Komisioni i Ekonomisë miraton dorëheqjen e Civicit nga Këshilli i Bankës së Shqipërisë
Komisioni parlamentar i Ekonomisë dhe Financave miratoi dorëheqjen e Adrian Civicit, nga detyra e anëtarit të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë. Civici dha dorëheqjen nga ky post në muajin shtator të këtij viti.
Kreu i Komisionit të Ekonomisë, Braçe i kërkoi Kuvendit të nisë procedurat për zhvillimin e seancave dëgjimore me kandidatët për anëtar të Këshillit Mbikëqyrës së Bankës së Shqipërisë, ndërsa vuri theksin në faktin se janë tejkaluar afatet për zgjedhjen e tyre.
Sipas tij, janë 15 kandidatë për anëtar të Këshillit Mbikëqyrës së BSH. Braçe kërkoi edhe zgjidhjen e paligjshmërisë për dy anëtare të tjerë të Këshillit Mbikëqyrës. Në mbledhjen e sotme Braçe kërkoi shkarkimin e dy anëtarëve, Petraq Milos dhe Dhori Kules
Një ditë më parë përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Kryetari i Komisionit parlamentar të Ekonomisë i ka kërkuar Presidentit Nishani të zbatojë Kushtetutën dhe jo t’i referohet asaj sipas mënyrës së tij.
“Kam tre ditë që dëgjoj me shumë vëmendje deklaratat e udhëheqësve më të lartë të Shtetit për Guvernatorin e Bankes së Shqipërisë, mes tyre Bujar Nishani po i mëshon shumë Kushtetutës e Ligjit!! Nuk habitem, por nuk kuptoj se si ka mundësi që Bujar Nishani nuk flet për shkeljen e rëndë të ligjit nga dy anëtarë të Këshillit Mbikëqyrës së Bankës së Shqipërisë që kishin e kanë detyra partiake në Partinë Demokratike, tërësisht e ndaluar nga ligji për një anëtar të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë!!!
Si ka mundësi që ky e lexon Kushtetutën thjesht nga këndi i tij dhe në atë rast edhe gabim, kurse për militantët e partisë së tij nuk e lexon fare!!!!”,shkruan Braçe në një tjetër koment në rrjetin social Facebook. /