Komisioni dypalësh Greqi-Shqipëri dhe PDIU

Në datë 19.11.2014 u mblodh komisioni i përbashkët shqiptaro-grek për ndryshimin e teksteve shkollore, në lëndën e historisë, ku merrnin pjesë ministrja shqiptare Lindita Nikolla dhe ai grek Andrea Loverdos. Në bazë të rekomandimeve të BE-së të dy palët u angazhuan që të zgjidhin sa më shpejt këtë çështje në kuadrin e mardhënieve të mira që ekzistojnë midis të dy vendeve. Pala greke ritheksoi ankesën e bërë nga eurodeputeti grek Manolis Kefalojanis pranë BE-së se: “Shqiptarët i quajnë në tekstet e tyre mësimore qytetet e Prevezës, Igumenicës, Pargës dhe Kosturit si shqiptare. Tekstet në një vend kandidat për në BE si Shqipëria përmbajnë me shumicë referenca irredentiste dhe përshkruajnë treva të një vendi tjetër anëtar të BE-së sikur u përkasin atyre”.

Fjala e ministres Nikolla ishte në përputhje të plotë me politikën e Jashtme të qeverisë shqiptare, me një gjuhë të përmbajtur e mjaft diplomatike. Ajo theksoi se diskutimet do të bëhen nën frymën dhe parimet e KE-së dhe të UNESKO-s dhe se fjala jonë do të jetë pasi komisionet të fillojnë punën dhe të diskutojnë problemet, duke mos i dhënë përgjigje direkte ankesës greke. Nuk mund të flasim me siguri sesi do ta trajtojnë specialistët grekë e shqiptarë këtë problem mjaft të mprehtë, e që në kuadrin e parimeve të BE-së duhet të zgjidhet. Por të bën përshtypje qëndrimi i PDIU-së, që e dinte këtë fakt qysh dy muaj më parë. Në faqen e saj të Internetit, lexon titullin: PDIU reagon mbi stisjen e një debati artificial për çështjen e teksteve shkollore. Aty thuhet ndër të tjera: “Nuk ka asnjë komision që mund të ndryshojë historinë mijëravjeçare të kombit tonë, pjesë e pandashme e së cilës është dhe Çamëria, Kosova e çdo trevë tjetër kombëtare. …Nëse të dyja palët do të ngrenë një komision të përbashkët, PDIU-ja dhe shoqata Çamëria do të ushtrojnë trysninë e nevojshme që debatet të përqendrohen në nevojën e shkrimit të historisë së Çamërisë edhe në tekstet shkollore greke si një e vërtetë dhe realitet i pamohueshëm historik. Stuhia në gotë është produkt i tentativës greke për të zhvendosur vëmendjen e popullit tek armiku i jashtëm, në këtë rast shqiptarët dhe Shqipëria… Komisioni tashmë u ngrit dhe u mblodh në Tiranë. Kjo nuk ishte e papritur për PDIU-në. Megjithatë me anë të përfaqësuesit të saj më datë 20.11.2014 ajo bëri deklaratën tjetër, ku ndër të tjera tha: “Dalja e tij (ministrit grek) përpara medias që flakëron kamxhikun me karotën e integrimit evropian përbën fyerjen më të rëndë… Ministri grek foli në Tiranë për t’u dëgjuar në Athinë pasi partia e tij po zhduket nga skena politike. PDIU-ja dhe Shoqata Çamëria i bëjnë thirrje Ministrisë së Arsimit të kërkojë publikisht përfshirjen e historisë dhe të genocidit ushtruar ndaj shqiptarëve të Çamërisë në tekstet shkollore greke. Po ashtu, i kërkon Ministrisë së Arsimit të kërkojë publikisht nga pala greke mësimin në shqip të gjithë emigrantëve, arvanitasve dhe çamëve të padëbuar… Ky është i vetmi qëndrim dinjitoz dhe evropian që çdo shqiptar pret nga përfaqësuesit e vet politikë”. Para se të analizojmë qëndrimin e PDIU-së ndaj këtij problemi duhet thënë se përfaqësuesit politikë të çamëve janë deputetët e saj, të cilët nuk kanë pse fshihen nën deklarata të llojit “korr e mos lidh”. Në deklaratën e parë thuhet se nëqoftëse do të ngrihet komisioni i përbashkët PDIU-ja dhe Shoqata Çamëria do të bëjnë presion që debatet të përqendrohen në shkrimin e historisë së Çamërisë në tekstet greke etj… Nuk u shkoi mendja të paktën të bënin një protestë para sallës ku u mblodh komisioni dypalësh?

Gjatë dy muajve nuk u bë përpjekja më e vogël nga PDIU-ja për një takim me Kryeministrin, Ministren e Arsimit ose Ministrin e Jashtëm shqiptar. Nuk është kërkuar ose propozuar asgjë në Kuvend, në Komisionin Parlamentar për Punët e Jashtme ose të Arsimit. Ndërkohë deputetët e PDIU-së ia kanë dhënë me qejf votat qeverisë në çdo rast edhe kur ajo nuk ia ka kërkuar ato. PDIU-ja bëri “presion” dhe u angazhua tërësisht gjatë ndarjes territoriale, duke arritur të krijojë Çamërinë e Vogël shqiptare, në Konispol, me shpresën që do të ketë votat e pastra të çamëve në çdo kohë. Natyrisht që Kuvendi ia miratoi propozimet sepse e llogariti si pjesë të opozitës dhe në atë rast ia dëgjoi zërin. U mendua se Qeveria pas kësaj do ta “doroviste” PDIU-në, që u bë palë me të madje me një ministër e shumë drejtorë por kjo nuk ndodhi. Në qeverinë paraardhëse dy votat e deputetëve çamë pollën me dhjetëra vezë të arta të shndërruara në drejtorë e zëvendësministra. Pse të mos pjellë sipas PDIU-së edhe tani që ka jo dy po pesë deputetë? Është kjo arësyeja që ajo nuk ndihet, nuk kërkon të marrë pjesë në komisionin dypalësh, nuk bën presion me pesë votat e saj në parlament e qeveri sidomos në një rast të tillë ku çështja çame atakohet dretpërdrejt. PDIU-ja pret që ashtu si dhe më parë të bashkëqeverisë megjithëse deputetët i ka marrë me votat e koalicionit të djathtë.

 

   

SHKARKO APP