Koment: Islami i frikshëm – Përse Pegida ka kaq shumë ithtarë

Ata demonstrojnë sërish, "evropianët patriotë". Përsëri në Dresden dhe përsëri kundër "islamizimit të perëndimit". Shqetësimi është i madh. Pa të drejtë, mendon Daniel Heinrich.

"Pegida" është një emërtim. Jo më shumë dhe jo më pak. Është një emërtim për një lëvizje, e cila është shumë më tepër se Pegida, Hogesa, AFD, apo kongreset me birrë të CSU në Bavarinë e poshtme, që përbetohen për perëndimin e krishterë. Sepse po të qëndrojnë në Bavari nuk ka aspak rëndësi, si quhet një gjë e tillë. Fakt është se në Gjermani, shumë njerëz aktualisht kanë frikë nga "feja islame". Është një ndjenjë e paqartë, jo konkrete e të ndjerit jo mirë, që ushqehet nga një sërë ngjarjesh dhe temash: 11 shtatori dhe frika e kudogjindshme e terrorizmit islamik, debatet në lidhje me shamitë dhe burkat, radikalizmi i "Shtetit islamik", muslimanë nga Gjermania, që shkojnë atje si xhihadistë, fluksi i refugjatëve nga vendet, ku shkreton IS, dhe diskutimi i vazhdueshëm, nëse Turqia myslimane bën tani pjesë në BE apo jo.

Muslimani është musliman

Për shumë njerëz kjo është e tepërt dhe është e kuptueshme. Sepse në dallim nga mendimet akademike në politikë dhe media shumica e njerëzve nuk kanë një ide të diferencuar mbi rrymat, që ekzistojnë brenda fesë islame. Për ta muslimani është musliman.

Edhe shtypi, dhe sidomos ai, kontribuon dukshëm në thellimin e ndjenjave të ankthit. Një shembull aktual: pengmarrja në Sydney. Ende para se të bëhen të ditura detajet konkrete, raportimi zgjon klishetë e njohura: "xhihad", "luftëtarët për luftën e shenjtë", "islamist". Fjalët kyç janë gjetur. Përsëriten pa u diferencuar. Në rregullsinë e duhur kjo përzihet me shpërthimet e fundit të Taip Erdoganit, që këshillon turqit, që jetojnë këtu, të mos bëhen "shumë gjermanë".

Provokimet e qëllimshme kanë efekt

Këtyre u shtohen njoftimet mbi djemtë në Wuppertal, që me seriozitetin më të madh dalin në qendër të qytetit si "policia e sheriatit" dhe ndërhyjnë që të mbahen veshje "në përputhje me islamin". Absurditet! E megjithatë, çfarë mund të mbetet tek qytetari mesatar gjerman, veçse "feja islame është e keqe"? Dhe të jemi të sinqertë: a nuk është jonormale që vajzat myslimane në plazhin e liqenit Berlin-Plëtzensee të hyjnë në ujë të veshura me burkini, që burrat me mjekrra të veshur të veshur me kaftan, i luten Allahut në tramvajin e Këlnit.

Problemi në Gjermani është se për shqetësimet e shumë njerëzve nuk ka një debat të konsiderueshëm publik. Dhe për ketë arsye këto njerëz ndjehen, sikur nuk merren seriozisht. Në vend të kësaj vijnë breshëri paragjykimesh nga politika. Një shembull aktual janë shprehjet e Heiko Maas. Ministri gjerman i Drejtësisë i cilëson protestat e Dresdenit si "turp për Gjermaninë". Ky është një sinjal fatal i përjashtimit dhe tregon në fund të fundit, se sa pak mirëkputim ka në të vërtetë për këtë tematikë. Sepse që edhe brenda partisë së Maas-it ka shumë mbështetje për idetë e Pegida-s, e tregon një sondazh aktual: 46% e mbështetësve të PSD janë në një linjë me kërkesat e Pegida-s. Kjo të bën të mendosh. Sepse PSD nuk është parti, që fiton vota duke i bërë jehonë Perëndimit të krishterë. Dhe renditjen në kampin e qendrës së djathtë shumica e anëtarëve do ta merrnin për fyerje.

Shqetësimet dhe frikërat janë të pranishme

Pa dyshim se në demonstratat në Dresden marrrin pjesë edhe radikalë të ekstremit të djathtë. Por lëvizjet si Pegida tërheqin ndërkohë njerëz nga të gjitha spektret politikë dhe nga të gjitha shtresat. Ata janë të gjitha, pjesë e një fenomeni masiv. Jo si pjesë të një mase ngjyrë kafe, që po e kaplon pa u ndalur Gjermaninë. Por si simbol i një diskutimi të shqetësimeve dhe frikërave të një pjese të konsiderueshme të gjermanëve. Dhe këto shqetësime, të stërthena me mijëra herë në kafene, në takime, në klubet e republikës, kanë dalë në pah në mënyrë të dukshme për secilin. Dhe gjithnjë e më shumë qytetarë vërejnë se "unë nuk kam qenë vetëm me mendimet e mia!" Mohimi i shqetësimeve të tyre, apo fyerja dhe sharja e demonstruesve nuk do t'ia ndërrrojë mendjen askujt në rrugët e ftohta të dimrit. Përkundrazi. Kjo tregon vetëm se sa është larguar politika nga qytetarët dhe që i shpie njerëzit në krahët e rekrutuesve të mjedisit të të djathtëve radikalë.

SHKARKO APP