliste,botim i posaçëm, ja çfarë shkruan për festimet e fejesës së Mbretit:
Fjalimi i Konteshës Geraldinë
E fejuemja Auguste, e ftueme me kambëngulje nga brohoritjet e mbarë asaj njerëzie, në të cilën shquhen zanet e foshnjave shkollore, shfaqet në balkon e shoqnume prej Kryeadjudantit të N. M. T. Mbretit, Gjeneral Serregi. Gazi i Saj e elektrizon të gjithë turmën që shpërthen n’ovasjone të drejtueme me plot shpirt, Asaj që tashma i ka robnue zemrat e shqiptarve.
Kontesha Gerladinë dishron t’i flasi popullit shqiptar, prandej ajo i drejtohet Gjeneral Serreqit i cili i përktheu tekstualisht shprehjet e konteshës:
“Gëzimi që shpreh populli shqiptar për këtë ditë më prek thellësisht dhe e falenderoj nga zemra”.
Dy, tri herë Mbretnesha e nesërme e Shqipnis shtrëngohet të shfaqet në ballkon dhe t’i drejtojë gjith njerzis dhe posaçërisht foshnjave të njoma përshendetjet e saja të ngrohta, të përbame prej lëvizje duersh, nderim shqiptar dhe buzëqeshjes së dhuruem me spontanitetet. Kryetari i bashkisë qytetit, z. A. Nepravishta, me një fjalim të thekshëm, në gjuhën frënge, i dhuron Konteshës Auguste dy libra shqip-gjermanisht dhe shqip-anglisht, si dhe një tufë me lule të përbame prej karajfilash të kuqë. Manifestimet nuk mbarojnë me aqë vazhdojnë ende nëpër udhët e ndryshme të kryqytetit që ka fatin sot, mbas katër shekujsh e gjysmë të rijetojë çastet rrënqethëse, të ndijeme prej Krujës kur Gjergj Kastrioti zgjodh si bashkëshorte Donikën e madhe. Një Donikë e dytë do të jetë për Shqipnin “Trandafilja e Bardhë” e këtij vendi. (Nichts)
***
Gjithë Mbretnija e pret me enthusiazëm të papërshkrueshëm lajmin gazmor të Fejesës së N. M. T., Mbretit Zog me Konteshën Geraldine Apponyi
Shkodra, gjithmonë krenare në ruajtjen e zakoneve arbnore e përshendet me krisma pushkësh dhe revolverësh sihariqin.
Edhe në fshatrat ma të vogla jehoi me fuqi urimi: Rroftë Mbreti! Rroftë Mbretnesha!Rroftë Familja Mbretnore!
Në telegramet që na kanë arritun dje gjithë ditën dhe sot në mëngjes, leçitësi t’onë do të shohin se Populli Shqiptar, duke fillue prej ma të madhit e deri ke më I vogli, e përshëndeti me shprehje gazmore, që në disa vise kanë arritun e deri në kulmë enthusiazmi, sihariqin e fejesës së Nalt Madhnis së Tij Mbretit me Konteshën Auguste Gerladinë Apponyi.
Në asht se kryeqyteti i Mbretërisë pati fatin ta shohi së afërmi dhe të pushtohet prej gazit të ambël të Mbretneshës së nesërme të shqiptarëve aqë sa të arrijë ta shprehi enthusiazëm e vet rrënqethës me të brituna të fuqishme dhe me lot gëzimi, krahinat e Shqipnis prekën tonë nji soj të larta hareje, posa u njoftue prej autoritetevet të vendit lajmi gazmor i fejesës auguste.
Çaste historik njikohësisht i lumtur për vendin t’onë dhe për Dinastin e adhurueme Zogiste, nuk u përshendet me forma protokolare; por me atë hov të ngrohtë popullor që vjen të tregojë edhe nji herë se sinonimi i pandashëm “lumturi e Mbretit, lumturi e Atdheut”, që asht bamë tashmë vetë qenia e shqiptarit të ri, mbetet aty si gur i patundëshëm besnikerije, dashunije dhe kulti për Sovranin e Math. …
Shkodra qe e para që u shpreh shqipterisht përpara lajmit gazmor të krisuna pushkësh, si motit, e përshendetën Mbretneshën e zgjedhun prej Mbretit.
-Na qoftë për hajr – briti populli shkodran kur e ndigjoi sihariqin.
Dhe jehuen në ajr krisma pushkësh….
***
Soireja
E shkëlqyeshme e pallatit mbretnuer rrodhi në një atmosferë gjallnije dhe elegance
Salla elegante e plot drita e Pallatit Mbretnuer ishin mbushun parmbrame me personalitete të nalta të ftueme në pritjen e shkëlqyeshme që dha N. M. T. Mbreti. Në ket pritje gjindeshin Kryeministri Shk. T. Koço Kota me antarët e Qeveris, Kryetari Parlamentit me nji përfaqësi të gjanë deputetësh, auktoritetet e nalta civile dhe ushtarake të Shtetit, Trupi Diplomatik dhe nji numër Zonjash të zgjedhuna e shum elegante. …
Sovrani ishte i veshun me nji frak shumë elegant e Kontesha Gjeraldina me nji robe të Bardhë të punueme shum bukur dhe të pasun me qindisje që i jepte nji theksim të veçantë figurës së sajë të naltë dhe të përhjedhun.
Me fisniki të hirëshme Kontesha Gjeraldina bisedoi mandej me Kryetarët e misjoneve diplomatike t’akreditueme pranë Oborrit Mbretnuer të Shqipnis. N. M. T. Mbreti, me të Fejuemen e Tij Auguste, hynë në sallonin e ballos ku filluen valet. Ma vonë Kontesha Gjeraldina priti në nji sallon personalitetet e ndryshme si edhe përfaqësuesat shqiptar dhe të huej të shtypit të paraqitun nga ministri i P. Jashtme Shk. T. Ekrem Libohova dhe të shoqnuem nga ministri fuqiplotë Dr. Mihal Sherko, drejtori i Shtypit, që i paraqitën përgëzimet Mbretneshës s’ardhshme të Shqiptarve, e cila i tha shtypit këto fjalë: “Die e njoha Shqipërinë, tani e dashuroj dhe nesër kam shpresë të bashkëpunoj me ju”. Ndërkaq në sallonin e madh vazhdojshin vallet në të cilat mori pjesë edhe Sovrani tue vallzuem me Motrat Auguste. Edhe vetë N. M. T. Mbreti bisedoi me personalitete të ndryshme e mori pjesë deri vonë në festim, që u zgjat, në një atmosferë të kandshme gjallnije dhe elegance të shkëlqyeshme, tue u përcjellun, kur u largue me Konteshën Gjeraldina Appony e me Familjen Mbretnore, me çfaqje të nxehta nderimi nga ana e të ftuemve.