Komiteti Shqiptar i Helsinkit, letër “313”-ës: Jepini fund shkeljes së të drejtave të Presidentit Meta!
Komiteti Shqiptar i Helsinkit i ka dërguar një letër IEVP “Jordan Misja”, përmes të cilës kërkon që ish-Presidenti Ilir Meta të lejohet të zhvillojë takime me deputetë të Kuvendit të Shqipërisë dhe të Parlamentit Evropian.
Në letrën drejtuar institucionit, Komiteti Shqiptar i Helsinkit shprehet se kufizimi është bërë pa u bërë me dije një vendim i arsyetuar apo baza ligjore mbi të cilën është mbështetur.
Letra:
Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH) në përmbushje të misionit për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të shtetasve, është vënë në dijeni të ankesave nga Z. Tedi Blushi, deputet i Kuvendit të Shqipërisë dhe Z. Ilir Meta, president i Partisë së Lirisë, nëpërmjet të cilave ngrihen shqetësime lidhur me moslejimin e zhvillimit të takimeve të këtij të fundit me deputetë të Kuvendit të Shqipërisë dhe deputetë të Parlamentit Evropian, pa u bërë me dije një vendim i arsyetuar apo baza ligjore mbi të cilën është mbështetur ky kufizim.
KShH dëshiron të rikujtojë se kjo çështje është trajtuar edhe më herët në kuadër të monitorimit të kryer në IEVP “Jordan Misja”, si dhe në rekomandimet e adresuara institucionit tuaj nëpërmjet shkresës nr. 151 prot., datë 27.04.2026, ku ndër të tjera është vlerësuar se kufizimi i takimeve të të paraburgosurve me deputetë, ngre shqetësime serioze në raport me respektimin e të drejtave të garantuara nga ligji, veçanërisht nga neni 51 i ligjit nr. 81/2020 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”. Në vijim të këtij procesi monitorimi dhe korrespondencës institucionale, KShH ka konstatuar se kishte një impakt pozitiv në praktikën e ndjekur nga institucioni.
Pikërisht për këtë arsye, rikthimi i pretenduar i së njëjtës praktikë ngre shqetësim dhe kërkon sqarim për personat e përfshirë, veçanërisht nëse kanë ndryshuar rrethanat faktike që do të justifikonin një qasje të ndryshme nga ajo e ndjekur pas rekomandimeve të mëparshme. Sa më sipër, në respektim të ligjit nr. 119/2014 “Për të drejtën e informimit”, KSHH do të vlerësonte informimin nga ana juaj mbi pretendimet e Z. Ilir Meta dhe Z. Tedi Blushi.
Lutemi të gjeni bashkëlidhur për dijeninë tuaj, letrat e cituara më sipër.
Duke ju falenderuar për bashkëpunimin e deritanishëm, mbetemi në pritje të një përgjigje zyrtare nga ana juaj!

KOHA JONË SONDAZH

