Kompani dhe specialistë italianë të inxhinierisë dhe arkitekturës mësyjnë Tiranën
Mbi 30 kompani italiane kanë mbërritur në Tiranë për të intensifikuar bashkëpunimin me kompanitë shqiptare në fusha të ndryshme të ekonomisë
Mbi 30 kompani Italiane kanë mbërritur në Tiranë për të intensifikuar bashkëpunimin me kompanitë shqiptare në fusha të ndryshme të ekonomisë. Shoqata italiane e organizatave të inxhinierisë, arkitekturës dhe konsulencës teknike ekonomike OICE në bashkëpunim me Zyrën Teknologjia Industriale, Energjia dhe Mjedisi i Agjencisë ICE, selia në Romë dhe ICE Tirana, përzgjodhën një institucion publik si Universiteti Politeknik i Tiranës, si simbol të bashkëpunimit dhe inovacionit. Salla “Pedrollo” ku u zhvillua konferenca është financuar pikërisht nga një sipërmarrës italian Silvano Pedrollo.
Sipas raportit të vitit 2016 mbi praninë e shoqërive italiane të inxhinierisë dhe arkitekturës në raport me aktivitetin prodhues jashtë vendit ku përfshihet edhe Shqipëria, shifra është dyfishuar nga 24% në 47%. Në total projektet arrijnë 427 milionë euro nëpërmjet 160 filialeve dhe 238 marrëveshjeve ndërkombëtare të bashkëpunimit ku bën pjesë edhe vendi ynë. Përveç marrëveshjeve të nënshkruara në vendet e Bashkimit Europian si: Rumani, Belgjikë, Bullgari, Qiro, Kroaci, Francë, Gjermani, Rumani, Spanjë etj OICE ka nënshkruar marrëveshje edhe me shoqatën shqiptare të konsulencës së inxhinierëve. Ambasadori italian në Shqipëri, Alberto Cutillo, theksoi se Shqipëria konfirmohet përherë e më shumë si një partner strategjik i Italisë. Gjithashtu Italia është partneri i parë tregtar me Shqipërinë, tregues që ka arritur 37% dhe investitori i huaj kryesor përsa i përket numrit të ndërmarrjeve në territorin shqiptar. Raportet mes OICE dhe homologes AACE Albanian Association of Consulting Engineers, janë instaluar në vitin 2015 nëpërmjet një marrëveshje bashkëpunimi reciprok.
Drejtoresha e agjencisë ICE-Tirana Gabriella Lombardi vuri në dukje se drejtimet kryesore të bashkëpunimit janë: E ardhmja e rrjeteve infrastrukturore në Shqipëri, procesi i rikualifikimit dhe zhvillimit si dhe mbështetja e zhvillimit të qëndrueshëm dhe instrumentet financiare. Matteo Colangeli, drejtori për Shqipërinë i Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim BERZH, duke folur për financimet në fushën e infrastrukturës solli në vëmendje projektin e linjës hekurudhore Tiranë-Durrës-Rinas, ku me mbështetjen e BERZH dhe Fondit të Përbashkët Europian për Ballkanin Perëndimor (EëBJF), që për herë të parë në vendin tonë do të realizohet një projekt modern, ku trenat do të lëvizin me shpejtësi deri në 120 km/orë dhe Tiranë-Durrës dhe do të përshkohet për 20-25 minuta. Gjithashtu për herë të parë do të ndërtohet një linjë hekurudhore që lidh aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza”. Veprimtaria vijoi me takimet b2b të 31 kompanive italiane me sipërmarrësit shqiptar të sektorëve të ndryshëm të ekonomisë, kryesisht infrastrukturës, mjedisit, trajtimit të ujërave, planifikimit urban, inxhinierisë sizmike etj. Nisma është në të njëjtën linjë me tematikat e procesit të Berlinit që është parashikuar më datë 12 korrik në Trieste të Italisë.