Kompensimi i energjisë, për 1 milionë qytetarë

Ky ka qenë sqarimi i bërë dje në seancë plenare nga ministri i Mirëqenies Sociale, Erjon Veliaj, lidhur me kompensimin e çmimit të energjisë elektrike. Sipas të cilit, qeveria ka menduar pikërisht për ata që preken nga kjo masë e pritshme, në përpjekje për t’i mbrojtur prej efekteve të saj negative. “Madhështia e një kombi nuk duket te fakti se si i trajton të fortët e vet, por se si shtresat në nevojë”, deklaroi ai lidhur me një fakt të tillë. Duke detajuar mes shifrash se të ndara sipas kategorive në nevojë, ata që do të përfitojnë rimbursim të çmimit të energjisë elektrike janë pikërisht familjet që përfitojnë ndihmë ekonomike, rreth 88.094 të tilla në rang vendi. Shoqëruar edhe nga 80.000 kryefamiljarë në pensione pleqërie e invaliditeti. Apo edhe 7.000 që kanë në përbërje  të tyre persona të kategorisë PAK (me aftësi të kufizuar), si edhe 13.016 të tilla me të verbër, plus edhe 6.818 të tjera me persona para e tetraplegjikë. Si edhe punonjësit buxhetorë me pagë nën 35 mijë lekë në muaj, të cilët janë në fakt 9.000 të tillë. “Por, lind pyetja: A ka një faturë? Sigurisht që po! Por, kjo faturë është sa 1/10 e faturës së abuzimit që ndodh sot me energjinë elektrike. Në qoftë se abuzimi me energjinë elektrike shkon në 150 milion dollarë, fatura e kompensimit për shtresat në nevojë është më pak se 15 milion dollarë. Pra, ajo që po themi sot është: Kursejmë 150 milion dollarë dhe nga këto para, paguajmë 1/10 për rimbursimin deri në qindarkën e fundit të të gjitha shtresave në nevojë”, sqaroi më tej kreu i ministrisë së Mirëqenies Sociale, e cila në fakt merret me trajtimin e problematikave të shtresave të popullatës në nevojë. Duke përfunduar me faktin se gjatë këtij viti, me vendimet që ka marrë, Parlamenti e ka treguar forcën e bindjeve politike të së majtës, tek mënyra se si i ka trajtuar shtresat e dobëta të shoqërisë. “Madje, vitin e kaluar, një nga vendimet e para të këtij Parlamenti ishte dhënia e pagesave të prapambetura për personat me aftësi të kufizuara dhe me ndihmë ekonomike, të cilët kishin nga 6-7 muaj pa i marrë ato sepse qeveria e kaluar i kishte bërë rrush e kumbulla në fushatë”, tha ai. Për të konkluduar në këtë kuadër se edhe kur financat kanë qenë modeste, “kemi thënë se në fillim duhet të paguajmë detyrimet e shtresave në nevojë”.

 

 

SHIFRAT

 

Kompensimi sipas

kategorive në nevojë

 

– Familje me ndihmë ekonomike             88.094

– Kryefamiljarë pension pleqërie/invalid.       80.000

– Familje që kanë në përbërje PAK                7000

– Të verbër                                                      13.016 

– Para e tetraplegjikë                                       6818

– Buxhetorë me pagë nën 35 mijë lekë           9000

 

 

 SQARIMI

 

Energjia, kryeministri:

Çmimi nuk do të rritet

 

Kryeministri Edi Rama, në kuadër të nisjes së aksionit kundër vjedhjes së energjisë elektrike nënvizoi dhe njëherë se politika e qeverisë do të ndalojë grabitjen e kësaj pasurie të jashtëzakonshme kombëtare. Më anë të një statusi në rrjetin social “Facebook”, Rama theksoi për të gjithë ‘spektikët’ se çmimi i energjisë elektrike nuk do të pësojë rritje dhe sipas tij secili do të paguajë aq sa i takon. “Çmimi nuk do të rritet, por secili do të paguajë atë që i takon e kush paguan nuk do të jetë më i detyruar të paguajë edhe për ata që vjedhin, siç ka ndodhur zi e me zi për 20 vjet me radhë”, – citohet në mesazhin e Ramës.
 

 

 

 

SHKARKO APP