Komiteti i Integrimit: Luftoni korrupsionin, nuk janë argumente justifikimet
Drejtuesja e Delegacionit të Komitetit Parlamentar të Stabilizim Asociimit Shqipëri-BE, Monica Macovei bëri thirrje për luftimin e korrupsionit dhe rezultate konkrete në këtë luftë.
Argumenti që Shqipëria nuk është vendi i vetëm ku ka korrupsion nuk funksionon.
“BE pret nga Shqipëria përpjekje të intensifikuara dhe rezultate të matshme. Nuk mjafton që vetëm thjesht të krahasoni me të shkuarën por qeveria të ecë më përpara dhe duhet të shohë shembujt pozitivë në Europë.
E kam dëgjuar jo vetëm në Shqipëri se nuk ka korrupsion vetëm në Shqipëri por dhe në vende të tjera, cfarë problemi ka nëse ka korrupsion? Kjo është një përgjigje që ne mund ti përgjigjemi shumë shpesh. Nëse ne brenda BE kemi disa vende me nivel të lartë korrupsioni atëherë pse na duhet të marrim dhe një vend tjetër me nivel të lartë korrupsioni.
Nëse kemi dy probleme pse duhet të shtojmë një problem të tretë brenda shtëpisë. Nuk është argument i mirë nëse thoni se nuk jemi ne i vetmi vend që kemi korrupsion ka dhe vende të tjera. Unë do ju rekomandoja të mos e përdorni këtë argument”- theksoi Macovei.
Ka shume pak te denuar per korrupsion
“Ka përpjeke, ka dhe disa rezultate, ka shumë hetime, nuk ka shumë ndjekje penale.
Ndërkohë që kur flasim për finalizimin në gjykata numri është i ulët. Duhet punë. E di që nuk është e thjeshtë dhe procesi në vetevete kërkon kohë, megjithatë ju inkurajo të vazhdoni të punoni.
Në këtë aspekt për të përmbushur nevojat e njerëzve dhe ndihmuar zhvillimin e vendit, opozita, pavarësisht se kush është dhe maxhoranca, pavarësisht se kush është, nëse duhet t’i shërbejnë vendit është e rëndësishme të kuptojnë se korrupsioni con në varfëri.
Duhet të kuptoni ndonjëherë njerëzit nuk kanë zgjidhje tjetër vecse të japin rryshfet sepse sistemi kërkon ta bëjë këtë. Siç ndodh në sistemin shëndetësor. Nëse do ti shërbesh një personi të dashur atëherë do të bësh çdo gjë të mundshme. Por nga ana tjetër, nëse sistemi shëndetësor do të funksiononte mirë atëherë njerzit do të ishin shumë të lumtur që të mos detyroheshin të merrnin borxh para për shërimin e të dashurve të tyre.
Korrupsioni bën jetën e vështirë dhe jo vetëm kaq, humb dhe besimin e njerëzve tek institucionet, të mos e pelqejnë fare klasën politike sepse klasa politike nuk e lufton korrupsionin.
Korrupsioni sjell varfëri, ndërpret konkurencën reale dhe të ndershme në ekonomi.
Nëse ka korrupsion nuk ka proces tenderimi të drejtë. Nëse ka korrupsion nuk ka proces tenderimi të drejtë, do të rrisë çmimet e produkteve ose ndoshta një autostradë do të ishte 3 herë më e shtrenjtë sesa çmimi dhe e gjithë kosto duhet të paguajnë njerëzit”- u shpreh Monica Macovei.
Diskutimet
Konsensus për Reformën Zgjedhore kërkoi edhe deputetja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Klajda Gjosha.
Bashkekryetari i komisionit te reformes zgjedhore Oerd Bylykbashi tha se konsensusi per reformen zgjedhore eshte jetik per suksesin e saj. Ne takimin e perbashket me eurodeputetet, Bylykbashi vuri ne dukje se shitblerja e votes eshte problemi kryesor per Shqiperine Raporti i OSBE / ODIHR e përmend 13 herë fenomenin e blerjes së votave ne 2017-en. Gjithashtu, një studim i financuar nga BE zbuloi se 20% e të anketuarve shqiptarë iu ofruan para dhe mallra në këmbim të votes.
Zoti Bylykbashi tha se burimi kryesor per blerjen e votave jane parate qe vijne nga droga dhe korrupsioni qeveritar.
Mendimit të tij iu bashkua edhe deputetja e PD, Albana Vokshi, e cila shtoi se ndryshe nga opozita e mëparshme që sot është në qeveri, ajo aktuale gjithnjë ka mbajtur qëndrim të qartë për hapjen e negociatave, duke i mbështetur ato.
“Kemi mbajtur qëndrim të qartë për hapjen e negociatave, pavarësisht qëndrimeve abuzuese të kryesuesve të këtij takimi. Ne do vazhdojmë të mundohemi të shtyjmë përpara procesin, ndryshe nga opozita e mëparshme. Ashtu sic vepruam për vite të tëra për një prej problemeve më të mëdha që ka sot vendi, kanabizimi. Qeveria deri para disa muajsh nuk e shihte as si problem drogën. Vetëm aksioneve opozitare janë paë pasojat e rënda të kanabizimit të vendit. Shqipëria është bërë dhe vend kalimi për drogat e forta. Edhe dekriminalizimi ka ndodhur falë nismës së opozitës. Shqipëria nuk ka bërë përparim në uljen e nivelit të korrupsionit. Frika jonë është se të gjithë veprimet që po bën sot qeveria, po shkel të drejtat kushtetuese. Shumë familjeve në varfëri ekstreme po u hiqet ndihma ekonomike,” tha Vokshi.
“Fakti që Shqipëria është duke u përfshirë në pastrimin e parave, që shihet dhe në raportin e Bazelit që Shqipëria është në 10 vendet me rrezikshmëri më të lartë. Këto e bëjnë opozitën të thotë që hapja e negociatave mund ta bëjë monitorimin e BE-së më të frytshëm për situatën në vend,” u shpreh Jorida Tabaku.
Ndërsa deputeti socialist Eduart Shalsi i kundërshton duke thënë se zgjdhjet nuk ishin perfekte por ishin më të mirat të bëra ndonjëherë në 27 vite demokraci.
“ Opozita e lexon raportin e ndërkombëtarëve sic lexon rezultatin më të dobët historik të saj në 27 vitet e fundit, pa reflektuar. Zgjedhjet ishin më të çliruara nga pesha e traditës sonë jo aq të lumtur zgjedhore. SHBA dhe BE meritojnë mirënjohje për arritjen e marrëveshjes së 18 majit për qeverinë teknike. Falë kësaj marrëveshje patëm zgjedhjet më të qeta dhe më të patrazuara se kurrë më parë, qoftë nga retorika qoftë nga influenca e partive. Zgjedhjet nuk ishin perfekte, por padyshim më të mirat. Kemi mundësi për t’i përmisuar, dhe OSBE-ODIHR na ka vënë disa detyra për të përmirësuar procesin,” tha Shalsi