Komisioni i Ekonomisë, seancë dëgjimore me 3 kandidatë për Këshillin Mbikqyrës të BSH-së
Komisioni Parlamentar i Ekonomisë dhe Financave nisi sot seancën dëgjimore me tre kandidaturat e përzgjedhura për Këshillin Mbikëqyrës së Bankës së Shqipërisë, Natasha Ahmetaj, Tonin Kola dhe Genti Sejko. Dy kandidaturat Natasha Ahmetaj dhe Tonin Kola janë propozim i Kuvendit, ndërsa kandidatura e tretë, Genti Sejko erdhi si propozim i Këshillit Mbikqyrës.
Natasha Ahmetaj, një ndër kandidaturat për Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, fokusoi debatin gjatë seancës së sotme te kreditimi, konkretisht te portofoli i kredive të këqija. Ahmetaj tha se biznesi privat nuk e ka kulturën e shlyerjes së kredisë dhe numri i kredive të këqija është problematik në Shqipëri, duke shtruar kështu tezën e uljes së numrit të tyre me kujdes më të madh nga bankat e nivelit të dytë. Po ashtu, sipas Ahmetaj, ulja e normës së interesit nuk ka më forcën dhe efektin e duhur në ekonomi. Ndaj vijoi ajo, nevojitet konsolidimi fiskal për të mundësuar rritjen ekonomike. “Të ndjekim shembullin e Bankës së Anglisë për politikat e kreditimit dhe bashkërendimit të tyre me politikat fiskale”, deklaroi Ahmetaj.
Ndërkohë kandidati tjetër, Genti Sejko, propozuar nga Këshilli Mbikëqyrës, theksoi se krahas mirëmenaxhimit, Banka e Shqipërisë duhet të ndërmarrë politika monetare që sjellin stabilitet financiar.
Pas z. Sejko do të paraqesë vizionin e tij edhe kandidati i tretë, Tonin Kola. Dhjetë kandidatë për anëtarë të Këshillit Mbikqyrës të Bankës së Shqipërisë, janë dëgjuar nga anëtarët e Komisionit Parlamentar të Ekonomisë, në procesin e hapur nga Kuvendi për vendet vakante në të të premten e shkuar. Vetëm 3 prej tyre u përzgjodhën në një proces të dytë për të zhvilluar një seancë tjetër dëgjimore në Komisionin e Ekonomisë. Ky i fundit do të zgjedhë emrat përfundimtare dhe dy kandidatët që do të kenë shumicën e votave do të gëzojnë statusin e anëtarit të Këshillit Mbikëqyrës.